Propozimi surprizë i Metës: Të
zvogëlohet numri i deputetëve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, prezantoi sot katër shyllat mbi të cilat, sipas tij, duhet të bazohet puna për miratimin e reformës zgjedhore. Dekriminalizimi i partive, zvogëlimi i numrit të deputetëve, listat e hapura dhe minimizimi i numrit të biznesmenëve deputetë në Parlament ishin pikat ku u ndal kryetari i Kuvendit, gjatë një konference për zgjedhjet, të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

"Dekriminalizimi i partive, zvogëlimi i numrit të deputetëve, listat e hapura dhe minimizimi i numrit të biznesmenëve deputetë në Parlament janë disa nga propozimet e LSI-së për reformën zgjedhore", u shpreh Meta.  

"Një problem tjetër që unë e kam thënë që në të paktën në rast se do të jem kryetar i LSI-së do ta kam në konsideratë të veçantë, është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në parlament. Mund të mos kenë të bëjnë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në parlament dhe poste publike është një problem, por shpesh ndikon në presione që i bëhen dhe qeverisë, politikës, për interesa të ngushta. Dhe tjetra që mendoj se duhet parë është se, numri i deputetëve është më i madh, se nga reforma administrative, nga 400 e ca njësi kaluam në 61 njësi, ishte një hap i domosdoshëm. Prandaj, duhet parë ndoshta diçka dhe te Parlamenti se kjo do të ndikojë në një cilësi më të mirë të Parlamentit nga sa është sot", u shpreh Meta. 

Kreu i LSI-së kërkoi miratimin pa humbur kohë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, pasi siç u shpreh ai, një reformë e rëndësishme nuk duhet lënë për në minutën e fundit. Sipas tij, koha është e shkurtër, por ende e mjaftueshme për t'i dhënë jetë Kodit të ri Zgjedhor.  

Kreu i LSI-së i mëshoi edhe njëherë tjetër propozimit të hershëm për listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme. "Listat duhet të jenë të hapura, sepse krijon lidhjen e qytetarit me votuesin. Deputetët nuk janë thjesht partiakë, por janë më shumë parlamentarë sepse kanë një raport tjetër me votuesin dhe duhet të ruajnë një raport edhe me drejtimin e partisë si dhe me qytetarët", u shpreh Meta.  

Meta tha se duhet të hiqet dorë nga disa prej fenomeneve që prishin zgjedhjet, siç është blerja dhe fotografimi i votës. Ai kërkoi penalizim maksimal në këtë drejtim. "Penalizim maksimal të gjithë atyre që duan të blejnë votën dhe ta kontrollojnë atë përmes presioneve. Penalizim dhe për fotografimin e votës. Kodi Zgjedhor të reflektojë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Shoqërisë Civile. Kërkoj përshpejtim të punës së komisionit të reformës zgjedhore, për të bërë të mundur ndryshimet në Kod. I kermi kërkuar OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë reformën zgjedhore. Koha në dispozicion është e shkurtër, por e mjaftueshme. Duhet të evitojmë ndryshimet e momentit të fundit", u shpreh Meta. 

Sipas Metës, problem është edhe financimi i partive politike. 



Prononcimi për mediat Kryetarit të Kuvendit:

Z. Meta, a ka pasur tronditje në koalicion qeverisës nga çështja çame?
Jam shumë i bindur se kjo çështje, jo vetëm që nuk ka të bëj me raporte koalicioni, partish apo individësh, por është një çështje që është në interesin e të gjithëve, që të gjejë një zgjidhje dhe për këtë unë gjithnjë kam qenë dhe jam i orientuar nga rezultati dhe jo nga retorika.

Ju dëgjuam në konferencën e organizuar nga KQZ teksa theksuat për Kodin Zgjedhor një detaj të cilin LSI-ja nuk e kishte shprehur më parë, që bëhet fjalë për shantazhet gjatë fushatave elektorale. Pse pikërisht sot për presionet që bëhen gjatë fushatës?
Unë përmenda disa fenomene shqetësuese të proceseve zgjedhore për të cilat duhet të garantohet një penalizim maksimal, në mënyrë që askujt të mos i shkojë mendja për të tentuar blerjen e votës, për të tentuar fotografimin votës. Sepse kemi dëgjuar që kjo gjë ka ndodhur në raste të caktuara. Presione të administratës ndaj votuesve për të marrë një vend pune apo për të ikur nga vendi i punës në rast se nuk kontrollojnë vota, e çështje të tjera të cilat kanë ndodhur.
Nuk besoj se këto janë dominuese përsa i takon procesit zgjedhor. Por përderisa raste të tilla kanë ndodhur, duhen të merren masa që të mos ndodhin më dhe askujt të mos i shkojë mendja të cenojë lirinë e votuesve. Sepse më pas ne e dimë që kushdo që humbet në Shqipëri, do të përqendrohet te këto fenomene për të dëmtuar gjithë imazhin e zgjedhjeve.

Ju i referoheni zgjedhjeve të fundit në Dibër?
Unë iu referova të gjitha zgjedhjeve dhe sidomos të rekomandimeve të OSBE-ODIHR të 2013-ës dhe të 2015-ës.
Një pyetje për listat e hapura. E keni si angazhim partie apo si kusht partie meqë jemi ende në procesin e reformës zgjedhor. Është e zbatueshme kjo gjë?
Mendoj se është një kërkesë mjaft demokratike dhe përsa i takon reformës zgjedhore, ajo nuk është se bëhet me kushte, bëhet me konsensus. Dhe është e rëndësishme që të gjithë t’i përgjigjen një kërkese për më shumë demokraci në zgjedhje.

[gallery]19085[/gallery]

A mund të bëhet kjo përpara zgjedhjeve të 2017?
Po pse jo?! Çështje e vullnetit politik është.

Fjala e plotë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë