Këshilli i Ministrave ka paraqitur një projektligj të ri që ka për qëllim rregullimin e mëtejshëm se si duhet të trajtohet informacioni sekret ose i klasifikuar.

Në projektligjin e publikuar në Konsultimet Publike ndryshon qasja që duhet të kenë ambasadat e Shqipërisë jashtë territorit në raport me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe të Bashkimit Europian.

Kështu deri më tani ligji parashikonte se në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, përfshirë luftën ose fatkeqësitë natyrore çdo titullar institucioni duhet të miratonte një plan për “evakuimin” ose largimi ne menjëhershëm të informacionit të klasifikuar. 

Në propozimin e ri, shtohen posaçërisht selitë diplomatike të cilat do të kenë për detyrë që në pamundësi për ta larguar informacionin dhe dokumentacionin sekret ta shkatërrojnë në vend atë.

Neni që shtohet saktëson se: “Në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, në rastet e gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore dhe të emergjencave të tjera civile, në pamundësi të evakuimit të informacionit të klasifikuar me urdhër të titullarit të përfaqësisë, vendoset shkatërrimi emergjent i tij.”.

Vende të ndryshme të botës përcaktojnë rregulla të ndryshme sa i përket shkatërrimit të informacionit sekret në raste emergjente siç janë, djegia e menjëhershme e tyre, asgjësimi i dokumentacionit përmes grisjes në pajisje të veçanta dhe metoda të tjera të shuarjes me acide te ndryshme.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë