Policia paralajmëron tifozët holandezë

Policia paralajmëron tifozët holandezë

Tifozët holandez në kafe para ndeshjes

Policia shqiptare paralajmëron tifozët holandezë dhe italianë se me sjelljet e tyre para ndeshjes finale mes Romës dhe Fejnord, po rrezikojnë të turpërojnë vendet që përfaqësojnë, vlerat BE-së dhe solidaritetin aq shumë të nevojshëm për shkak të luftës në Ukrainë.

Ju keni ardhur si miq dhe shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit. “Godtija me gurë, hunj dhe sende të tjera të forta” është një veprim që nuk ju nderon as ju, as famljet tuaja, as rrethin shoqëror dhe as vendin e nderuar që përfaqësoni. E kemi vënë re se keni mësuar shumë mirë disa fjalë shqip, që mirë është të mos i përdorni gjatë transmetimeve live të mediave këtu. Mësoni edhe porosinë e urtë shqiptare: “mos u bëni zot në shtëpinë e tjetrit”.

Ne na vjen sinqerisht keq që një pjesë prej jush po i nxijnë faqen vendit ku keni lindur e jeni rritur.

Vendet tuaja kanë përhapur civilizimin jo vetëm në kontinentin tonë, andaj veprime të tilla prej huligani nuk kanë vend as në shoqërinë tuaj të nderuar, dhe as në vendin tonë që aspiron t’i bashkohet familjes së vendeve të BE-së.

Ne e dimë se çfarë do të thotë t’i prishësh imazhin vendit. Për këtë arsye kemi ndaluar edhe fotografët shqiptarë- jo për ne, se na ka dalë nami si vend me probleme, por për të ruajtur dinjitetin tuaj.

Kemi vënë re me kënaqësi se ju ndryshe nga ne shqiptarët, pini në këmbë dhe konsumoni aq sa ju mbajnë këmbët. Do të ishte mirë që ju të pinit ashtu si ne shtruar, domethënë ulur dhe kështu nuk do ta kuptoni sa ju mbajnë këmbët dhe me t’u ngritur me shumë gjasë nuk do të keni fuqi të ecni dhe jo më të vraponi.

Në mbyllje kemi dy paralajmërime për ju:

Paralajmërimi parë miqësor: Ky është një vend ku sundon shteti ligjor dhe sidomos pas reformës në drejtësi, prokuroria dhe gjykatat janë verbuar dhe nuk shohin asgjë përveç ligjit.

 Ligji ynë parashikon dënime me burg për prishësit e qetësisë dhe pronës publike, andaj kujdes! Nuk duam asesi t’iu frikësojmë, por t’iu themi se para ligjit këtu janë të gjithë të barabartë. E shohim të arsyeshme të përgënjeshtrojmë edhe një fake-news tjetër që po qarkullon prej ditës së djeshme.

Media të papërgjegjshme kanë shkruar se gjoja ne na është mbaruar gazi-lotsjellës që e kemi përdorur rregullisht gjatë protestave të opozitës. Nuk është e vërtetë! Kemi gaz për të përballuar jo vetëm protestat e opozitës dhe vandalizmat e disave prej jush, por edhe për të ndalur me to ushtrinë e Putinit.

Arsyeja që nuk po e përdorim është thjesht humanitare. Ne e dimë që ky gazlotsjellës shkakton lot, dhe e dimë shumë mirë që gjysma juaj do të derdhni lot pasi vetëm një nga dy ekipet do ta fitojë Kupën!

Nëse nuk na besoni atëherë jemi të gatshëm që në çdo orë të presim një përfaqësi tuajën për të parë gjendjen e gazit lot-sjellës në magazinat tona.

Me këtë rast ne ju falënderojmë për aktivitetin tuaj të deritanishëm në Tiranë! Falë jush ne mësuam diçka që nuk e dinim. Tashmë kuptuam se ka një dallim mes marshimit, manifestimit, ekskursionit, shëtitjes, sfilatës, piknikut, parakalimit dhe paradës. Deri më sot këto fjalë i dinim sinonime të fjalës PROTESTË por nuk qenka kështu.

Së fundmi, dhe ky është paralajmërim: Pas ndeshjes kemi mësuar që një pjesë e juaja do të qëndrojë edhe disa ditë të tjera.

Nga media jemi informuar drejtpërsëdrejti se disa kërkojnë të martohen, ca të shijojnë diellin, rërën dhe ujin e Mesdheut dhe të tjera kanë disa qëllime të errëta.

Nga informacione në rrugë operative kemi mësuar se opozita shqiptare, e paaftë për të ardhur në pushtet përmes kutisë së votimit, kërkon të shkaktojë trazira duke i kaluar protestat që ka paralajmëruar me koncesion te tifozët holandezë.

Ju bëjmë me dije se në Shqipëri çdo gjë mund të jepet me koncesion, madje disa prej jush mund të aplikojnë te e-Albania për të marrë statusin e investitorit strategjik, por nëse merrni përsipër protestat kundër qeverisë, po ju paralajmërojmë se do të përballeni jo me ne, por me forcën e ligjit dhe ju garantojmë se gazin lotsjellës do ta përdorim pa masë, pa kursim dhe pa u lodhur.

Duke ju bërë thirrje të distancoheni nga militantët e opozitës, ju urojmë shikim të këndshëm të finales.

P.S. Ju që do të ndiqni finalen në stadium mos e teproni me pijen, sepse të dehur nuk do të merrni vesh se kush ka fituar e kush ka humbur dhe ka gjasë t'i ngjani shqiptarëve ditën e votimit ku të dy ekipet politike festojnë fitoren!

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë