Avokati Plarent Ndreca i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë me një memorandum, përmes të cilit kërkon një reagim institucional ndaj praktikave gjyqësore që, sipas tij, cenojnë pavarësinë e profesionit të avokatit, barazinë e armëve dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.

Në dokument, Ndreca argumenton se problematika nuk lidhet me një rast individual apo me masën e gjobës së vendosur ndaj tij, por me standardin që, sipas tij, po krijohet në praktikën gjyqësore, veçanërisht në Gjykatën e Posaçme, dhe pasojat që ai prodhon mbi ushtrimin e mbrojtjes dhe të drejtat e të pandehurve.

Në memorandum analizohen, ndër të tjera, ndikimi i këtyre praktikave mbi pavarësinë e ushtrimit të profesionit të avokatit, krijimi i një hierarkie de facto ndërmjet Gjykatës së Posaçme dhe gjykatave të tjera, si edhe pasojat që mungesa e ligjshme e mbrojtësit mund të prodhojë mbi të drejtat procedurale dhe lirinë personale të të pandehurve.

Më poshtë, memorandumi i plotë.

I nderuar Kryetar Haxhia, Të nderuar kolegë, anëtarë të organeve drejtuese të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë,

Historia e shtetit të së drejtës ka provuar se ai është aq i fortë sa është liria e qytetarit dhe pavarësia e avokatit për ti mbrojtur ata.

1. Ju drejtohem me këtë memorandum sepse besoj se ka ardhur momenti që profesioni i avokatit të reagojë institucionalisht. Nuk është në diskutim gjoba ndaj një avokati të caktuar. Nuk është në diskutim as një vendim gjyqësor i vetëm. Në diskutim është standardi që po krijohet në marrëdhënien ndërmjet gjykatës dhe mbrojtjes. Kur avokati trajtohet si subjekt që duhet administruar, disiplinuar apo vënë nën presion procedural, nuk dobësohet vetëm imazhi dhe reputacioni i profesionit, por një nga garancitë themelore të procesit të rregullt ligjor.

2. Për këtë arsye, kjo shkresë nuk është një reagim ndaj një rasti individual. Ajo është një thirrje që Dhoma Kombëtare e Avokatisë të marrë një qëndrim të qartë për kufijtë brenda të cilëve pushteti gjyqësor mund të administrojë procesin, pa cenuar pavarësinë e profesionit të avokatit dhe pa krijuar, përmes praktikës gjyqësore, detyrime apo pasoja që ligji nuk i njeh.

3. Rasti im në gjykimin e procedimit penal nr. 27/2024, në ngarkim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, shërben vetëm si një rast ilustrues që e bën të dukshëm këtë problem. Në atë rast, pamundësia ime për të marrë pjesë në seancë ka ardhur nga një konflikt objektiv orari me një proces tjetër gjyqësor, të caktuar më parë dhe në zhvillim prej një periudhe të gjatë. Gjykata është njoftuar me shkrim përpara zhvillimit të seancës dhe njoftimit i janë bashkëlidhur provat që dokumentonin angazhimin tjetër gjyqësor. Megjithatë, sipas sa më është bërë me dije nga kolegët e pranishëm në sallë, ndaj meje është vendosur gjobë me arsyetimin se konflikti duhej të ishte njoftuar që në seancën paraardhëse.

4. Për këtë arsye, kjo shkresë nuk përbën ankim ndaj masës së gjobës së vendosur ndaj meje dhe as synon të zëvendësojë mjetet procedurale që ligji parashikon për kundërshtimin e saj. Objekti i saj është të kërkojë angazhimin institucional të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë përballë një standardi gjyqësor që, përtej një rasti konkret, prek pavarësinë e profesionit të avokatit, barazinë e armëve dhe ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes. Problemi nuk qëndron te masa e vendosur në një rast të veçantë, por te praktika që ajo pasqyron dhe pasojat që kjo praktikë prodhon jo vetëm mbi statusin dhe funksionin e mbrojtësit, por edhe mbi të drejtat procedurale dhe lirinë personale të të pandehurve.

5. Problemi themelor nuk është masa e vendosur në një rast të caktuar, por standardi që krijohet kur gjykata nxjerr nga ligji një detyrim procedural që ai nuk e parashikon. Në praktikë, avokatit i kërkohet të deklarojë paraprakisht çdo konflikt të mundshëm të kalendarit profesional dhe mosrespektimi i këtij detyrimi të pakodifikuar përdoret më pas si bazë për ta cilësuar sjelljen e tij abuzive dhe për ta sanksionuar administrativisht. Një standard i tillë nuk gjen mbështetje në asnjë dispozitë ligjore dhe nuk mund të krijohet përmes praktikës gjyqësore. Në një shtet të së drejtës, detyrimet procedurale dhe pasojat e mosrespektimit të tyre duhet të jenë të përcaktuara qartë me ligj, të parashikueshme për subjektet dhe jo rezultat i interpretimeve rast pas rasti të gjykatës. Aq më tepër kur vetë gjykata cakton seancat pa praninë e avokatëve dhe pa verifikuar disponueshmërinë e tyre. Në këto kushte, nuk mund të transferohet mbi avokatin përgjegjësia për një konflikt kalendari që ai nuk e ka krijuar dhe as mund ta parandalojë. I njëjti angazhim profesional që në një proces përbën shkak legjitim për shtyrjen e seancës, nuk mund të trajtohet në një proces tjetër si sjellje e dënueshme e mbrojtësit.

6. Avokati ka detyrimin të njoftojë dhe të provojë pamundësinë objektive sapo ajo lind ose bëhet e njohur. Por ai nuk mund të detyrohet të raportojë paraprakisht kalendarin e tij profesional dhe as të sanksionohet për konflikte objektive të krijuara nga mbivendosja e seancave. Një interpretim i tillë transferon mbi avokatin barrën e administrimit të kalendarit gjyqësor dhe cenon pavarësinë e profesionit. Ligji nr. 55/2018 e njeh avokatinë si profesion të lirë, të pavarur dhe autonom, në funksion të interesit të klientit. Për rrjedhojë, kompetenca e gjykatës për të administruar procesin nuk mund të shtrihet deri në administrimin e veprimtarisë profesionale të avokatit. Pavarësia e avokatit nuk është privilegj profesional. Është garanci kushtetuese që qytetari të ketë një mbrojtje të lirë nga çdo formë presioni institucional.

7. Kjo qasje mbështetet edhe nga Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit (CETS nr. 226), e nënshkruar edhe nga Republika e Shqipërisë. Edhe pse ende nuk ka hyrë në fuqi për Shqipërinë, nënshkrimi i saj përbën një orientim të rëndësishëm për standardin që shteti është thirrur të respektojë. Konventa garanton ushtrimin e pavarur të profesionit të avokatit, njeh rolin e organizatave profesionale në mbrojtjen e kësaj pavarësie dhe kërkon që çdo kufizim ndaj ushtrimit të profesionit të jetë i parashikuar me ligj dhe i domosdoshëm në një shoqëri demokratike.

8. Problemi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet mënyra se si gjykatat trajtojnë mungesën e mbrojtësit me atë të përfaqësuesit të akuzës. Ndaj avokatit, edhe një pamundësi objektive e njoftuar dhe e dokumentuar mund të shoqërohet me gjobë dhe pasoja procedurale. Ndërkohë, mungesa e prokurorit zakonisht justifikohet me deklarimin e angazhimeve të tij funksionale, pa të njëjtin praktikë dokumentimi dhe pa pasoja të krahasueshme. Ky nuk është thjesht një trajtim i ndryshëm administrativ, por një qasje e dyfishtë që e vendos mbrojtjen në pozitë më të pafavorshme se akuza, në kundërshtim me parimin e barazisë së armëve.

9. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e konsideron barazinë e armëve si element thelbësor të procesit të rregullt sipas nenit 6 të Konventës. Sipas këtij rregjimi procedurial, asnjëra palë nuk mund të vendoset në një pozitë proceduralisht më të pafavorshme se pala kundërshtare. Për rrjedhojë, mbrojtja nuk mund t'i nënshtrohet detyrimeve, barre prove ose 2 pasojave procedurale më të rënda se ato që zbatohen ndaj akuzës. (Bulut kundër Austrisë, 22 shkurt 1996; Borgers kundër Belgjikës, 30 tetor 1991; Foucher kundër Francës, 18 mars 1997.)

10. Në një proces penal, mbrojtja duhet të ketë mundësi reale për të ushtruar funksionin e saj, pa u vendosur në disavantazh procedural ndaj akuzës. Për këtë arsye, çdo masë gjobe ndaj avokatit duhet të mbështetet në një sjellje realisht abuzive dhe të respektojë garancitë minimale të procesit të rregullt: verifikimin efektiv të shkakut të mungesës, dëgjimin e avokatit, arsyetimin konkret të vendimit dhe proporcionalitetin e masës. Këto garanci bëhen edhe më të domosdoshme kur sjellja procedurale e mbrojtësit përdoret për të prodhuar pasoja mbi lirinë personale të të pandehurit.

11. Një pasojë edhe më e rëndë se gjoba ndaj avokatit shfaqet në interpretimin e nenit 265 të Kodit të Procedurës Penale për pezullimin e afateve të paraburgimit. Dispozita e lidh këtë pasojë vetëm me sjelljen e të pandehurit ose të mbrojtësit të tij dhe kërkon një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkakut të shtyrjes dhe subjektit ndaj të cilit prodhohet pasoja. Megjithatë, në praktikë kjo lidhje shkakësore shkëputet dhe pezullimi shtrihet edhe ndaj bashkëpandehurve që nuk kanë shkaktuar shtyrjen, nuk kanë mbetur pa mbrojtje dhe nuk kanë kryer asnjë veprim pengues. Në këtë mënyrë, një dispozitë që synon të parandalojë abuzimin procedural shndërrohet në mekanizëm për zgjatjen e kufizimit të lirisë së personave që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shkakun e shtyrjes. Një interpretim i tillë bie ndesh me parimin e përgjegjësisë individuale, ligjshmërinë, sigurinë juridike, proporcionalitetin dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.

12. Ky interpretim bie ndesh me vetë tekstin dhe qëllimin e nenit 265. Dispozita parashikon një pasojë individuale, ndërsa praktika e shndërron atë në pasojë kolektive, duke rënduar pozitën edhe të të pandehurve që nuk kanë shkaktuar shtyrjen, nuk kanë mbetur pa mbrojtje dhe nuk kanë kryer asnjë veprim pengues. Bashkëgjykimi nuk shkrin pozitat procedurale të të pandehurve dhe as nuk justifikon transferimin e pasojave nga sjellja e një mbrojtësi ose të pandehuri te subjekte të tjera procedurale. Në të kundërt, pezullimi i afateve të paraburgimit humbet funksionin e tij si instrument kundër abuzimit procedural dhe shndërrohet në mekanizëm të zgjatjes së kufizimit të lirisë së personave që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shkakun e shtyrjes. Një interpretim i tillë cenon parimin e përgjegjësisë individuale, interpretimin e ngushtë të normave që kufizojnë lirinë personale, sigurinë juridike dhe procesin e rregullt ligjor.

13. Një problem tjetër që evidentohet në praktikën e Gjykatës së Posaçme (posaçërisht) është krijimi de facto i një hierarkie ndërmjet saj dhe gjykatave të tjera, pa asnjë bazë ligjore. Në rastet e mbivendosjes së seancave, krijohet pritshmëria që angazhimi në këtë gjykatë të ketë përparësi automatike ndaj çdo procesi tjetër gjyqësor. Një model i tillë cenon autonominë profesionale të avokatit, të cilit ligji i njeh të drejtën dhe përgjegjësinë për të organizuar ushtrimin e mbrojtjes sipas interesit të klientit. Kompetenca e një gjykate nuk e autorizon atë të imponojë një rend prioritetesh ndërmjet proceseve gjyqësore dhe as të prezumojë se çështjet që shqyrton janë, për vetë natyrën e saj, më të rëndësishme se ato të gjykatave të tjera. Kompetenca nuk krijon epërsi institucionale. Ajo përcakton vetëm juridiksionin.

14. Një reagim institucional i Dhomës nuk nënkupton mbrojtjen e sjelljeve abuzive dhe as kufizimin e kompetencës së gjykatës për të administruar procesin. Ai nënkupton afirmimin e një standardi të qartë: avokati përgjigjet vetëm për sjellje realisht të pajustifikuara; gjykata nuk mund të krijojë detyrime apo pasoja procedurale pa bazë ligjore; ndërsa çdo masë që prek mbrojtësin ose të pandehurin duhet të jetë e individualizuar, e arsyetuar dhe proporcionale. Në të kundërt kthehet në instrument sulmi, nënshtrimi dhe cënimi të pavarësisë së profesionit. Një shtet i së drejtës nuk mund të pranojë standarde të ndryshme për akuzën dhe mbrojtjen, as transferimin e pasojave procedurale nga një subjekt te një tjetër.

Për këto arsye, i kërkoj Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë të trajtojë këtë problematikë si një çështje institucionale që prek pavarësinë e profesionit të avokatit, barazinë e armëve dhe 3 standardet e procesit të rregullt ligjor.

-Të miratojë dhe të bëjë publik një qëndrim institucional sipas të cilit konflikti objektiv i kalendarit gjyqësor, i njoftuar dhe i provuar në kohë të arsyeshme, nuk mund të trajtohet si sjellje abuzive apo si shkak për sanksionimin automatik të avokatit.

-Të adresojë pranë KLGJ-së dhe ILD-së rastet kur ndaj mbrojtësve vendosen masa disproporcionale ose pa garancitë minimale të procesit të rregullt.

-Të nxisë krijimin e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi institucional me KLGJ-në, KLP-në, ILD, Ministrinë e Drejtësisë për standardizimin e praktikave që lidhen me ushtrimin e profesionit të avokatit dhe garantimin e proceseve të rregullta ligjore.

Këto janë vetëm disa nga problematikat që, sipas vlerësimit tim, kërkojnë një reflektim institucional mbi mënyrën se si ushtrohet profesioni i avokatit në Shqipëri. Në thelb, ato nuk lidhen vetëm me statusin e avokatit, por me kulturën kushtetuese të institucioneve tona në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Pavarësia e profesionit të avokatit është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij respekti: sa më i lartë të jetë respekti për Kushtetutën dhe të drejtat themelore, aq më i madh është respekti për rolin e avokatit si një nga garancitë themelore të shtetit të së drejtës.

Sigurisht, problematikat e trajtuara në këtë shkresë nuk i shterojnë shqetësimet që lidhen me ushtrimin e profesionit. Praktika gjyqësore ka njohur edhe situata të tjera shqetësuese, të cilat kulmuan deri në arrestimin e një avokati gjatë ushtrimit të detyrës në Elbasan, rast ndaj të cilit Dhoma e Avokatisë reagoi me të drejtë dhe me vendosmëri, por që akoma nuk ka përgjegjësi institucionale. Ky reagim dëshmoi se profesioni ynë di të bashkohet kur cenohet një nga garancitë themelore të mbrojtjes.

Ndaj, besoj se Dhoma e Avokatisë duhet të vijojë me të njëjtën vendosmëri të ushtrojë rolin e saj si zëri institucional i pavarur i profesionit. Në një sistem ku institucionet shpesh ndikohen nga dinamika korporatiste, interesa të ndryshme apo polarizimi politik, avokatia ka detyrimin të mbetet zëri i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ky rol nuk duhet të kufizohet në reagime ndaj rasteve individuale, por duhet të materializohet në një partneritet të përhershëm institucional me aktorët e tjerë të sistemit, me qëllim përmirësimin e standardeve të drejtësisë dhe garantimin e rolit të avokatit në procesin e politikëbërjes në fushën e drejtësisë.

Natyrisht ky nuk është një debat mbi autoritetin e gjykatës. Është një debat për kufijtë e ushtrimit të tij në një shtet të së drejtës. Autoriteti i gjykatës nuk forcohet duke kufizuar pavarësinë e mbrojtjes, por duke e garantuar atë. Sa më i lirë dhe i pavarur të jetë avokati në ushtrimin e funksionit të tij, aq më e besueshme bëhet drejtësia në sytë e qytetarëve. E ky besoj është një mision që na e imponon profesioni, për ta përmbushur sëbashku. 

Për të parë dokumentin e plote kliko këtu