Më 16 shkurt të këtij viti, në këtë rubrikën time “Periferi” shkruaja pikërisht një analizë të vogël me këtë titull: “Kujdes nga mallkimi i pelikanëve dhe i flamingove”, ku në thelb shpreha shqetësimin për mbrojtjen e shpendëve mistikë të cilët pas shumë e shumë vitesh të egra dhe të vështira në Shqipërinë tonë të tranzicionit, tashmë ulen e vijnë të rrinë të qetë.
Është fare e lehtë për këdo që nuk ia ka ngenë të lexojë rubrikën time të 16 shkurtit, të kërkojë në internet legjendat e simbolikat mbi këta dy shpendë gati gati magjikë, të cilët i konsideroj fatndjellës për një Shqipëri më të bukur dhe më të mirë. Prekja e tyre do të ishte tragjedindjellëse, shkatërruese për ne, humbje ekuilibri, harmonie... Po këto janë thjeshtë perceptime personale të gjërave.
Protesta në ditën e fundit të majit 2026 ishte e papritur për shumë, madje akoma më e papritur tema e protestës: Mbrojtja e zonave të mbrojtura, e pikërisht Flamingove. Një mobilizim që mbushi me dashuri dhe shpresë të madh e të vogël në Shqipëri… Por a ishte në të vërtetë ajo që të gjithë menduam se ishte?
Nuk i kemi ende të qarta sot përbërjen, synimet e protestuesve të mbetur, aftësinë e tyre për konceptim, ndërtim të një shoqërie më të mirë, por disa rryma në ekstrem të islamit politik, apo të anarkisë, duket se po trembin “flamingo e pelikanë” që nga protesta sot duken në shtegtim.
Janë ulërimat e pakuptimta për gjykime dhe ekzekutime ekstrashtetërore pikërisht në kohën kur për herë të parë një grup i drejtësisë si Spak po vepron pas dekada e dekada paprekshmërie e imuniteti qoftë të krimit, qoftë të politikës. Pse evokohet vetëgjyqësia tani? Nëse sot të gjithë po e shohim të keqen e korrupsionit të dalë në dritë, është e sigurtë se për dekada e dekada ka ekzistuar i pashqetesuar as nga protestuesit e sotem, as nga pushtetaret e djeshem. I harruat orat e florinjta të gjyqtarëve e prokurorëve nëpër konferencat e tyre? I harruat vilat në Gjirin e Lalëzit, në Tiranë e kudo në Shqipëri? Janë akoma aty, te deshmuara nga kjo media qe sot ata protestues anatemojne pa te drejte dhe pa asnje kuptim. Ajo që po shohim sot nga Spak është materializimi i dëshirës së çdo shqiptari për Drejtësi. Por Drejtësi e drejtë do të thotë edhe durim, edhe prezumim pafajësie e sidomos Jo vetëgjyqësi.
Eshtë për t’u çuditur, por duket se flamingot dhe pelikanët vërtetë këtë herë e bënë një magji: Po u japin mundësinë gjithë shqiptarëve të shohin drejtë dhe mirë. Kujdes! Këto shpendë panë nga afër, dëgjuan, qëndruan për disa ditë aty, në bulevard, në marshim, pastaj ikën, ikën larg… në shtegtim! Pelikanët e flamingot i kanë mbijetuar epokave, rendeve, diktatorëve, gjuetarëve të autorizuar nga korrupsioni për t’i shfarosur që në fole, por është e qartë që nga dy gjëra kanë alergji: manipulimi dhe dëshira e verbër për vetëgjyqësi!
Komente











