Studentët e Mjekësisë  protestuan sot para Kuvendit duke kundërshtuar pr/ligjin e qeverisë e cila kushtëzon diplomimin me një punësim të detyruar aty ku e cakton shteti. Në të kundërt studentët që do të refuzojnë të firmosin marrëveshjen do tu duhet të paguajnë studimet me tarifat e reja që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave.

Studentët e mjekësisë thonë se përmirësimi i kushteve është mjeti i duhur që mund ti mbajë në atdhe. Ata këmbëngulën se po studiojnë për të veshur bluzën e bardhë, e cila nuk ka ngjyra të tjera politike

“Unë nuk dua të largohem por nuk dua që punësimi im të jetë i detyruar aty ku do shteti. Po na merret peng Diploma. S’mund të jemi peng i shtetit dhe të duhet të shkojmë atje ku na caktojnë. Kjo do të thotë që kthehemi pas në kohë dhe nuk jemi më në demokraci” thotë një studente për Report TV.

Rrugëtimin e tyre në këmbë të nisur nga rektorati I mjekësisë drejt ministrisë së arsimit e ndryshuan në moment të fundit duke zgjedhur të përçojnë mesazhet e tyre para parlamentit, aty ku brenda muajit korrik projektligji pritet të marrë votat e deputetëve me procedurë të përshpejtuar.

Protesta krijoi trafik në rrugë, por drejtuesit e mjeteve gjetën mënyrën për të shprehur mbështetje për studentët.

Ata paralajmëruan bojkot të vitit akademik dhe padi në Gjykatën kushtetuese.

“Nëse shohim që ky pr/ligj do të bëhet ligj për 15 ditë jemi gati të shkojmë drejt bojkotit të vitit të ardhshëm. Nuk mund të jemj dakord për pengmarrjen. Po shkojmë para kuvendit pasi ata po marrin vendime pa na pyetur ne. Nuk pr/ligj nuk është diskutuar me ne.

Qëndrimin për rreth 5 orë në protestë e shfrytëzuan edhe për të mësuar pasi gjenden në sezon provimesh.

Studentët kërkuan fjalën në foltoren e kuvendit, ku pati debat mes studentëve por ata, studentët nuk arritën të futen brenda.

Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore me të cilën thotë se ka qëllim plotësimin sa më parë të nevojave për mjekë që ka vendi si dhe në sigurimin e ofrimit te shërbimit shëndetësor për periudhat ne vijim. Sipas pr/ligjit studentëve aplikantë në Mjekësi, por dhe ata që janë në vijim të studimeve u ofrohet mundësia të firmosë një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 2 – 5 vjeçare pas diplomimit. Nëse ata pranojnë ta firmosin marrëveshjen do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit gjithashtu do të kenë dhe disa përfitime të tjera sociale.

Klikoni këtu për të mësuar: Çfarë parashikon pr/ligji dhe tre skenaret. Nga ai më pesimisti tek realisti dhe më optimisti nëse ky pr/ligj miratohet. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:09
FOTOLAJM/ 'Nuk është prona jote diploma ime!' 'Edhe Hipokrati po të ishte gjallë do të bënte gati letrat për në ambasadë!' Mesazhet e studentëve në pankarta

 

Studentët prej gati 1 ore po vijojnë protestën para Kuvendit duke kërkuar tërheqjen e pr/ligjit që kushtëzon studimin dhe diplominin e tyre

Ata thonë se nuk kanë kushte dhe mësojnë me fotokopje të materialeve 20 vite të vjetra. Në duar mbajnë pankarta ku shkruhet:

“Edhe Hipokrati po të ishte gjallë do të bënte gati letrat për në ambasadë”

“Eksod deputetësh? Rritje pagash me 87% ..

Eksod Mjekësh? Rritje pagash me 7 % “

“Nuk është prona jote diploma ime”

“Lirinë nuk e solla unë por as mes jush nuk e gjeta”

“Mos ndryshoni rregullat në mes të lojës”

Ata kërkojnë që njëri prej tyre të mbajë fjalim para Kuvendit për të shprehur kundërshtitë e tyre.

Kjo e sotmja është protesta e tretë e studentëve që kundërshtojnë këtë pr/ligj.

Ora 11:49
Studentët e Mjekësisë në protestë para kuvendit: Anuloni vendimin

 

Studentët e mjekësisë po protestojnë para Kuvendit duke kërkuar anulimin e pr/ligjit që prek ata.

Me megafon në dorë një  studente ngre zërin duke kërkuar që të anulohet vendimi.

Ti e ke të domosdoshme të krijosh kushte që mjekët të qëndrojnë. Nuk është strategji të mbash mjekët duke i mbajtur peng diplomën. Ne na mbajnë prindërit tanë, për taksat të përgjigjet shteti ku shkojnë.”

Studentët thërrasin “Poshtë Diktatura! 

Pr.ligji është bërë objekt debati edhe në Kuvend.