Në një moment të tensionuar për Real Madridin, presidenti Florentino Perez (79 vjeç) doli publikisht të martën për të sqaruar të ardhmen e tij dhe situatën brenda klubit, duke mohuar kategorikisht çdo mundësi dorëheqjeje.

Konferenca për shtyp erdhi pas një periudhe të vështirë për 'Galaktikët', e shënjuar nga humbja e titullit në La Liga përballë Barcelonës në 'El Clasico', si dhe eliminimi i hershëm nga Champions League.

Duke iu përgjigjur spekulimeve, Perez ishte i drejtpërdrejtë kur tha se nuk kishte ndërmend të dorëhiqej dhe se do të kërkonte një mandat të ri.

“Ju falenderoj që jeni këtu, por më vjen keq t’ju them se nuk do të jap dorëheqjen. Kam kërkuar që të nisë procesi zgjedhor dhe do të kandidojmë sërish me bordin aktual”, tha ai.

Presidenti madrilen foli edhe për klimën e tensionuar rreth klubit, duke e cilësuar situatën si të padrejtë dhe të nxitur nga kritika të ekzagjeruara. Ai hodhi poshtë gjithashtu zërat për probleme shëndetësore.

“Thonë se jam i sëmurë, madje se kam kancer. Nuk është e vërtetë. Shëndeti im është perfekt dhe këto janë thashetheme të pabaza. Ka sektorë që duan të kontrollojnë Real Madridin, por nuk ia kanë dalë. Njerëzit nuk u besojnë atyre, më besojnë mua”, tha ai.

Në fund, ai rikujtoi sukseset gjatë presidencës së tij, duke theksuar dominimin e klubit në futboll dhe basketboll.

“Me mua si president kemi fituar 37 tituj në futboll dhe 29 në basketboll. Unë jam i pari që dua të fitoj gjithçka dhe do të vazhdoj të mbroj interesat e klubit", tha mes të tjerash numri një i klubit.

Perez njoftoi se Real Madridi po përgatit një dosje voluminoze për rastin 'Negreira' për ta dërguar në UEFA.

“Tre vjet më parë mësuam se po përballeshim me një rast korrupsioni si rasti “Negreira”, i cili është skandali më i madh në histori. Është e pakuptueshme që ende shohim gjyqtarë nga ajo epokë në ligën tonë. Po përpilojmë një dosje të konsiderueshme që do t’ia paraqesim menjëherë UEFA-s. Po përgatisim një dosje prej 600 faqesh.

Nuk ka precedent për këtë në futbollin botëror. Presidenti i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve thotë se duhet ta harrojmë. Por si mund ta harrojmë? Ne fituam çështjen e Superligës, fituam në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian dhe shkuam në UEFA për të thënë se do të negociojmë.

Për shembull, futboll falas, në mënyrë që fëmijët në Afrikë të mund të shikojnë futboll falas. Dhe kjo nuk është për të mirën e Real Madridit, është për të mirën e futbollit“, u shpreh Perez.

Çështja 'Negreira' është një hetim për korrupsion sportiv që përfshin klubin e Barcelonës dhe Jose Maria Enriquez Negreira, një ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Spanjë. Dyshohet se ai ka favorizuar Barçën.