Pompeo: NATO të ndryshojë, ndryshe rrezikon të vjetërohet, Europa lindore e pakënaqur

Pompeo: NATO të ndryshojë, ndryshe rrezikon të vjetërohet, Europa lindore e pakënaqur

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të premten se NATO-ja duhet të rritet dhe të ndryshojë përndryshe rrezikon të vjetërohet. Komentet e tij vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron dhënë revistës The Economist se aleanca është në vdekje klinike, komente që u hodhën poshtë nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Pompeo tha se aleanca është ndoshta një nga më të rëndësishmet "në të gjithë historinë e derisotme".

Pas fjalimit në Berlin, sekretari Pompeo iu përgjigj pyetjes nëse NATO-ja është e vjetëruar ose klinikisht e vdekur. Ai u përgjigj se pas 70 vjetësh, aleanca duhet të rritet dhe të ndryshojë, duhet të përballet me realitetet dhe sfidat e sotme.

"Nëse vendet e ndryshme besojnë se mund të marrin përfitimet që sjell siguria pa i siguruar NATO-s burimet që i duhen, nëse ato nuk i respektojnë angazhimet e tyre, ekziston rreziku që NATO-ja të bëhet e paefektshme ose e vjetëruar,” tha ai.

Në fjalim,Pompeo kritikoi trajtimin e Rusisë ndaj kundërshtarëve politikë dhe tha se taktikat e Kinës duhet të jenë mjaft të njohura për njerëzit e ish-Gjermanisë Lindore. Ai tha se vendet e lira janë në konkurrencë vlerash me vendet më pak të lira.

Pompeo ndodhet në Gjermani në prag të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Duke reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga rënia e Muri në vitin 1989, zoti Pompeo tha se "Perëndimi dhe të gjithë ne humbëm rrugën në muzgun që ra pas atij momenti krenar".

"Ne menduam se mund t'i zhvendosnim burimet tona larg aleancave dhe ushtrive tona, por e kishim gabim,” tha ai.

"Sot, Rusia udhëhiqet nga një ish oficer i KGB-së, dikur i stacionuar në Dresden. Ajo pushton fqinjët dhe vret kundërshtarët politikë".

"Ne nuk duam që furnizimet me energji të Evropës të varen nga Vladimir Putini," shtoi ai, duke iu referuar tubacionit të gazit Nord Stream 2 i cili do të transportojë gaz natyror nga Rusia në Gjermani.

Pompeo tha se Partia Komuniste Kineze po "formon një vizion të autoritarizmit" dhe paralajmëroi Gjermaninë që të mos përdorë pajisjet e firmës kineze Huawei Technologies për ndërtimin e rrjetit 5G të të dhënave.

"Shefi juaj i inteligjencës ka thënë se Huawei nuk mund të besohet plotësisht", tha ai.

Në Pekin, Ministria e Jashtme e Kinës e kritikoi zotin Pompeo për komentet e tij të mëparshme në adresë të Partisë Komuniste Kineze, duke thënë se komentet ishin "jashtëzakonisht të rrezikshme" dhe kishin nxjerrë në pah “qëllimet e tij të errëta” siç i cilësoi ajo.

Jehona e komenteve të Macronit në Evropën Lindore

Komentet e Macronit shkaktuan shqetësim të konsiderueshëm në Evropën lindore, e cila i sheh Shtetet e Bashkuara si garantuesin e vetëm të pavarësisë së saj nga një Rusi në ringjallje.

"Nuk mund të them që kjo deklaratë na bëri shumë të lumtur," u tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda gazetarëve në Romë.

Në Estoni, e cila ndan kufirin me Rusinë, zv/kryetari i Komisionit të Parlamentit për Punët e Jashtme, Marko Mihkelson, tha se komentet e Macronit po dërgonin një "sinjal të rrezikshëm".

"Macron mund të jetë i dëshpëruar që Shtetet e Bashkuara të Evropës të kenë ushtrinë e vet, por ta shkatërrosh qëllimisht aleancën e transatlantikut, diçka që na bashkon dhe na ndihmon më shumë në mënyrë efektive të përballeni me rreziqet e botës, është thjesht qesharake", tha ai.

Shqetësim shprehi edhe Polonia, e cila ka një mosmarrëveshje të gjatë me Francën për çështjet e mbrojtjes. Ajo prishi një kontratë ushtarake me firmës Airbus në vitin 2016 për të blerë në vend të kësaj pajisje amerikane.

Udhëheqësit boshnjakë thirrën ambasadorin francez të premten për t'i kërkuar shpjegime të deklaratave të Presidentit Francez Emmanuel Macron i cili tha se Bosnja ishte një "bombë me sahat".

Macron e cilësoi Bosnjen si burimin kryesor të shqetësimeve të Evropës në Ballkan për shkak të "problemit të saj të kthimit të xhihadistëve".

Ambasadori, Guillaume Rousson, diskutoi deklaratat e Presidentit Macron me kryetarin e presidencës tre-palëshe të Bosnjës Zeljko Komsic.

Gjatë takimit, Komsic bëri një ftesë për Macronin të vizitojë Bosnjën për të parë situatën nga afër.

Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë të presidencës së Bosnjës ofruan perspektivën e tyre mbi komentet e Macronit.

Përfaqësuesi boshnjak, Sefik Dzaferovic, tha se deklarata ishte "plotësisht e pabazuar".

Por Milorad Dodik, anëtari serb i Bosnjës, tha që komentet e Macronit nuk duhet të injorohen.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë