Pr.buxheti 2025, Manja: Do të mbyllen burgjet e trashëguara nga komunizmi, paraburgim i ri në Kukës! Edhe sisteme antidron

Pr.buxheti 2025, Manja: Do të mbyllen burgjet e trashëguara nga komunizmi, paraburgim i ri në Kukës! Edhe sisteme antidron

Ministri Ulsi Manja në Komisionin e Ligjeve

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në Komisionin e Ligjeve ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2025, i cili për këtë institucion është 14.3 miliardë lekë. Gjatë fjalës së tij Manja tha se Ministria e Drejtësisë do të realizojë misionin e saj përmes 9 programeve buxhetore dhe peshën më të madhe, me gati 56% të buxhetit e zë programi i Burgjeve.

Duke u ndalur tek programi për Burgjet, ministri Manja tha se shumë shpejt do të ndërtohet një paraburgim i ri në Kukës. Manja tha se burgjet e trashëguara nga komunizmi do të mbyllen.

“Fondet janë marrë me Aktin Normativ të nëntorit dhe sot që flasim për paraburgimin e Kukësit, çështje orësh që Drejtoria e Burgjeve do ta hedhë në sistem për t’iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik. Paraburgimi i ri në Kukës do të ofrojë kushte shumë të mira, do t’i shërbejë jo vetëm zonës, por edhe për Kosovën. Me ndërtimin e paraburgimit të Kukësit dhe njësisë së të dënuarve, do të krijohet mundësia që të dënuarit ta vuajnë dënimin edhe në Kukës. Do t’i ofrojmë mundësinë në përputhje me ligjin ta vuajnë dënimin afër shtëpive”- tha ministri Manja.

Manja bëri me dije se gjatë vitit 2025, pritet edhe instalimi i sistemeve antidronë në disa nga burgjet e sigurisë së lartë në vend.

“Sistemi antidronë, ka qenë mbi tavanët buxhetore. Do të instalohet sistemi antidronë në burgjet e sigurisë së lartë, burgu 303, burgu i Peqinit, Shkodra, Korça, Burreli dhe Fushë-Kruja. Është i domosdoshëm sistemi antidron”- tha Manja.

Ministri Manja ceku edhe përmirësimin e sistemit përmbarimor në vend.

“Ne duhet të kemi një sistem të shërbimit përmbarimor qoftë privat, qoftë publik, llogaridhënës. Mendojmë se shumë nga problematikat do të marrin zgjidhje, i jep mundësi Ministrisë së Drejtësisë që të forcojë mekanizmat e kontrollit dhe shërbimit përmbarimor”- u shpreh Manja.

Manja nënvizoi me tej se në investimet kapitale do të përfshijnë edhe institucionin e Mjekësisë ligjore.

“Do të kemi dhe një laborator dhe një mort modern”- tha Manja.

Manja bëri me dije se do të ndërtohet edhe Instituti i ri i të Miturve në Tiranë, për të cilin tha se është i pari në llojin e vet në rajon.

“Presim fillimin e punimeve është lidhur edhe kontrata. Shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i institutit të të miturve”- tha Manja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Diskutime të forta te Ligjet, Bardhi: ‘Prokurori i Përgjithshëm injoroi Kuvendin, pse nuk vjen të mbrojë Buxhetin?!’ Bushka: Ka angazhime të tjera

Po diskutohet sot te Komisioni i Ligjeve edhe Buxheti i vitit 2025 për organet ligjzbatuese, përfshi edhe Prokurorinë.

Pikërisht kjo e fundit u bë temë debati mes opozitës dhe mazhorancës, pak pasi raportoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, që ka nën administrim edhe Burgjet.

Debati u fokusua te buxheti i Prokurorisë së Përgjithshme, ku ra në sy mungesa e kreut të saj, Olsian Çela.

Kaq mjaftoi që PD të kërkonte llogari për mosprezencën e tij dhe të ngrinte dyshime. Ishte pikërisht kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që u shpreh se ata kishin kërkuar për raportim të buxhetit kryeprokurorin dhe jo përfaqësues zëvendësues të institucionit. Kryetarja Klotilda Bushka shpjegoi se Çela kishte angazhime të tjera dhe në këto raste kjo është praktika, ku zëvendësohet me një tjetër. Bardhi kritikoi se kryeprokurori duhet ta mbrojë vetë buxhetin dhe jo të dërgojë përfaqësues.

Debatet te Ligjet për buxhetin e Prokurorisë:

Gazment Bardhi: Pse nuk vjen personalisht Prokurori i Përgjithshëm, për çfarë nuk vjen. Ka ndonjë arsye specifike. Pse nuk është prezent si drejtues në komisioni. Për SPAK e dimë që është në detyrë jashtë vendi, po Prokurori i Përgjithshëm pse e injoron Kuvendin, kur është i emëruar nga Kuvendi.

Klotilda Bushka: Ka paraqitur kërkesë për shkak të angazhimeve. Ka kërkuar zëvendësim. Ne e kemi këtë praktikë.

Gazment Bardhi: Kemi kërkuar prokurorin, pse s’vjen të mbrojë buxhetin, kaq punë ka ky Prokurori i Përgjithshëm!

Ora 12:14
Manja: Do të mbyllim burgjet e trashëguara nga koha e komunizmit

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në Komisionin e Ligjeve tha se burgjet e trashëguara nga komunizmi do të mbyllen.

Manja tha se janë struktura të amortizuara dhe se kushtojnë në mirëmbajtje. Ministri bëri me dije se në perspektivë, do të mbyllet Tepelena, Burreli, edhe 302-shi tek “Mine Peza”.

“Kemi mbyllur institucione të vuajtjes së dënimit dhe do t’i vazhdojmë në perspektivë t’i mbyllim të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit që kemi trashëguar nga koha e komunizmit.

Në perspektivë, sepse kanë një masterplan burgjet, do të mbyllet Tepelena, do të mbyllet Burreli, do të mbyllet edhe 302 tek Mine Peza. Janë institucione të vuajtjes së dënimit të trashëguara nga koha e komunizmit. Janë struktura të amortizuara që neve na kushtojnë mirëmbajtje. Nuk po hapim institucione të reja. Kukësi zëvendëson atë të trashëguar nga sistemi që kishim, por e transformojmë në një institucion të ri modern, për t’i shërbyer zonës, sistemit, por edhe Kosovës”- tha Manja.

Duke u ndalur tek Instituti i të miturve, Manja tha se do të jetë modern.

“Sigurisht që do të hapet, kur të mbyllet institucioni i vuajtjes së dënimit për të miturit në Kavajë. Mbyllje e strukturave të vjetra dhe ofrimi i shërbimit në struktura të reja. Për punësimin në burgje, nuk kemi pasur probleme, kemi zbatuar kuadrin ligjor. Kemi bërë tentativa për t’i punësuar në sektorin privat, kërkesa kemi patur, por ende s’kemi bërë të mundur bashkëpunimin mes sistemit të burgjeve dhe atyre privat”- u shpreh Manja. 

SI.E./A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    6 Nëntor, 09:49

    Fiton Trump, mendoni se do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Nuk ndalet moti i keq në Spanjë, momenti kur uji merr para dhjetëra makina (VIDEO)

Nuk ndalet moti i keq në Spanjë, momenti kur uji merr para dhjetëra makina (VIDEO)