Një ditë pas miratimit me shumicë votash në parlament të kodit të procedurës penale dhe kodit penal, avokatët paralajmërojnë ankim në gjykatë kushtetuese pasi kërkesat e tyre nuk janë përfshirë në këto kode.
 
Në një intervistë për ReportTv kreu i avokatëve penalist Saimir Visha shprehet se ata u shmangën nga komisioni i ligjeve dhe pse kërkuan të dëgjoheshin si palë.
 
"Në Kodin e Procedurës Penale asnjë nga rekomandimet që ka dhënë shoqata e Avokatëve Penalistë nuk është marrë parasysh. Momenti i parë ka të bëjë me gjykimin e shkurtuar, është ulur masa e përfitimit të masës së dënimit. Ishte 1/3 tani është 1/4.

Ngelet një problem i madh ndëshkueshmëria ndaj avokatëve që nuk shkojnë në seancat gjyqësore, do ndëshkohen deri në 50 mijë lekë. Mund ta çojmë këtë ligj në Kushtetuese
".
 
Visha u ndal dhe tek masa e dënimeve për personat që kapen si konsumator apo kultivues të kanabisit, ku sipas tij dhe pse u propozuan ndryshime ato u hoqën në momentin e fundit.
                                                     
"Në prisnim ndryshim drastik. Pasi jemi i vetmi vend në botë që ndëshkojmë njësoj si atë me 10 gr edhe atë me 100 kg me të njëjtën masë 5-10 vite burg" tha ai.
 
Më herët në një komunikim me mediat për miratimin e legjislacionit të ri penal foli dhe ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, i cili sqaroi se me standardin e ri mbrohen të drejtat e njeriut.
 
"Përsa i takon rolit që ka pasur ministria, ka qenë i përqendruar në një kod që të ishte sa më garant" tha Vasili.
 
Por cfarë parashikon kodi i ri i procedurës penale?
Ndër ndryshimet e miratuara është dhe penalizimi i avokatëve me 500 mijë lekë gjobë për mospjesmarrje në seanca gjyqësore dhe zvarritje procesesh si dhe ulja e përfitimit të masës së dënimit me ¼ nga 1/3 e cila ishte më parë për personat që pranonin gjykimin e shkurtuar.




dy.b/shqiptarja.com