Politika dhe opinioni publik janë ndarë pas atentatit kundër prokurorit Arjan Ndoja, i plagosur në makinë ndërsa udhëtonte në shoqërinë e Aleksandër Lahos, që njihet edhe me emrat Pëllumb Muharremi, apo Landi Muharremi, me pseudonimin ''Rrumi'', përfshirë në shumë hetime të policisë. Ne kemi qenë nga ana e atyre, që u skandalizuan për praninë e “Rrumit” në drekë me prokurorin dhe në krah të tij në momentin  e atentatit. Drejtësia do të verifikojë marrëdhëniet e tyre dhe (shpresojmë) edhe identitetet e atentatorëve, por ajo afërsi mes një përfaqësuesi të shtetit dhe një subjekti që është angazhuar kundër ligjshmërisë dhe shtetit, nuk është e pranueshme nga ana etike.

Në të njejtën mënyrë, rreshtohemi nga ana e atyre që habiten për rolin e Albert Muharremit, vëllait të “Rrumit”, në postin e drejtorit të Postës së Durrësit. Përgjegjësia ligjore është personale dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim. Por, në rast se nuk është e përshtatshme nga pikëpamja etike marrëdhënia miqësore e “Rrumit” me prokurorin, nuk është i tillë as edhe emërimi i vëllait të “Rrumit” në krye të një institucioni publik. Si është emeruar atje? Për merita personale dhe profesionale, apo nën ndikimin e të vëllait?

Përveçse drejtor i Postës, Albert Muharremi është edhe pronar i 67% të aksioneve të shoqërisë “Futboll Klub Sukthi”, themeluar në vitin 2009 dhe ku është aksionere me 30% edhe ish-bashkia Sukth, tashmë pjesë e bashkisë së Durrësit. Bashkëaksioner është edhe Veiz Muharremi një nga dëshmitarët kyç në konfliktin për 45.000 metra katrore prona në Gjirin e Lalëzit, për të cilat u masakrua biznesmeni libanez që më pas brakstisi Shqipërinë. Për këtë rrahje u akuzua "Rrumi", por gjykata e la të lirë. 

Kompanja lindi me një bashki të drejtuar nga PD-ja dhe vazhdon me një bashki të drejtuar nga PS-ja. Pra, vëllai i “Rrumit” nuk është vetëm i punësuar nga Shteti, por është edhe një ortak i institucioneve shtetërore, duke përfituar besimin e te dy krahëve të forcave politike.