Sheshi “Shadërvan” në qytetin e Prizrenit u kthye këtë të diel në një skenë të hapur vallëzimi.
Nën tingujt e valsit dhe valleve popullore shqiptare, zemra e qytetit u mbush me ritëm e gjallëri, jo nga ansamble artistike, por nga vizitorë të shumtë nga Shqipëria, të cilët kishin “pushtuar” Prizrenin nga Ura e Gurit e Kalaja, te Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e Shadërvani i famshëm.
Të parët që ndezën atmosferën ishin një grup të rinjsh nga Prrenjasi. Vizitorë për herë të parë në Prizren, ata u përfshinë në valle nën tingujt e saksofonit të një artisti rruge nga Korça, i cili prej disa vitesh jeton në Kosovë dhe e ka kthyer sheshin në skenën e tij të përditshme. Të rinjtë nga Prrenjasi ndanë emocionet dhe përshtypjet për qytetin e vjetër të Prizrenit, bukurinë e tij dhe mikpritjen e banorëve.
Atmosferës iu bashkua edhe një familje nga Vlora, e cila po e vizitonte për herë të parë Prizrenin. Ata nuk qëndruan thjesht spektatorë, por dolën në shesh për të vallëzuar mes turmës.
Kjo tablo festive u mbyll me një grup vizitorësh nga Tirana, të cilët gjatë pasdites i dhanë notat e fundit kësaj atmosfere spontane që u shijua jo vetëm nga qytetarët e Prizrenit, por edhe nga turistë të huaj që ndaluan për të filmuar e përjetuar nga afër ritmet shqiptare në zemër të qytetit historik.
Komente







