Nëntëmbëdhjetë persona në mesin e protestuesve të shoqëruar për përplasjet e dhunshme para Kuvendit, të enjten e seancës plenare, përfunduan në pranga.
Të arrestuarit nga policia janë nga moshë 20 deri në 56 vjeç. Zyrtarisht policia njofton se ata kundërshtuan dhe goditën me sende të forta blutë, dëmtuan një automjet policie dhe sulmuan deputetët e Kuvendit.
Mes tyre edhe një nga organizatorët Gent Progni, i cili u arrestua ende pa nisur protesta në një lokal në një qendër tregtare brenda perimetrit të sigurisë së Kuvendit, një shteg ky që ishte zgjedhur për të goditur me vezë deputetët.
Arbër Lleshaj, 35-vjeç ra në pranga pasi qëlloi me vezë gazetarin Muhamed Veliu gjatë raportimit të drejtpërdrejtë për çfarë po ndodhte para Kuvendit.
Përveç 19 të arrestuarve, 6 protestues të tjerë të cilët janë parë përmes pamjeve filmike duke ushtruar dhunë. ende nuk janë identifikuar, edhe për shkak se një pjesë mbanin maska kirurgjikale në fytyrë. Në gjendje të lirë po hetohen 12 protestues të tjerë, në mesin e të cilëve edhe avokati Altin Goxhaj.
Nga Elbasani, dhunën në protestë e komentoi ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
“Ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t'u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë. Unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata janë thjesht vandalë”, tha Lamallari.
Të arrestuarit pritet të dalin para Gjykatës së Tiranës brenda 72 orëve, për vlerësimin e arrestit në flagrancë. Protestuesit janë në akuzë për 7 vepra penale, shkatërrim prone, kundërshtim i punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje pranë Parlamentit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç, E. B., 20 vjeç.
Si dhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, pasi ka goditur një gazetar.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F. D., 63 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; E. Gj., 38 vjeç; T. T., 43 vjeç; E. A., 31 vjeç; G. S., 20 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. M., 39 vjeç; M. J., 47 vjeç, A. G., 47 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









