Policia bën bilancin e dhunës: U lënduan 19 policë, 1 i plagosur me thikë! Dëbuam 80 italianë! Kush shkel ligjin do vuajë pasoja! Një thirrje për qytetarët shqiptarë

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e ngjarjes së mbrëmshme. Si pasojë e dhunës janë plagosur 19 policë në krye të detyrës, njëri prej të cilëve me thikë ndërkohë që janë dëmtuar edhe 4 automjete shërbimi të policisë. Zv. drejtori i Përgjithshëm, Albert Dervishaj bën me dije se nëpër spitale janë paraqitur 10 persona, 5 shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi janë mjekuar janë larguar. Dervishaj ka bërë me dije policia ka respektuar çdo protokoll në përballjen me tifozët e dhunshëm, dhe është ndërhyrë në mënyrë proporcionale. Ai ka bërë me dije se janë shoqëruar 48 italianë dhe 12 shtetas holandezë, të cilëve u janë gjetur leva, dorëze hekura, shkopinj, mjete piroteknike etj. Ndërkohë që po kryhen hetimet.

Janë deportuar 80 tifozë italianë huliganë dhe për ta do të ndiqen procedurat për përjashtimin përgjithmonë nga aktivitetet sportive

“Policia vlerëson sjelljen e qytetarëve të Tiranës. Vlerëson maksimalisht edhe qasjen sot, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht thirrjen e autoriteteve për të minimizuar lëvizjet dhe për të mos përdorur automjetet. Apelojmë bizneset që të mos tregtojnë pijet alkoolike në shishe dhe gota qelqi. Thirrje për tifozët italianë dhe ata holandezë që të sillen dhe të veprojnë si evropianë, të zbatojnë ligjet shqiptare. Ligji do të zbatohet me rigorizitet. Neni 235 parashikon dënim deri në 5 vite burg. Është vepër penale dhe kur kruhet në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë dënohet deri në 7 vite. Edhe mosbindja ndaj urdhrit të policit dënohet me gjobë deri në burgim”, paralajmëroi Dervishaj.

Nata e kaluar ishte e vështitrë për Tiranën. Incidente dhe tensione u zhvilluan mes 2 tifozerive dhe policisë në të gjithë kryeqytetin.

Përplasja ka nisur në rrugën 'Mustafa Matohiti', një prej zonave më të frekuentuara për jetën e natës në kryeqytet, ku 200 tifozë ultras të Feyenoord kanë përdorur shkopinj dhe gurë ndaj uniformave blu.Uniformat blu kanë ndërhyrë por tifozët e Feyenoord nuk u qetësuan, duke u nisur me shkopinj drejt zonës së stadiumit.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj. Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie. Policia ka shoqëruar 60 persona, 48 tifozë të  Romës 12 të Feyenoord. Vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme.

Deklarata e zv. Drejtorit Albert Dervishaj

Policia e Shtetit informon opinionin publik se gjatë mbrëmjes së datës 24 maj 2022, në disa zona të kryeqytetit, ka patur cenime të rendit publik midis grupeve të tifozëve që kanë ardhur për të mbështetur ekipet e tyre në Finalen e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës dhe Feyenoordit.

Sikurse kemi bërë me dije vazhdimisht këto ditë, në disa dalje publike të drejtuesve të Policisë së Shtetit, përsa i përket sigurisë, Policia ka marrë masa të plota jo vetëm për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje, por edhe për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga Pikat e Kalimit Kufitar, në rrugëkalimet e ekipeve, të sportdashësve të tyre apo edhe për garantimin e rendit publik për qytetarët e tjerë në Tiranë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv etj., si dhe për garantimin e rendit e sigurisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, fillimisht një grup tifozësh të njërës nga skuadrat finaliste, kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania”, me qëllim për të tentuar një përplasje me një grup tifozësh të skuadrës tjetër finaliste.

Shërbimet e Policisë së Rendit Publik kanë tentuar të ndalojnë grupin e tifozëve të skuadrës Feyenoord, në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë, me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Një grup tjetër i tifozëve të skuadrës së Romës kanë lëvizur në drejtim të urës pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe më pas edhe në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku edhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë, duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.

Përsa më sipër, në qendrat spitalore, gjatës natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.

Shërbimet e Policisë së Shtetit, në zbatim të kompetencave ligjore dhe bazuar në procedurat standarde të punës, fillimisht u kanë bërë thirrje grupimeve të tifozëve për të ndërprerë prishjen e rendit publik, përdorimin e dhunës dhe goditjen e punonjësve të Policisë të cilët kanë qenë në detyrë, duke i paralajmëruar se do të zbatohej ligji.

Në raport me sjelljen dhe kundërveprimin e grupimeve të tifozëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar dhe proporcionale, duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit, 60 shtetas tifozë problematikë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë. Atyre u janë sekustruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj, për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim.

Gjithashtu, sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.

Policia e Shtetit vlerëson sjelljen dhe reagimin e qytetarëve të Tiranës gjatë natës së djeshme, për të shmangur frekuentimin e këtyre zonave ku janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, veprime të cilat nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

Policia e Shtetit vlerëson maksimalisht edhe qasjen e ditës së sotme, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht dhe seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë.

Do t’u mbeteshim mirënjohës që kjo mënyrë sjellje të vazhdonte përgjatë gjithë ditës së sotme, deri në përcjelljen e tifozëve pas ndeshjes.

Gjithashtu apelojmë për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike.

Nëpërmjet kësaj daljeje publike apelojmë dhe adresojmë një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, të cilëve do t’ua komunikojmë edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare, që të sillen dhe veprojnë si qytetarë europianë, në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” në bazë të nenit 235, është vepër penale dhe kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me me burgim gjer në pesë vjet; “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në bazë të nenit 235, është vepër penale me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. Po kështu konsiderohen vepra penale edhe “Goditjet për shkak të detyrës”, si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të cilat dënohen me gjobë apo me burgim.

Policia e Shtetit është në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e tjerë vendas, me autoritetet e organizimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar sportiv, me kolegët italiane dhe holandezë dhe është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, për të parandaluar shkatërrimin e pronës, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv që do të zhvillohet sot në orën 21:00, në stadiumin “Air Albania”, për të cilën ka planifikuar dhe po zbaton të gjitha masat që parashikon ligji.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh të cilët mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë.

Policia e Shtetit është e vendosur dhe e motivuar për të garantuar një ditë të qetë dhe festive në Tiranë, në mënyrë që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj të shijojnë dhe të gëzojnë një ndeshje ndërkombëtare futbolli, me tërësinë e përmasave që ajo përcjell në vendin tonë dhe në Evropë.  Faleminderit!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:01
Trazirat mbrëmë në kryeqytet, një person nxori armën tek '21 dhjetori' dhe ia drejtoi tifozëve (VIDEO)

 

Mbrëmjen e djeshme, pati përplasje të tifozëve me policinë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në një prej pamjeve që është bërë virale në rrjetet sociale duket se në zonën e njohur si '21 Dhjetori', një person, që dyshohet të jetë efektiv policie ka nxjerrë armën dhe ia drejton një turme njerëzish, mes të cilëve ka dhe tifozë me qëllim shpërndarjen e tyre. Së bashku me të dalin dhe disa persona të tjerë nga një furgon dhe përplasen me tifozët, ndërsa nuk ka të lënduar.

Ndër të tjera duket se është hedhur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë tifozët që shkaktuan trazira në Tiranë,

Ora 10:15
Përplasjet mes policisë dhe tifozëve mbrëmë në Tiranë, u lënduan 30 persona, 19 ishin policë

 

Në Spitalin Universitar të Traumës, gjatë mbrëmjes dhe natës, 30 persona u paraqitën për të marrë trajtim mjekësor. Mes tyre ishin 19 efektivë policie. Ata kishin dëmtime të lehta dhe pasi morën ndihmë, të gjithë u larguan nga spitali. 

K.T./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • geri: 25/05/2022 13:47

    sipas kesaj i bie qe ata tifozet duhet te ishin ne burg jo te derportoheshin .......nje gje thone ne shtyp nje tjeter bejne ne realitet .......polici e policeve me dy vite shkolle hesapi ca do presesh ka 30 vjet qe prodhon idiote ajo shkolle ,militante po e po .....

    Përgjigju
    • emri: 25/05/2022 15:43

      po cfare policie flet ata vrasin njeri tjetrin ne komisariate. e ku ti conin te arestuarit?! burgjet dhe komisariatet jane plot. keshtu qe ktheji nga kane ardhur ... se mos mbaruan ata tu vijne prape ... shtet bananeje thuaj, me banane ne dore qe pret te vijne bananet e amerikes latine ... se ato jane banane te mira

  • Tea: 25/05/2022 13:31

    Imagjinoni pak sikur tifozet shqiptare te kishin sjellje te tilla ne nje vend te europes .. A do kishte pasur ndonje kanal televiziv apo gazete qe nuk do kishte folur per ta ??? Dhe me pas do kishte dale dhe kryeministri shqiptar qe me servilizmin ndaj perendimit do u kerkonte falje shteteve qe kishin pesuar demin nga “huliganet shqiptare”. Bravo i qofte qytetarise se shqiptareve kto dite

    Përgjigju
  • Stamdardi: 25/05/2022 12:36

    Po ta benin Shqiptarët na i hiqte vizat hollanda! Prandaj Kjo bote ka 3 standarde dhe fat i keq eshte se Shqiptarët jane të varfer dhe keshtu kur je I varfer drejtesia dhe stamdardi reciprok e ka një sy qorr! Uroj të mos pijne birra tifozet por byrek me dhallë keshtu nuk ka dhune ! Uroj të fitoje Roma e meriton. Besoj sot nuk do kete asnje trazire por futboll dhe loje Bukur

    Përgjigju
  • Turi: 25/05/2022 11:10

    Nese e benin shtetasit Shqiptare nje veprim te tille mediat do benin namin ne bote , ata huligane duhet te futen ne burg dhe shtetet e tyre te paguajne demet qe i kane shkaktuar vendit tone asnje tolerance ndaj ketyre barbareve perendimore !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Bardhi akuza Bashës: Bashkëpunëtori yt miqësi me Olta Xhaçkën, të kërkoi që mos të firmosësh

Bardhi akuza Bashës: Bashkëpunëtori yt miqësi me Olta Xhaçkën, të kërkoi që mos të firmosësh