Podesta – Shpresa e fundit

Podesta – Shpresa e fundit
Tri ditë më parë shtypi njoftoi se qeveria shqiptare kishte nisur 200 mijë dollarë në numrin e llogarisë së Podesta Group, kompanisë së fuqishme të lobimit në Uashington. Nëse do të konfirmohej, do të ishte e disata pagesë që bëhet në adresë të kësaj kompanie lobimi, formalisht me qëllimin e “përmirësimit të imazhit të Shqipërisë” në qarqet influente politike e financiare amerikane. Më herët, në fillim të vitit, qeveria akordoi 80 milion lekë të reja për qëllime lobimi, në buxhetin e saj.

Paralelisht me lajmin e 200 mijë dollarëve, mediat botuan edhe disa mesazhe elektronike që kjo kompani ka shpërndarë, për të lobuar në favor të qeverisë shqiptare, në konfliktin më të fundit të saj me opozitën, për anëtarin e KQZ Ilirian Muho. Ndërkohë që gazeta e madhe amerikane Uashington Post shkruante se “Ligjvënësit në Shqipëri kanë votuar për të zëvendësuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 23 qershor, duke nxitur kritika të ashpra nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara”, Podesta Group shpjegonte, përmes përfaqësuesit të saj John Anderson, se vendimi i qeverisë për Muhon kishte qenë i drejtë dhe i motivuar. Madje ky ekspert i firmës lobuese ofronte si argument të largimit të Muhos, variantin e dytë që shumica mbrojti në Kuvend. Pra, atë të “zbulimit” të së shkuarës së papastër të këtij anëtari të KQZ, që ishte shkarkuar dikur nga presidenti Moisiu “pasi ishte përfshirë në lirimin e një vrasësi dhe trafikanti armësh”.

Por nuk mbaron me kaq. Shenjat tregojnë se kjo kompani do të ketë një prezencë të fortë në zgjedhjet që po afrojnë. Është lajm i orëve të fundit, angazhimi i Podestas në një tentativë të qartë për të zbutur deklaratat e Jonathan Moore, drejtorit për Europën qendrore e lindore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Kjo sjellje përbën një provë publike të vullnetit dhe angazhimit aktiv të kësaj kompanie, në ruajtjen dhe përmirësimin e imazhit të qeverisë shqiptare. E jo të vetë Shqipërisë, siç thuhet në kredencialet e kontratës së saj me palën tonë.

Këto tentativa të Podesta Group për të kompensuar kritikat në rritje për krizën më të fundit politike shqiptare, që po shfaqeshin në mediat amerikane, vijnë në një moment kur ambasada e SHBA në Tiranë përdor tone gjithnjë e më të ashpra kundër sjelljes së maxhorancës së djathtë. Ambasadori Aleksandër Arvizu ka pasur në muajt e fundit një trajektore qëndrimesh, që e kanë përplasur në mënyrë të përsëritur me qeverinë. Deklarimet e tij për 21 janarin, gjyqin e gardistëve dhe së fundi për KQZ, përbëjnë një evolucion të dukshëm në perceptimin e tij për zhvillimet në Shqipëri. Kritikat e ashpra që paraardhësi i tij Xhon Uithers lëshon nga rezidenca e tij private në Merilend, ngjajnë përherë e më shumë me kritikat ambasadorit Arvizu.

Ka pasur një parashikim, që në fakt ishte një gjysmë batute, në rrethet politike e mediatike, në momentin që ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu merrte detyrën në Shqipëri, në vjeshtën e vitit 2010. Parashikimi thoshte se, sipas një rituali të vjetër të pashkruar, edhe ky diplomat i lartë amerikan do të ndiqte fatin e paraardhësve të tij, në marrëdhëniet me Sali Berishën. Sot cikli duket se është mbyllur. Aleksandër Arvizu ka “zënë vend” në listën e zezë të kryeministrit. Ky ka qenë njëri ndër motivet reale që ka shtyrë qeverinë, për të gjetur një mënyrë për të zbutur efektin e kritikave të ambasadës amerikane në Tiranë, mbi Departamentin e Shtetit dhe institucionet e tjera qendrore në Uashington.

Marrëdhënia e qeverisë shqiptare me Podesta Group apo edhe Pattons Bogs, ka ngritur prej kohësh dyshime dhe kritika të shumta, në lidhje me abuzimin e hapur politik që i ka bërë kabineti Berisha parave publike që shkojnë në adresë të këtyre kompanive të lobimit. Formalisht të kontraktuara për qëllime të nxitjes e përmirësimit të imazhit, apo afrimit të investitorëve amerikanë në vendin tonë, këto firma janë kthyer praktikisht në truprojat e qeverisë në dyert e kancelarive të Uashingtonit. Aksesi i dukshëm që Podesta Group ka në qendrat e mëdha të vendimmarrjes në SHBA, ka bërë që kryeministri Berisha të përkujdeset që lidhjet preferenciale me këtë firmë lobuese të vijojnë edhe në të ardhmen. Kjo ndodh natyrisht përmes angazhimit të burimeve financiare të buxhetit të shtetit. Pra, të taksapaguesve të varfër shqiptarë, prej të cilëve të paktën gjysma, dëshirojnë largimin sa më parë të kësaj qeverie.

Nuk është e tepërt të thuhet se Podesta është shpresa e vetme që ka sot kryeministri, për të drejtpeshuar disi marrëdhëniet thellësisht problematike që ai ka thuajse me të gjitha vendet e mëdha të Perëndimit. Vjeshtën e shkuar, kur diskutohej marrja e statusit të vendit kandidat në BE, disa shtete anëtare u shprehën skeptike ndaj standardit demokratik në Shqipëri. Kjo ndodhi në sfondin e një kriticizmi në rritje nga përfaqësues diplomatikë të vendeve europiane e SHBA, ndërkohë që edhe ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë ashpërsuan kritikat ndaj qeverisë. Berisha e ka gjithnjë e më të vështirë të shpjegojë në mënyrë të besueshme sjelljen e tij agresive ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsionin galopant, mungesën e zbatimit të ligjit, paprekshmërinë e zyrtarëve të lartë apo edhe kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit.

Në këto kushte, një kompani “makijazhi” si Podesta duket një zgjidhje afatshkurtër por rezultative. Është ky shkaku që, ndonëse në krizë të thellë financiare, qeveria nuk ka ngurruar në asnjë rast që të jetë korrekte dhe mjaft operative në pagesat e honorarëve të kësaj kompanie. Dhe rezultatet duken. Podesta po përpiqet të dublojë ambasadën e SHBA në Tiranë dhe titullarin e saj, duke u përpjekur të influencojë pas kuintave, institucionet qendrore të politikës amerikane, sa herë që ato ftohen për të mbajtur një qëndrim ndaj vendit të vogël ballkanik.

Në SHBA lobimi është një aktivitet normal dhe mjaft i praktikuar, që nga Kongresi amerikan deri në Shtëpinë e Bardhë. Por jo për këtë arsye kjo veprimtari është e paqortueshme dhe fisnike. Përkundrazi. Angazhimi përkundrejt parave të shqiptarëve, i një kompanie lobimi, është një gjest hileqar i Tiranës zyrtare, që e rreshton atë në një listë jo fort të këndshme diktaturash a regjimesh rrumpallë, që blejnë sekserë imazhi në qendrat e mëdha politike të botës, për të zgjatur jetën e tyre. Ka ardhur dhe kaluar koha, që qeveria të bëjë transparente marrëdhënien reale që ka me kompani si Podesta Group, sepse këtë marrëdhënie që lidhet ngushtësisht me përfitimet politike të maxhorancës së sotme, po e paguajnë të gjithë shqiptarët nga xhepi i tyre. Dhe siç mund të imagjinohet lehtësisht, shqiptarët do t’i mbanin me shumë dëshirë ato para për vete, para se t’ia jepnin kauzave mercenare të kompanive të lobimit matanë oqeanit.

Marrë nga gazeta Tema

(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën