Polonia kritikon BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë: Të hapen negociatat, pa Ballkanin, Europa nuk do të marrë frymë lirisht

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda gjatë takimit të Poznanit që po zhvillohet në vendin e tij kritikoi Bashkimin Evropian për shtyrjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që t'iu ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE. Ai tha se shteteve të Ballkanit nuk duhet t'iu kërkohet të marrin pjesë në një garë "ku nuk mund të shohin vijën e finishit". Duda tha se të dyja vendet kanë kaluar nëpër "reforma të vështira", për të përmirësuar shanset e tyre për anëtarësim në BE.

Ballkani është, pikë së pari, një pjesë integrale e Europës, si gjeografikisht, ashtu edhe kulturalisht dhe historikisht. Pa integrimin e plotë të Ballkanit, së bashku me traditat e tyre të bukura dhe kulturën e larmirshme, Europa nuk do të jetë në gjendje kurrë të marrë frymë thellë. I them këto fjalë me ndërgjegjen e të qënit President i një vendi që ka përfituar shumë nga resurset zhvillimore të Bashkimit Europian, me dijeninë që këto resurse duhet të përdoren në të ardhmen edhe për të tjerët. Theksoj se Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse mbështet Europën e hapjes dhe solidaritetit, jo Europën e paragjykimeve të ndërsjellta, e të mbylljes nga interesa dhe frika të veçanta. Nuk është kjo Europa që duam.

Vetëm përpara pak kohësh në Tiranë, në kuadrin e samitit të Brdo-Brijunit, pata mundësinë të flisja me shumë nga liderat e rajonit. Të gjithë theksuan idenë që integrimi europian është sot vizioni më i rëndësishëm që bashkon të gjithë rajonin, e mungesa e këtij vizioni do të destabilizonte seriozisht Ballkanin. Si pjesë e komunitetit europian, ne jemi të detyruar të caktojmë një datë të qartë për integrimin. Do të përsëris këtu të njëjtat fjalë që thashë edhe në Samitin e Tiranës. Polonia nuk do të pranojë që vendet e rajonit të përfshihen në një vrapim, pa një vijë finishi në horizont. Inkurajoj këtë mesazh që të jetë një deklaratë e qartë e këtij Samiti të Poznanit.

E ardhmja e Ballkanit do përcaktojë suksesin e zhvillimit në tre drejtime: ekonomik, institucional dhe të sigurisë. Besoj se qëllimi që ky rajon ka, i njëjti qëllim që ka e gjithë BE-ja është: së pari, pasuria ekonomike, së dyti, rritja e cilësisë dhe forcimi i institucioneve shtetërore dhe, së treti, zhvillimi i sigurisë së qëndrueshme në këtë pjesë të Europës. Vendet e Europës Juglindore duhet të përfitojnë sa më shumë të munden nga kjo periudhë që i paraprin anëtarësimit. Ata duhet së pari të zbatojnë reformat e domosdoshme. Megjithatë ata nuk mund të lënë pas dore integrimin e vendit, që, duke marrë parasysh të shkuarën kaq të ndërlikuar, duhet të mbështetet në frymën e faljes dhe të përpjekjeve për mirëkuptim.

Mendoj që pajtimi mes Polonisë dhe Gjermanisë, që përmënda në fillim, mund të shërbejë si një shembull i mirë për tu ndjekur. Gjithsesi, ne, politikanët që përfaqësojmë Bashkimin Europian, duhet t’i tregojmë partnerëve në Ballkan solidaritetin e vërtetë, duke marrë vendimin politik për të zgjeruar bllokun" deklaroi ai. Muajin e kaluar, shtetet anëtare të BE-së e kanë shtyrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në tetor, për shkak të hezitimeve të disa vendeve, përfshirë Francën dhe Holandën.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion