Në përfundim të Superligës rezulton se ekipi i KF Bylis është renditur në vendin e 9-të dhe zbret në Kategorinë e Parë. Në të njëjtën kohë KF Bylis B ka fituar ndeshjet e play-off të Kategorisë së Dytë, duke fituar të drejtën për të luajtur në të Parën.

Referuar Nenit 24.7 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, pjesëmarrja e dy ekipeve të të njëjtit klub në të njëjtën kategori nuk lejohet. Gjithashtu, Neni 24.8 përcakton se, në rastet kur ekipi “A” zbret në kategorinë ku ndodhet ekipi “B”, atëherë ekipi “B” zbret automatikisht një kategori më poshtë.

Për rrjedhojë, pavarësisht rezultatit sportiv të arritur, KF Bylis B nuk mund të marrë pjesë në Kategorinë e Parë dhe do të rikthehet në Kategorinë e Dytë për sezonin sportiv 2026/27.

Duke qenë se rregulloret parashikojnë pasojën për KF Bylis B, por nuk përcaktojnë shprehimisht mënyrën e plotësimit të vendit vakant në Kategorinë e Parë në një situatë të tillë, sipas nenit 41 të Statutit të FSHF në këto raste çështja kalon për shqyrtim të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Pas propozimit të Komisionit të Ligave dhe Garave dhe Komisionit Ligjor, Komiteti Ekzekutiv vendosi zhvillimin e një ndeshjeje të vetme play-off ndërmjet KF Kukësit dhe KF Butrintit, në fushë asnjëanëse, për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë në sezonin sportiv 2026/27.

Detajet mbi datën, orarin dhe stadiumin e zhvillimit të kësaj ndeshjeje do të bëhen publike në vijim nga Departamenti i Garave të FSHF.

Pretendimet

Pas situatës që u krijua me Bylis B, Butrinti që humbi në finalen play-off të Kategorisë së Dytë kundër ekipit të dytë të ballshiotëve kërkoi të ngjitej direkt në Kategorinë e Parë. Një gjë të tillë e pretendoi edhe Kukësi, që u mund në play-out-in e Kategorisë së Parë nga Bylis B. Kukësi veç kësaj shtoi se Bylis B në atë takim aktivizoi 9 futbollistë nga ekipi i parë, katër më shumë sesa e lejon rregullorja.

AF Luftëtari, ekip që u mposht nga Sopoti në play-out-in e Kategorisë së Parë gjithashtu kërkoi të merrte vendin e Bylisit B. Edhe KF Shiroka, ekipi i Kategorisë së Dytë Grupi A pretendoi vendin vakant.

FSHF ka vendosur tanimë dhe do të jetë finalja mes Kukësit dhe Butrintit që do të vendos se cila nga të dyja skuadrat do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ri. Një shans për Kukësin që shpreson të mbetet sërish në të Parën, por Butrinti ka një ekip për t'u respektuar.