Juventusi u eliminua nga Empoli në Kupën e Italisë gjatë fazës çerekfinale. Barazimi 1-1 gjatë kohës së rregull nuk mjaftoi për bardhezinjtë, që gabuan nga 11 metërshat dhe e shohin veten jashtë këtij turneu.
Pas ndeshjes për Mediaset trajneri Thiago Motta tha se ndihet i turpëruar nga loja e të tijve, duke mos u kursyer me fjalët për lojtarët.
‘’Çfarë lë pas një mbrëmje e tillë?

Turp. Bëmë një pjesë të parë… ndjej turp për atë që pamë në pjesën e parë dhe shpresoj që edhe lojtarët e mi të ndiejnë të njëjtën gjë, sepse mund të gabojmë gjithçka, por jo këtë qasje. Qasja në pjesën e parë ishte e turpshme; është faji im, është faji im sepse nuk arrita t’u bëj të qartë lojtarëve të mi rëndësinë e kësaj ndeshjeje, rëndësinë e të veshurit këtë fanellë si ajo e Juventusit. Dhe për këtë arsye nuk jemi në gjysmëfinale, sepse nuk e kemi merituar në fushë të shkojmë në gjysmëfinale.
A keni frikë se kjo mund të ketë edhe ndonjë pasojë në nivel mendor?
Jo, shpresoj që kritikat të jenë vërtet të forta. Mendoj se sot publiku ynë ka qenë edhe shumë i sjellshëm me ne, sepse për atë që pamë në pjesën e parë, ata ishin shumë të sjellshëm. Dhe sigurisht që shpresoj në një reagim të menjëhershëm nga këta lojtarë, sepse ndiej turp për atë që pashë sot në fushë nga skuadra ime, veçanërisht në pjesën e parë. Është një përgjegjësi shumë e madhe e imja, sepse gabova duke mos u bërë të kuptojnë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe mbi të gjitha rëndësinë e të luajturit një ndeshje të tillë me fanellën e Juventusit.
Cilat janë vështirësitë që po has në përpjekjen për t’u ngulitur mentalitetin e duhur?
Sigurisht që sot pamë se luajtëm kundër një Empoli që madje kishte pushuar disa nga lojtarët e tij titullarë. Të flasësh për mentalitet në këtë moment do të thotë të kuptosh ku je, të kuptosh çfarë duhet të bësh, të kuptosh që duhet ta meritosh çdo ditë të jesh këtu dhe jo të pretendosh gjëra pa dhënë asgjë në këmbim. Treguam të gjithë se nuk mund të pretendojmë asgjë, sepse në fushë nuk dhamë asgjë. Përkundrazi, bëmë një gabim të vetëm që nuk mund të bëhet në këtë klub; qasjen.
E kishim krejtësisht të gabuar. Në pjesën e parë luajtëm me portierin të paktën 20 herë, pa marrë përgjegjësi, pa e çuar topin përpara, duke e humbur atë dhe pastaj ndaluar, duke parë poshtë sikur përgjegjësia të mos ishte e imja. Kjo është e papranueshme. Duhet të kërkojmë falje para tifozëve tanë, klubit, historisë së këtij klubi, sepse sot e kemi prekur fundin, fundin.
A besoni ende në këtë skuadër apo duhet të ndryshojnë shumë gjëra?
Besoj në aspektin teknik, sepse kemi lojtarë me cilësi, por kjo pothuajse gjithmonë nuk mjafton. Duhet edhe diçka tjetër. Qasja është gjëja kryesore, që kur kam ardhur këtu. Nuk është e negociueshme. Prandaj ndiej turp. Nuk do ta pranoj kurrë këtë sjellje në fushë, por faji është i imi që nuk i kam bërë të kuptojnë rëndësinë e të luajturit një ndeshje të tillë me fanellën e Juventusit.
Nga çfarë duhet të nisni sërish?
Që nga gjëja më bazike e futbollit dhe e jetës, që është qasja. Gjërat duhen merituar dhe jo pretenduar, kjo është ajo që më bën të ndihem i turpëruar nga skuadra ime. Duhet të fillojmë nga aty: të punojmë për njëri-tjetrin, duke respektuar historinë e këtij klubi për të konkurruar si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Sot treguam të kundërtën, veçanërisht në pjesën e parë. Qasja ishte krejtësisht e gabuar’’, tha trajneri i Juventusit.
S.Dh/Shqiptarja.comKomente

