Në mesazhin tradicional të Krishtlindjes, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u përqendrua te shpresa, komuniteti dhe përgjegjësia në kohë krizash globale.

Ai tha se Krishtlindja është jo vetëm festë, por edhe simbol i shpresës, i një “drite që shkëlqen në errësirë". Sipas Steinmeier-it errësira mund të kuptohet si në planin personal sëmundje, humbje, vetmi, frikë nga e ardhmja por edhe në atë shoqëror, si luftërat dhe krizat ndërkombëtare. Pikërisht në këto kohë të errëta, tha ai, solidariteti dhe angazhimi qytetar janë burim shprese.

Duke u nisur nga sfidat me të cilat përballet kontinenti, ai bëri thirrje për solidaritet evropian: “Së bashku, të bëhemi sërish të vetëdijshëm për forcën dhe vlerat tona dhe të veprojmë në përputhje me to.”

Solidariteti nuk mbaron te kufijtë kombëtarë

Ai theksoi se solidariteti nuk ndalet te kufijtë kombëtarë, duke iu referuar drejtpërdrejt Ukrainës. Steinmeier nënvizoi se vlerat themelore evropiane, kundër të cilave po lufton Rusia në Ukrainë, janë të panegociueshme: “Në shekuj të gjatë kemi mësuar sa të rëndësishme, madje të domosdoshme janë liria dhe dinjiteti njerëzor, paqja e drejtë dhe vetëvendosja demokratike”, tha Presidenti. “Ne nuk heqim dorë nga këto – as për veten tonë, as për partnerët dhe miqtë tanë.”

Steinmeier e përmbylli fjalën e tij tradicionale me thirrje për veprim: “Na duhet guxim për të filluar gjithmonë nga e para.”  "Na duhet guxim për gjërat e mëdha që i vendosim si shoqëri – dhe për gjërat e vogla, ku secili prej nesh jep më të mirën.”/DW