TIRANË- Ish-prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, i shakrkuar në 6 maj të vitit 2022 nga Komisioni i Vetingut i shkallës së parë për lidhje të shumfishta me krimin, kërkon rikthimin në detyrë. Ndoja i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të Komisionit të Vetingut  për shkarkimin e tij nga detyra dhe rikthimin e tij në Prokurorinë e Durrësit. Kolegji i Apelimit ka regjistruar çështjen në 14 korrik 2022 dhe ka caktuar trupin gjykues të kryesuar nga Natasha Mulaj, relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ina Rama, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi.

Trupa gjykuese po përgatit çështjen për gjykim dhe në fund do të vendosë përfundimisht për fatin e prokurorit Ndoja në raport me drejtësinë. Gjithsesi, me këtë lëvizje, Arjan Ndoja do të përfitojë 75 % të pagës si prokuror deri kur KPA të vendosë për lënien në fuqi apo rrëzimin e vendimit për shkarkimin e Ndojës. Me anë të ankimimit, Arjan Ndoja ka bërë që vendimi për shkarkimin e tij të mos marrë formë të prerë, duke përfituar pagesë mujore, një taktikë që e kanë ndjekur edhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë.

Lidhjet me krimin
vendimin e shkarkimit, Komisioni i Vetingut konkludon se prokurori Arjan Ndoja ka pasur lidhje me personazhe të botës së krimit, ka marrë vendime në favor të miqve të tij me precedentë penalë, ka cenuar etikën gjatë komunikimit me kryeprokuroren e Durrësit Anita Jella, ka pasur kontakte me politikanë si dhe i janë gjetur dosje, të cilat nuk ndiqeshin prej tij. Sipas vendimit, prokurori Ndoja kishte kontrate me të paktën 9 persona të dyshuar dhe të përfshirë në veprimtari të paligjshme. 

Në makinë me të fortin e Sukthit  
Në vendim pasqyrohet lidhja e prokurorit Ndoja me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’. Ndoja ishte objektiv i një atentati në fillim të muajit nëntor të 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozeti, ku në makinë ishte pikërisht me Lahon. 

Nga atentati mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Ndërkaq, Arjan Ndoja ka deklaruar se Aleksandër Laho nuk rezulton as i dënuar dhe as i proceduar penalisht. Sipas tij ‘Rrumi’ lëviz lirisht jashtë vendit që do të thotë se nuk është në kërkim në asnjë vend. Në këto kushte, Ndoja ka pohuar se nuk ka pse t’i kalojë barra e provës për lidhje me Aleksandër Lahon. Por, Komisioni i Vetingut ka konkluduar se për Aleksandër Lahon ka të dhënë se ka qenë i përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar jashtë territorit Shqipërisë, ndërkohë që Ndoja i nuk ka bërë përpjekje dhe nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar të kundërtën e këtij informacioni. 

Në makinë dosja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi
Në makinën e prokurorit Arjan Ndoja pas atentatit  çuditërisht u gjet dosja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në një atentat mafioz në Vlorë si dhe disa dokumente të vjedhura.  Edhe SPAK ka konfirmuar për vëzhguesit ndërkombëtarë që monitorojnë procesin e Vetingut, ekzistencën e dy dosjeve me 432 faqe në makinën e prokurorit Ndoja, por pa specifikuar se për çfarë dosjesh kontrate bëhej fjalë. Gjithashtu SPAK ka konfirmuar se një nga dosjet e gjetura në makinën e prokurorit ishte vjedhur në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2018. Qëndrimi i SPAK ka hedhur poshtë një alibi të prokurorit, e cila e shpjegonte gjetjen e dosjeve me një zhurmë makine.

Raporti sekret për lidhjet me krimin
Në një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i siguruar nga Report Tv, i dha një goditje të fortë prokurorit në procesin e Vetingut, thuhet se prokurori Arjan Ndoja, në një rast, ka ndikuar për caktimin e trupës gjykuese, për shqyrtimin e një çështje pronash, duke favorizuar njërën palë në proces. Sipas dokumentit, prokurori ka pasur kontakte të papërshtatshme me njerëz të krimit të organizuar që në vitin 2009, ndërsa në vitet 2018-2019 ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të favorizuar persona me precedentë penalë. 

Misteri i pronave
Komisioni i Vetingut e shkarkoi Arjan Ndojën vetëm për kriterin e figurës dhe profesionalizmit, duke mos arritur të zbulonte para publikut një nga misteret më të mëdha të pasurisë së prokurorit Arian Ndoja. Bëhet fjalë për mbi 200 mijë m2 tokë që i kanë falur bashkëshortes së prokurorit, Elderina Frrok Ndoja, në zonën e Durrësit. Kush ia fali bashkëshortes së prokurorit një sipërfaqe kaq të madhe toke në një nga zonat më të lakmueshme të vendit nga investitorët? Dhe më e rëndësishme, pse ia falën, në çfarë rrethanash?