*Meditim mbi koston e dritës në një botë të zhurmshme*
Në çdo epokë që ka frikë nga vlerat, shfaqet përsëri Prokrusti. Jo më si mit që pret këmbë e zgjat trupëra, por si doktrinë moderne që shkurton personalitete dhe shtrin mendjet në gjatësi të barabarta. Në emër të “barazisë”, epoka jonë ka shpikur një formë të re dhune — uniformizimin e shpirtit. Në këtë shtrat të ri, çdo tejkalim shihet si kërcënim, çdo vlerë që del mbi mesataren perceptohet si provokim. Shkenca, arti, arsimi — dikur terrene për garë fisnike — janë kthyer në laboratorë të zbutjes së diferencës. Nuk kërkohet më më i miri, por më i pranueshmi. Nuk vlerësohet drita, por hija e saj që mos të verbohet njeri. Në këtë botë të rrafshuar, mediokriteti ka gjetur strehën më të ngrohtë. Ai nuk ka nevojë të përmirësohet — mjafton të pretendojë se të gjithë të tjerët janë të barabartë me të. Dhe me ndihmën e burokracisë dhe retorikës së korrektësisë, ai arrin të vendosë një standard që i ul të tjerët në nivelin e tij.
Kështu, në vend të një gare për lartësi, krijohet një rrotullim i zhurmshëm në vend, ku talenti ndalon për të mos “ofenduar” ata që s’ngjiten dot. Por në këtë klimë lind edhe diçka më e rrezikshme: kasta e mediokërve — aleanca e atyre që, të paaftë për t’u ngritur, bashkohen për të mos lejuar askënd tjetër të ngjitet.
Kjo qasje prokrustiane nuk mbështetet në përpjekje dialektike për ndryshim, por në ankesë, zili dhe frikë nga drita. Ata nuk kërkojnë të arrijnë lartësitë e të zotëve; përkundrazi, përpiqen t’i tërheqin poshtë, duke e përmbysur gravitetin moral. Ngrihen jo me mund, por me rrëzim.
Në vend që të ngjiten me punë, ngrihen me baltë. Në vend që të ndërtojnë, shpikin arsye pse duhen rrëzuar ata që ndërtojnë. Kështu lind një moralitet i ri i ankesës, ku mediokriteti bëhet kriter dhe ambicia shpallet herezi. Por edhe kjo nuk mjafton. Sot mediokriteti ka shpikur një tjetër strategji mbijetese — përulësinë toksike. Një përulësi hipokrite që nuk buron nga mirësjellja, por nga llogaria. Ajo nuk është shenjë modestie, por një maskë taktike: një mënyrë për të heshtur të zotët duke i veshur me “arrogancë”, dhe për të ngritur vetveten duke bërë sikur përkulet.
Kjo përulësi e simuluar është bërë motoja strategjike e mediokërve — rruga më e sigurt për t’u “ngritur” pa lëvizur nga vendi, për të bërë karrierë duke qëndruar në gjunjë. Në këtë teatrin e përmbysur të vlerave, gjithçka ka humbur kuptimin.
Këta mediokër sorollatjen e quajnë arritje, ndërsa gabimet — suksese.
Në botën e tyre, zhurma zë vendin e mendimit dhe pranimi i dështimit zëvendësohet me artin e justifikimit. Dhe kështu, mediokriteti jo vetëm mbijeton — por fillon të vetëbesohet. Por më e rënda nuk është ekzistenca e tyre — është përvoja e përplasjes me ta.
Mediokrit nuk të lodhin nga fuqia, por nga boshllëku i tyre — një zbrazëti që duhet ta mbushësh ti, për të mos u shembur gjithçka rreth teje.
Ata të detyrojnë të përdorësh muskujt e elefantit për të tërhequr shkarpat e rëndomta të mosdijes.
Kjo është forma më e rafinuar e torturës shpirtërore: energjia e krijimit, e shndërruar në përpjekje për të zhbllokuar pengesat e absurdit.
Në fund, krijuesi lodhet jo nga mali që do të ngjisë, por nga baltat që i ngjiten në këmbë gjatë ngjitjes. Shtrati i Prokrustit sot nuk është më prej hekuri, por prej formularësh, komisionesh, aplikimesh.
Sot, komisionet, aplikimet formale dhe CV-të e fabrikuara janë mjete të zakonshme të këtij shtrati — procedura që shpërfillin meritën dhe promovojnë imitimin, jo autenticitetin.
Ai nuk shtrëngon trupin, por frymën. Nuk detyron, por ngop me vlerësime formale, derisa çdo ndryshim, çdo guxim, të zbehet në “profilin e pranueshëm.”
Por njeriu nuk matet me metra. Ai vlerësohet me thellësi — me aftësinë për të hyrë në territoret që të tjerët i shmangen, për të shkelur në tokën e pasigurisë intelektuale, aty ku fillon krijimi.
Vetëm aty lind dija e vërtetë, e jo në laboratorët ku mendohet njësoj, atje ku uniformiteti quhet disiplinë dhe kopjimi — metodë. Prandaj, ndoshta ka ardhur koha të mos kërkojmë më barazi në gjithçka, por drejtësi në dallim.
Të pranojmë se jo çdo dritë ka të njëjtin intensitet, dhe kjo është bukuria e ekzistencës njerëzore.
Sepse kur sheshojmë malet, nuk krijojmë një horizont më të drejtë — krijojmë një shkretëtirë. Vallë, a do të kemi guximin ta ruajmë lartësinë e vlerave, përpara se të mbetemi pa dritë fare?
Komente










