Presidenti, vetëm konsensual?

Presidenti, vetëm konsensual?
Presidentin e duam konsensual, kanë thënë vendas e të huaj. Opozita kërkon konsensus me pozitën që emri të jetë gjithëpërfshirës. Pozita thotë se e ka gjetur konsensualin, duke llogaritur ato 71 vota që ka për ta votuar në raundin e katërt. Dhe nuk është çudi tia arrijë, sepse kur ia arriti me 84 vota në 2007, pse të mos ia arrijë tani, kur falë marrëveshjes Berisha-Rama për ndryshimet kushtetuese në prill 2008, kreu i shtetit zgjidhet me vetëm 70 plus 1 deputet. Për shumëkënd që njeh takatin e kryeministrit Berisha për të bërë gjërat sipas mënyrës së vet dhe pafuqinë e Ramës për t’i mbrojtur, po sipas mënyrës së vet, ky është muhabet i mbyllur dhe hajt e gëzofshin konsensualin mes pozitës. Por a mjafton vetëm konsensual? Askush nuk ka dëshirë që të 􀃀 asë “përtej të majtës dhe të djathtës” për kandidatin për presidentin. Kush do jetë ai që do kemi për të paktën 5 vite në krye të shtetit, çfarë njeriu është, veset, të metat dhe pluset, virtytet dhe vlerat e shtuara krahasuar me pararendësin në presidencë. Kush ka thënë se çfarë do të ndodhë nëse presidenca bie në duart e atyre që sot janë përfolur, do të kishim një president mbi palët apo një president mbi re? P.sh. i vetëshpalluri Fatos Nano. Ky liberal i pashoq që dorëzon kryeministrinë me protokoll, që udhëheq me laps në dorë duke shpërndarë përgjegjësirat te vartësit. Çfarë presidenti do të ishte ky? Pa shtirë fall, e kemi parë se çfarë kryeministri ishte. Mandatin e fundit e nisi si dhëndërr i ri fringo, por mbeti u ngujuar ruletave dhe as kokën nuk denjonte të kthente për të parë se kush ia jepte paratë me të cilat bënte lojtarin. Që hidhte petale trëndafilash buzuqeve dhe nuk e prishte terezinë kur në vend ndodhnin tragjedi njerëzore si ajo e Karaburunit në 2004. Apo që arnoi Protokollin e shtetit për të bërë si zonjë të parë gruan dhe që sot sërish e ka kthyer zyrën te Kullat Binjake me hijen e një dhome presidenciale. Ose Xhezair Zaganjori, ky kandidat që nuk është çudi pas raundit të katërt të zgjidhet për të qenë kreu i shtetit. Ky po që e do pushtetin…për asetet e tij. Sepse është në vitin e dytë të qenies pa mandat si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, sepse siç mbrohet, nuk mund ta lërtë trupën gjyqësore pa numrin e anëtarëve, duke bllokuar vendimmarrjen. Dhe e shfrytëzon deri në pikën e fundit. Siç bën me makinën me targë Z, benzin që të dielën e shkuar rrëshqiste nëpër autostradën Tiranë-Durrës në ora 10.30, nën shoqërinë e bashkëshortes, edhe pse një urdhër publik i kryeministrit Berisha ndalon përdorimin privat të makinave shtetërore jashtë orarit zyrtar. Po a ka pyetur njeri se kush janë miqtë e Zaganjorit, me këtë rri ai, sepse siç thotë populli nga ata dukesh se kush je. Dhe deri më sot askush nuk ka pyetur për biznesmenët shkodranët me nam të keq që rrahin gjoksin poshtë e lart se janë miqtë për kokë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Kërkojmë vërtet shumë? Në shkurt ish-presidenti Christian Wulff dha dorëheqjen pas një kërkese të prokurorisë së Hanoverit, për t’i hequr imunitetin, pasi u akuzua për korrupsion, se kishte marrë një kredi shtëpie kohë më parë. Apo aq më keq kur thonë se Zaganjori është një besimtar i devotshëm mysliman, kur nesër pretendon të jetë kreu i një shteti laik dhe ku harmonia fetare është më e çmuara. Apo Jozefina Topalli, që në mos i hiptë nervi Berishës, para një opozite pa nerv dhe ta bëjë kandidate politike në raundin e katërt? Do të ishte një presidente ajrore, në buxhetin e institucionit zëri i parë i shpenzimeve do ishin ato për fluturimet dhe akomodimet jashtë vendit të kryetares së shtetit. Do të vijonte lobimin përtej njohjes së Kosovës dhe integrimit të Shqipërisë, me velin e zi në xhep për ta vënë para sheikëve në Abu Dabi apo Xhakarta, në takime ndërkombëtare për gratë presidente, duke ofruar përvojën e shkëlqyer të Shqipërisë për ngritjen lart të rolit të gruas në shoqëri, aq lart sa askush nuk do kish mundësi ta kapte për zhelesh dhe të ulte me këmbë në tokë në vendin e saj ende më të varfrin në Europë. Ah, dhe në mos fitoftë, se do ia kërkojnë me qiri atë Doktoraturë që e bëri nën udhëheqjen e kandidatit Xhezair Zaganjori. Edhe pse e dimë se nuk do të japë dorëheqjen siç bëri në prill presidenti i Hungarisë, Pal Schmitt, pasi u kap me plagjiaturë në tezën e doktoraturës. Tani në fund të një procesi të kurdisur me shumë mjeshtëri nga mjeshtrat e politikës shqiptare, ky debat është shumë i vonë dhe sërish do të jetë i vonuar, deri kur palët politike të kenë në dorë të zgjedhin përfaqësuesin e popullit dhe ky i fundit ta pranojë edhe këtë, siç pranon gjithçka që ia ngec me përdhunë politika.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve