Prej kohës është diskutuar për zgjedhjen e një presidenti nga populli, por kjo nuk do të jetë e mundur nëse nuk ndryshon Kushtetuta. Në një kohë që u publikuan rezultatet e Këshillimit Kombëtar, Rama u pyet nëse në këshillimet e tjera mund të futet edhe pyetja nëse Presidenti duhet të zgjidhjet nga populli.

Teksa bëri të qartë se ai është kundër zgjedhjes së presidenti nga populli në një republike parlamentare si e jona, Rama tha se nëse kjo kërkohet atëherë nuk mund të behet përmes një këshilli kombëtar pasi nuk është vendimmarrje e qeverisë, por kërkon ndryshime kushtetuese.

Rama tha se presidenti në republikën tonë nuk ka pushtet dhe nëse do të duhej të zgjidhje nga populli atëherë duhet që posti i tij të kishte një rol më të madh.

 “Unë jam kundër zgjedhjes së një presidenti nga populli në një republikë si  e jona. Nuk është në natyrën e republikës tonë, nëse do të zgjidhen atë nga populli do  të duhet ti jepnin më shumë pushtët, të zgjedhim nga populli një presidenti që nuk ka pushtet. Tani të gjithëve u është ngatërruar roli i presidenti pasi kemi pasur një fatkeqësi natyrore për disa vjet në atë godinën, por roli i presidentit në këtë republikë që kemi ne është i tillë që e bën të pakuptueshme. Nëse do i jepnin më shumë fuqi patjetër që do të ishte e mundur dhe gjëja e duhur për të bërë. Unë jam kundër për të  për të parën, por jam i hapur për të dytën nëse duan njerëzit  kjo kërkon ndryshime kushtetuese dhe shkon përtej vendimmarrjes së qeverisë tonë, kërkon 94 vota që nuk i kemi”, tha Rama.

Rama përsëriti se dëshira e tij është që për zgjedhjen e Presidenti të ri të konsultohet me opozitën që e konsideron si “copë e çikë”, por është i prerë se kjo nuk ka për të ndodhur me ‘të vdekurit’ duke nënkuptuar Sali Berishën, i cili bën kryetarin ‘nën zë’ të PD.

“Ne do të bëjmë përpjekje që të komunikojmë me të gjitha copat dhe çikat e mundshme për të komunikuar, se jo me çdo copë e çikë do të komunikojnë. Do komunikojmë me të gjitha copat dhe cikat që përfaqësojnë të gjallët. Se ka disa që edhe nuk mund të komunikojmë” tha Rama.

Pak ditë më parë Partia Socialiste e shprehu qartë qëndrimin e saj, për zgjedhjen e president të ri nuk do të ketë asnjë negociatë me Sali Berishën dhe se i ka edhe e vetme numrat për të zgjedhur Presidentin e Republikës, por që dëshira e saj është të diskutojë me opozitën për të gjetur një emër konsensual.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nis procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës. Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual. PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.