Një 35-vjeçar mbeti i plagosur mesditën e kësaj të hëne në qytetin e Pogradecit.

Dyshohet se Nikola Agolli ka qëlluar me pistoletë në këmbë, Brian Syzon. 35-vjeçari u transportua me helikopter në spitalin e Traumës. Burimet thanë se plumbi i ka prekur këmbën duke i dëmtuar një prej venave kryesore.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja ka motive hakmarrjeje. Vëllai i të plagosurit, Adni Syzo, kishte plagosur Nikola Agollin në një berberhane, tetorin e vitit të kaluar.

Policia ka shoqëruar një person që dyshohet se ka qenë së bashku me autorin, ndërsa vijojnë kërkimet për Nikola Agollin dhe persona të tjerë që e ndihmuan të largohej nga vendngjarja.

Ata kanë braktisur makinën në Qafë-Thanë dhe më pas janë larguar me një furgon.

I plagosuri, Brian Syzo ishte ekstraduar nga Gjermania në gusht të vitit të kaluar, pasi gjykata kishte caktuar masën "arrest në burg" për shpërndarje droge.

Ende nuk është e qartë se në çfarë rrethanash e ka rifituar lirinë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:04
Plagosja në Pogradec/ Plumbi në këmbë i preku një venë kryesore, Brian Syzo transportohet me helikopter te Trauma

 

Pas plagosjes nga 24-vjeçari Nikolla Agolli, Brian Syzo po transportohet me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Plumbi i ka kapur njërën prej venave kryesore që mund të rrezikojë deri në amputimin e këmbës dhe nevojitet trajtim i specializuar.

Ora 14:19
Plagosja e Brian Syzos në Pogradec/ Gjendet në Qafë-Thanë makina e autorit Nikolla Agolli, kërkime për armën

 

Makina e autorit Nikolla Agolli që plagosi Brian Syzon në Pogradec, është gjetur në Qafë-Thanë.

24-vjeçari u arrestua në Prrenjas, ndërsa vijojnë kërkimet për armën e krimit. Policia po kërkon në një zonë afër liqenit ku dyshon se mund të jetë hedhur.