Parlamenti i rikthehet traditës së miratimit me konsensus politik të rregullores. Pasi javën e shkuar, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord për një tekst të përbashkët të rezolutës për integrimin europian të vendit, palët arritën të gjejnë gjuhën mes tyre edhe për ndryshimet në rregullore, të cilat u miratuan sot me 100 vota, dhe vetëm me votën e Redi Muçit kundër.
Në dakordësinë e arritur gjatë së mërkurës, në prag të seancës parlamentare të kësaj të enjte, propozimet e socialistëve pësuan ndryshime në shumë nga pikat e kundërshtuara nga opozita, që nga raportimi i institucioneve të pavarura, te votimi në komisionin e etikës për përjashtimet, mbyllja e seancave në orën 22:00, ndërsa komisionet parlamentare mbeten 11, duke mos ndryshuar.
Raportimi i institucioneve të pavarura në parlament, ka qenë një ndër pikat më të debatuara. Socialistët kishin propozuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare duke e kufizuar këtë vetëm për në komisionet parlamentare. Por gjatë negociatave, palët kanë rënë dakord që institucionet të cilat duhet të bëjnë bilancin e tyre vjetor, në sallën e Kuvendit, të kufizohen, me vetëm ato për të cilat në kushtetutë thuhet shprehimisht se duhet të raportojnë në seancë. Me këtë ndryshim, në sallën e parlamentit do të duhet të japin llogari vetëm Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe jo institucione të tjera, siç është SPAK-u.
Pra, ndryshe me atë çfarë ka ndodhur gjatë mandatit të Altin Dumanit, i cili gjatë raportimeve në Kuvend ka folur për shumë hetime të SPAK, të dyja palët kanë rënë dakord që drejtuesi i ri Klodian Braho të mos japë më llogari në seancat plenare.
Për institucionet e tjera, në raportimet në Komisionet përgjegjëse, të enjten në mëngjes u rikthye varianti që parashikon praninë e titullarëve. Komisionet përgjegjëse hartojnë një projektrezolutë, e cila më pas i kalon Komisionit “Xhafaj”. Edhe këtu, do duhen të paraqiten po ashtu drejtuesit e institucioneve të pavarura, përfshirë kreun e SPAK, për të diskutuar, tekstin e projektrezolutës, e cila mund të pësojë ndryshime.
Ndryshime pësoi dhe formula e propozimeve të kandidatëve për institucionet e pavarura, ku tani e tutje, një deputet ka të drejtë të mbështesë me firmë vetëm 1 emër.
Në propozimin e PS thuhej se të gjitha ligjet e integrimin duhet të kalonin me procedurë të përshpejtuar, duke shmangur në këtë mënyrë konsultimin publik, ndërsa PD thoshte se kjo pikë duhej të hiqej. Të mesmen e artë e gjeti kryetari i Parlamentit Niko Peleshi i cili dha propozimin e pranuar nga të gjithë që, ligjet e integrimit të kalonin në Kuvend me procedurë normale përveç rasteve kur kërkohej nga qeveria me kërkesë të arsyetuar.
Demokratët nga ana e tyre kishin kërkuar rikthimin e formulës së mëparshme me një komision të Jashtëm dhe një tjetër për Europën, ku ajo në të kaluarën kishte drejtimin. Por pas këmbënguljes së socialistëve për të lënë në fuqi, një Komision të vetëm, siç është aktualisht, PD bëri hapa pas.
Edhe numri prej 11 komisionesh parlamentar, mbeti i paprekur. Po ashtu dhe koha në dispozicion për fjalimet e deputetëve, do të vijojë të jetë 10 minuta e jo më 5 sikundër kishte propozuar shumica në ndryshimet e saj.
Në negociatat mes palëve u pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion.
Gjithashtu, u pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Shumica ka pranuar propozimin e PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Po ashtu u pranua dhe kërkesa tjetër e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike ndërsa Sekretariati i Etikës do të jetë me numër të barabartë anëtarësh, një sekretar dhe pesë anëtarë, në raporte të barabarta ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. Për të zhbllokuar ngërçin, në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e Sekretarit është përcaktuese.
Një tjetër pikë për të cilën kanë rënë dakord palët janë këshilltarët politikë ku PD kishte kërkuar që këshilltarët të jenë bazuar në numrin e komisioneve. Aktualisht PS ka 11 këshilltarë dhe PD vetëm 8, ndërsa tanimë të dy grupet më të mëdha do të kenë nga 11 këshilltarë.
Socialistët ndryshuan në mënyrë të njëanshme rregulloren e parlamentit në nisje të sesionit të ri, vjeshtën e kaluar. Ato u kundërshtuan me forcë nga opozita e cila e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, gjeti shkelje në procedurat e ndjekura nga shumica. Në pritje të vendimit të zbardhur të Kushtetueses, socialistët, fillimisht përmes kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, e më pas, kryetarit të parlamentit Niko Peleshi, propozuan ndryshime të tjera, duke pranuar në fund të ulen për një zgjedhje të përbashkët me opozitën.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Prezenca e OSBE-së mirëpret miratimin me konsensus nga parlamenti të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit. Në një reagim thuhet se "kjo shënon një hap pozitiv për dialogun politik dhe për funksionimin e demokracisë parlamentare".
"Ndryshimet pasqyrojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, forcojnë reciprocitetin midis shumicës dhe opozitës dhe zgjerojnë hapësirën për një pjesëmarrje më aktive të të gjitha forcave në parlament. Zbatimi i duhur i Rregullores do të jetë thelbësor për të siguruar një praktikë parlamentare gjithëpërfshirëse dhe efektive dhe për të mbështetur përparimin e mëtejshëm në prioritetet e reformave të Shqipërisë",- thuhet në reagim.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, është shprehur se shpresonte se me rregulloren e re të Kuvendit, e cila pritet të miratohet me konsensus mes palëve, të ndryshonte sjellja e mazhorancës kundrejt opozitës në Kuvend.
“Bashkohem me vlerësimet dhe falënderimet për kolegët, jo vetëm të këshillit për rregulloren, por edhe ata të këshillit për legjislacionin. Gjykata Kushtetuese e ka kapur këtë mazhorancë në një faull kushtetues. Me anë të vendimmarrjes që cituam dhe që kemi detyrim për ta adresuar brenda ditës së sotme, na adreson jo vetëm piketat mbi të cilat duhet të bazohet vendimmarrja në rregulloren e re, por edhe një parim shumë të rëndësishëm që duhet të jetë edhe lajkmotivi i punës së këtij kuvendi nga sot e tutje, atë të kërkesës për të pasur si udhërrëfyes të punës sonë balancën e 2 parimeve shumë të rëndësishme, parimit të autonomisë parlamentare dhe parimin e demokracisë përfaqësuese, parim i cili është shkelur disa herë në mënyrë të njëanshme. Unë shpresoj që miratimi me konsensus i rregullores së re t’i çelë rrugën një sjellje të re të mazhorancës në Kuvend”, tha mes të tjerash Kaso.
Komente









Raportimet tek ndertusi arlis, xhafa
Përgjigju