Sot çështja është nëse duam të heshtim apo të debatojmë për të vërtetat tona, të ballafaqohemi me të kaluarën tonë dhe të mos mbetemi peng i një të vërtete të zaptuar nga një grup njerëzish, të cilët janë të gatshëm t’i shpallin heretikë të gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ta.

Pasi historinë, sipas mënyrës së tij, e ka shkruar në libra dhe provon të shitet si mendje e ndritur, Jakup Krasniqit mund t’i jetë mbushur mendja se e ka të drejtën absolute për të qenë pronar i së vërtetës dhe ka zgjedhur të sulmojë të tjerët, të cilët nuk mendojnë si ai. Madje, duket se ka vendosur të përballet me secilin që ka guximin të thotë gjë tjetër përveç “të vërtetës” së tij.

Ndonëse është kryetar parlamenti, ai me një gjuhë aspak parlamentare, për më tepër fyese dhe denoncuese ka etiketuar ata që kanë shprehur mendimin e tyre të lirë, në përpjekje për të nxitur debat për çështje të rëndësishme, të cilat për të dhe të tjerë si ai as që duhet të debatohen. Sepse e vërteta e tyre është absolute.

Kjo mendësi totalitare tenton që nëpërmjet etiketimeve dhe linçimeve t’ua mbyllë gojën të gjithë atyre që kanë guximin të bëjnë thirrje për ballafaqim me të vërtetat tona, ashtu siç janë. Me të vërtetat që i dimë të gjithë, por për të cilat flasim rrallë ose nuk flasim asnjëherë. Me të vërtetat që na mbajnë peng të së kaluarës, por që na mbajnë peng edhe të ardhmen.

Reagime të ashpra ditëve të fundit kundër opinionistëve që provokojnë e provojnë të nxisin debat nuk vijnë vetëm nga pushteti, por edhe nga opozita. Nëpërmjet një diskursi poshtërues, fyes e përbuzës ata të etiketojnë si monstër e racist, të fusin emra në lista “gjeni t’flliqtë”, bashkë me Slobodan Milosevicin. Madje duke u bërë bashkë kundër gazetarëve, shumica prej tyre tregohen hipokritë shkuar hipokritësh.

Akuzat e ndërsjella të njerëzve të partive, për vrasje e krime të tjera, as që mund të krahasohen me hamendësimet e gazetarëve, qofshin ato edhe plotësisht të pabaza. Njerëzit e luftës dhe të tjerë rreth tyre e kanë akuzuar njëri-tjetrin për lloj-lloj krimesh, hajnish e dallaveresh. Tash, kur i sheh teksa bëhen sikur mbrojnë njëri-tjetrin, e kupton se hipokrizia s’ka skaj.

Në këtë mënyrë, ata përpiqen të amnistojnë të gjithë të këqijat që kanë ndodhur në këtë vend, bazuar në “të vërtetën” e tyre absolute. Në këtë mënyrë, përpiqen të krijojnë iluzione se gazetarët, opinionistët – ata dhe vetëm ata janë e keqja e këtij vendi.

Harroni vrasjet, hajnitë, korrupsionin e pushtetarëve dhe të tjerëve para tyre. Harroni shantazhet e mashtrimet. Harroni varfërinë e mjerimin. Të gjitha këto janë zero, krahasur me rrezikun e quajtur gazetarë, opinionistë. Andaj ata duhet goditur, sulmuar, linçuar.

Sepse, ata po iu prishin punë edhe me historinë. Historinë që e kanë shkruar vetë, ashtu siç kanë dashur. Ata po guxojnë t’ua kundërshtojnë të vërtetën e tyre të shkruar në faqe e faqe librash e të xhiruar në qindra orë dokumentarësh televizivë. Ata po guxojnë të ngrenë zërin për periudhën e errët të viteve të pasluftës dhe po bëjnë thirrje të ballafaqohemi me veten. Ata po lypin debat.

* * *

Sa perfide, aq edhe të rrezikshme janë ideja dhe tentimi për të krijuar një grup gazetarësh e opinionistësh armiq, të cilët po dashkan ta kriminalizojnë UÇK’në dhe luftën e saj. Të bësh thirrje për përgjegjësi individuale të secilit, për veprimet e kryera gjatë dhe pas luftës nuk nënkupton as akuzë e as kriminalizim të dikujt, aq më pak të luftës. Shumë më kriminale është të bësh njëqind të zeza në emër të luftës.

UÇK’në dhe luftën e saj nuk e kanë dëmtuar dhe as vazhdojnë ta dëmtojnë gazetarët. Atë e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë vetë njerëzit e luftës dhe të tjerë rreth tyre, të cilët nuk njohin rregulla as ligje në misionin e tyre për të përvetësuar gjithçka.

Sot nuk duhet të shtrohet çështja nëse lufta për çlirim paska qenë e drejtë ose jo. Kjo është vërtetuar me ndërhyrjen e aleancës më të madhe ushtarake në botë. Sot shtrohet çështja nëse duam të heshtim apo të flasim, si shoqëri, për gjithçka që ka ndodhur në këtë vend.

Sot shtrohet çështja nëse duam të hapim debat për të kaluarën dhe të ardhmen, apo të heshtim, të mos bëzajmë dhe të tumirim gjithçka në emër të një të vërtete absolute, pronarë të së cilës janë ata që pretendojnë se janë pronarë - përveç se autorë të vetëm - edhe të historisë më të re.

Të provosh të shprushësh historinë e tyre, të zaptuar si plot prona gjithandej Kosovës, do të thotë të bëhesh pjesë e grupit të të anatemuarve, të linçuarve, të sharëve e të të etiketuarve. Të shpallin menjëherë tradhtar, spiun, antikombëtar.

Mund të jesh edhe personazh shkrimesh deniguruese, fyerjesh e sharjesh gjeniale. E duhet të jesh i lumtur, fort i lumtur nëse me ty ka kohë të merret edhe Jakup Krasniqi. Natyrisht, në emër të historisë dhe të vërtetës absolute.

Nga Imer Mushkolaj