Pr/ligji “Për punëkërkuesit e papunë” , Qosja: Rregullon tregun e punës

ATSH/- Drejtoresha e Politikave të Punësimit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale Gentiana  Qosja (Prodani) tha në një intervistë për ATSH-në se, pr/ligji "Për punëkërkuesit e papunë" vjen për të përforcuar luftën kundër informalitetit si dhe rregullimin e tregut të punës.
"Ky pr/ligj vjen në kuadër të paketës së qeverisë për luftën kundër informalitetit. Ne kemi 152 mijë punëkërkues të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, rreth 50 % e tyre përfitojnë ndihma ekonomike", nënvizoi ajo.
Në intervistën për ATSH-në, Gentiana Qosja (Prodani) u shpreh  se "drafti i ri parashikon që në momentin që ofrohet një punë nga punëdhënësi dhe punëkërkuesi e refuzon atë, në këtë moment ne mendojmë se ky person mund të jetë punësuar informalisht diku tjetër".
Sakaq, ajo sqaron se puna e ofruar nga punëdhënësit, është një punë e përshtatshme pasi kjo lidhet me disa elementë kryesore si të dhënat personale, shëndetësore, familjare, fizike, arsimin, kualifimikim, pra këto të fundit qëndrojnë në përputhje me aftësitë e personit në fjalë. Kur ky person nuk pranon punën e ofruar atëhere zyra e punësimit  duhet t'a heqi nga lista e punëkërkuesve të papunë e për pasojë edhe nga ndihma ekonomike.
Në lidhje me punëkërkuesit e papunë të punësuar përgjatë këtij viti, ajo tha se "nga 26.800 vende pune që ne kishim nga muaji janar deri tani, të ofruara nga punëdhënësi, ne kemi qenë në gjendje të plotësojmë vetëm 50% të vendeve të punës".
Qosja shpjegon për ATSH-në se shumë njerëz përfitojnë nga statusi si "punëkërkues të papunë", pasi përfitojnë jo vetëm ndhmën ekonomike por edhe kartën e shëndetit". Sipas saj, ka shumë njerëz që janë të punësuar informalisht por qëndrojnë ende në listën e të papunëve.
Në lidhje me kompanitë të cilat kërkojnë të punësojnë punëtorë, ajo tha se kryesisht kompanitë kërkojnë punëtorë të kualifikuar. "Ideja është që, punëkërkuesve të papunë i duhet dhënë një shtysë për të marrë një kualifikim, i cili të jetë i përshtatshëm me tregun e punës. Në fasoneri kemi shumë oferta punë, si rrobaqepsi, përpunim peshku etj. Si dhe në fushën e telemarketingut dhe IT", nënvizoi ajo.
Ndërkaq, e pyetur për modelin mbi të cilin bazohet ky pr.ligj ajo nënvizon se nuk ekziston një model mbi të cilin jemi mbështetur, por të gjitha vendet e kanë sipas saj. "Ideja është që duan të shkojnë tek shërbimet europiane të punësimit. Kemi edhe modelin e ri të shërbimit të punësimit që e kemi marrë në bashkëpunim me projektin IPA 2010 dhe përfundoi në janar të këtij viti", tha ajo.
Në lidhje me pritshmëritë e këtij pr/ligji ajo u shpreh se "ndihmën ekonomike duhet t'a marrë vërtet ai që e meriton".
Por si mund të aplikosh për një kurs profesional?
Drejtoresha Qosja sqaron se "që të përfitosh një kurs profesional, zyra e punës fillimisht të bën një intervistë e më pas të ofron fushat e mundshme për t'u bërë pjesë e arsimit profesional, falas. Janë 10 qendra të formimit profesional, 2 në Tiranë dhe 8 nëpër rrethe që operojnë falas. Qëndrat janë me kapacitet të plotë, janë 14 mijë individë që përfitojnë nga ky formim".

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social