Drejtuesja e departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula akuzon qeverinë se nuk ka prioritet arsimin, por ajo zgjedh të financojë oligarkët dhe klientët e saj. Në një deklaratë nga selia blu, Sula tha se buxheti për arsimin dhe shkencën në 2.53% të PBB-së, nuk përputhet me rëndësinë strategjike të sektorit dhe as me zgjidhjen e krizës së sistemit parauniversital dhe të lartë.
“Buxheti për arsimin dhe shkencën, që u paraqit nga qeveria, tregon atë ç’ka ka njoftuar Partia Demokratike disa herë, se arsimi parauniversitar, arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, nuk konsiderohen prioritete të zhvillimit të vendit. Ndërmjet financimit të arsimit dhe edukimit dhe financimit të koncesioneve të oligarkëve, qeveria zgjedh të financojë oligarkët dhe klientët e saj. Buxheti për arsimin dhe shkencën në 2.53% të PBB-së, nuk përputhet as me rëndësinë strategjike të sektorit, as me nevojat urgjente të adresuara nga institucionet ndërkombëtare, as me ndalimin dhe zgjidhjen e krizës së sistemit parauniversitar dhe të lartë”, tha Sula.
Sipas saj, qeveria shqiptare e financon arsimin 10 herë më pak se vendet e OECD dhe BE, duke shtuar se Rama nuk e ka objektiv të nxjerrë arsimin nga gremina.
“Është e qartë se me financimin prej 2,5 % të PPB, gati 10 herë më të ulët se vendet e OECD dhe BE, qeveria nuk ka asnjë objektiv për ta nxjerrë arsimin nga gremina e të ndërmarrë reforma reale që e afrojnë me standardet europiane. Prej 13 vitesh kryeministri Rama mashtron shqiptarët për buxhetim 5% të PBB të arsimit dhe shkencës dhe sot ende nuk jemi në vlerën e buxhetimit të qeverisjes se Partisë Demokratike. Prej 13 vitesh rinia emigron për të studiuar e punuar jashtë vendit, duke i lënë bosh auditorët – qeveria mbyll sytë para plagës kombëtare të shpopullimit. Në buxhetin 2026 nuk ka asnjë plan e zë për të kthyer të rinjtë në atdhe”, vijoi Sula.
Në pr.buxhetin 2026 është parashikuar që 648 mln euro të shkojnë për arsimin.
Komente












