3 orë protestë pa dhunë, opozita dorëzon mandatet! Basha: Tubime në gjithë Shqipërinë (VIDEO)

Është përmbyllur pa dhunë protesta e opozitës së bashkuar këtë të enjte.

Nisi para Parlamentit të Shqipërisë pak pas orës 10:00 të mëngjesit. Rreth dy orë fjalime të deputetëve të opozitës, kulmuar me fjalimet e liderit demokrat Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi. U pa i tërhequr, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk mbajti fjalim në podiumin e ngritur para Parlamentit mes protestuesve të shumtë që dolën në tubim. 

Mes masave të shumta të policisë së Shtetit, në Parlamentin e rrethuar edhe me tela me gjemba nga frika e ndonjë skenari të dhunshëm për tu futur brenda sallës së seancave plenare, Basha i bëri thirrje protestuesve ta ndjekin në hapin e fundit të dorëzimit të mandateve të deputetëve. Një marshim nga parlamenti drejt Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar atje, në bllok, aktet e dorëheqjeve nga mandatet. Kryesia kishte marrë masat...një rrethim me tela me gjemba. Edhe kryeministria u rrethua menjëherë me forca policore.

Kryeministri Edi Rama kishte qenë në zyrën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pak para mbërritjes së liderit Basha dhe Monika Kryemadhit, që dorëzuan në protokollin e kryesisë, dorëzimin e mandateve. Nuk pati asnjë moment dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. U hodhën vetëm disa tymuese nga ana e simpatizantëve, por pa u vënë re.

Po në marshim me protestuesit, Basha u kthye prej nga e nisi...Në selinë e PD-së. Mbajti një fjalim falenderues dhe paralajmëroi protesta në të gjithë Shqipërinë. I dha edhe një mesazh ndërkombëtarëve. "Këtë mesazh të parë t’ja u them miqve tanë, ne nuk jemi popull i dhunës, ne jemi populli i demokracisë".

E mbylli me këndimin e himnit kombëtar dhe simbolin e shqiponjës dy krenare. Në seli, në ambjentet e brendshme, ishte edhe Kryemadhi dhe ish lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

Në Parlament, nuk pati asnjë deputetë të mazhorancës pas vendimit urgjent të marrë dje nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi për të anuluar seancën plenare të së enjtes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:39
Protesta dhe djegia e mandateve, Basha: Opozita do të udhëheqë betejën civile

Protestë e opozitës dhe vendimi për të djegur mandatet kanë zënë hapësirë edhe në mediat ndërkombëtare. Në një prononcim për 'Associated Press', Basha është shprehur se opozita do të udhëheqë një betejë civile, paqësore e demokratike për të rivendosur legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri. "Opozita parlamentare ka vendosur unanimisht të djegë mandatet me këtë akt të paprecedent me qëllim ndarjen nga një parlament që nuk është produkt i votës së popullit, por është produkt, siç është ekspozuar nga biseda të përgjuara të publikuara nga media ndërkombëtare, i krimit të organizuar në bashkëpunim të hapur me qeverinë aktuale.Ne tani do të udhëheqim një betejë civile, paqësore e demokratike për të rivendosur legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri" tha ai.

Ora 14:39
Kryemadhi: Kush nuk dorëzon mandatin do përfundojë në kosh si deputetët në Ukrainë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi foli për mediat pas dorëzimit të dokumentit me të cilin deklaron dorëhehjen nga posti i deputetit. Ajo tha se deputetët që nuk do lënë mandatin do përfundojnë në kazan si ato të Ukrainës. Ajo tha se LSI-në dhe opozitën nuk i mban peng as vettingu, as tenderat e asgjë tjetër. LSI iu bashkua vendimit të opozitës, ndërkohë që një deputet në radhët e saj, Lefter Koka deklaroi se nuk i bashkohet thirrjes së Bashës për djegien e mandateve.

"Grupi teknik po punon, por këtu nuk është çështje deputeti, këtu është çështje fryme. Kush deputet do të përfundojë në kazan të plehrave si ato të Ukrainës le ta provojë. LSI-në, opozitën nuk i mbajnë peng as inceneratorët, as tenderat, as Vettingu dhe asgjë tjetër. Faleminderit", përfundoi Kryemadhi.

 

Ora 14:06
Kryemadhi pas takimit me Bashën: Deputetët e opozitës sot janë të lirë nga zinxhirët politikë

Kryetrarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim foli pas takimit me Lulzim Bashën. Ajo deklaroi se sot deputetët e opozitës janë të lirë nga zinxhirët politik të cilët janë të lidhur me krimin.

"Besoj se mesazhi është shumë i qartë. Sot na dhanë më shumë energji dhe pozitivitet për ta çuar deri në fund misionin  dhe ndarjen përfundimtare me atë Parlament për të cilin për 27 vjet shqiptarët kanë shpresuar se jemi në demokraci, por që na ktheu mbrapsht. Sot opozita dhe deputetët e opozitës janë të lirë nga kapja e çdo zinxhiri politik, i cili është i lidhur me krimin më shumë se kurrë.

Ajo çfarë ndjejnë deputetët, edhe unë vetë personalisht, është që më shumë seç kushton liria nuk kushton asgjë tjetër. Dhe liria është një nga gjërat më të mira, sepse në fund të fundit morali dhe përfaqësimi që kemi ne atë nuk është që të përfaqësojmë grupet e interesit, oligarkët apo kapjen e individëve të caktuar. Qoftë kjo nga drejtësia, apo qoftë nga krimi i organizuar apo allishverishet e caktuara", deklaroi Kryemadhi.

Ora 13:06
Basha këndon himnin kombëtar, përlotje dhe stonime të zërit (VIDEO)

E ka mbyllur protestën e opozitës këtë të enjte, duke kënduar himnin kombëtar shqiptar dhe duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare.

Është përlotur teksa ka përfunduar së kënduari vargjet e himnit, shoqëruar nga protestuesit e shumtë që ndoqën fjalimin përmbyllës të tubimit, nga selia e Partisë Demokratike.

Nuk mund të kalonte pa disa stonime të zërit...Edhe më herët gjatë fjalimeve në protesta t ëopozitës, lideri demokrat Lulzim Basha ka pësuar luhatje të zërit, duke u bërë shpesh pjesë e videove gazmore në rrjetet sociale.

Ora 12:46
Basha mbyll protestën me dorëzimin e mandateve: Nga sot qytetar i thjeshtë

"Mirësevini në shtëpinë e lirisë". Më këto fjalë i është drejtuar lideri i opozitës Lulzim Basha, protestuesve të mbledhur në selinë e Partisë Demokratike, pas përmbylljes së protestës me fjalime para parlamentit, dhe dorëzimit të dorëheqjeve në bllok nga mandati i deputetit në kryesinë e Kuvendit.

"Opozita sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kryqin parlamentit të krimit. Nga sot jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj. Derisa të largojmë kryehajdutin, dhe qeverinë kriminale", tha Basha.

"Liri demokratci. O Edvin o legen prite Bashën se po vjen. E duam Shipërinë si gjithë Evropa", ishin thirrjet e protestuesve. 

"Opozita sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme ne jemi qytetarët të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shprese i cili nuk do të ndalet deri sa destinacioni evropian i vendit të bëhet realitet. Deri sa ta largojmë kryehajdutin dhe qevrinë e  e tij kriminale, Rama ik.

Në çdo cep të Shqipërisë le të nisim këtë rrugëtim shprese dhe force të pandalshme dhe popullore për rrëzimin e regjimit kriminal, largimin e Maduros dhe për të rikthyer në çdo vatër besimin se e nesërmja po vjen, po miq Shipëria do të ketë të ardhme dhe kjo nuk i takon kriminaleve, Nicave, Shullzëve, narkotrafikantëve, oligarkëve hajdutë që u kanë hequr bukën e gojës fëmijëve tuaja, nuk i takon njeriut që e solli këtë të zezë, Ramës dhe bandës së tij hajdute.

Shqipëria do të ketë të ardhme dhe kjo do të jetë e juaja, njerëzve të nd3ershëm që duan ti japin fund dhe do ti japin fund padrejtësisë, pandëshkueshmërisë, parlamentit të krimit për krimin nga krimi dhe do ti japin fund si i dhamë sot dhe së bashku me vullnetin tuaj me zgjedhje evropiane do të kemi një qeveri të popullit për popullin dhe nga populli. E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, Liri Demokraci. Bëhuni gati për betejën e radhës në Tiranë Shkodër Vlorë, Shkodër, Dibër Tropojë, Sarandë anembanë vendit", tha Basha.

Ndërsa Basha mbajti fjaliin përmbyllës, brenda selisë së Partisë Demokratike ishte edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ora 12:40
'Zoti ju rujt', Braçe Kryemadhit: Ky nuk është fjalori i Zotit

Zv. kryeministri Erion Braçe i është përgjigjur urimit që përmbylli fjalën e Monika Kryemadhit nga protesta përprara parlamentit "Zoti ju rujt".  Ai ka ironizuar duke thënë se Zoti nuk ruan por edukon me shembullin e tij.

“Edhe nje here PerZOTIN! Tani qe flisni ne emer te #Zotit, duhet edhe te beni kujdes me fjalorin; NUKESHTEFJALORIIZOTITKY #ZotiNukRruan! Zoti edukon me shembullin e tij prej modesti te jashtezakonshem, besimtaret, po po besimtaret; Ai i ruan! NUKIRRUAN! Per te RRUJT, Rruajne ata qe vjedhin,

JoZoti! Kur nuk ben nje diference te tille, mbetesh keshtu sic pershkruan PAPAFRANCESKU”, shkruan Braçe.

Postimi i plotë i Erion Braçes
Ora 12:34
Pamjet nga kryeministria, marshimi i protestuesve drejt kryesisë së Kuvendit

Këto janë pamjet nga sipër kryeministrisë, që tregojnë protestuesit që marshuan nga parlamenti, drejt Kryesisë së Kuvendit për dorëzimin e dorëheqjeve të deputetëve nga ana e opozitës së bashkuar.

Ndërkohë përmes pamjeve të tjera me dron, shihen protestuesit në një kënd më të gjerë, edhe para kryesisë së kuvendit, edhe teksa ecin nga kryeministria. Lideri demokrat Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e LSI-së, dorëzuan në kryesinë e Kuvendit, dorëheqjet në bllok të deputetëve të opozitës.

Ora 12:31
Dorëzohen në Kuvend dorëheqjet e deputetëve (VIDEO-FOTO)

Pasi ka dorëzuar në kryesinë e Kuvendit dosjen me dorëheqjen e deputetëve të opozitës. Ka dalë nga kryesia duke përshëndetur me dy gishta protestuesit që e ndoqën në rrugën nga Parlamenti ku u mbajt fillimisht protesta me rreth dy orë fjalime.

Bashkë me të doli edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Por zgjodhën të mos mbajnë më fjalime. "Rama ik" është thirrja që është dëgjuar vazhdimisht nga protestuesit.  

Në një marshim paqësor ata janë nsur më tje drejt selisë së Partisë demokratike.

Ora 12:17
Basha e Kryemadhi futen në kryesi, dorëzojnë dorëheqjen e deputetëve

Lideri demokrat Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së janë futur në kryesinë e Kuvendit për të dorëzuar dosjet me dorëheqjet e deputetëve të opozitës. Protestues të shumtë janë jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit, të cilët ndoqën liderët politikë nga Parlamenti, ku nisi protesta me fjalime, drejt kryesisë së Kuvendit.

Ora 12:07
Protestuesit ndjekin eskortën e Ramës: Na iku legeni

Pas thirrjes së kryedemokratit Basha për zhvendosjen e protesstueve përpara kryesisë së Kuvendit ku do të bëhet dorëzimi i mandateve, simpatizantët e PD janë drejtuar drejt bulevardit Dëëshrët e Kombit.

Në momentin e mbërritjes së tyre aty, janë ndeshur me eskortën  e kryeministrit Rama e cila është larguar nga zona. Ata janë dëgjuar të thonë "Na iku legeni".

Bashkë me protestuesit, përpara kryeminitrisë është zhvendosur edhe kordoni i policisë i cili ishte vendosur më herët përpara parlamentit.

Ora 11:56
E papritur/ Protesta zhvendoset tek kryeministria

Pas fjalimit para parlamentit, lideri demokrati Lulzim Basha ka marrë pas vetes turmën e protestuesve për tu nisur drejt Kryesisë së Kuvendit, godinë e cila ndodhet përballë kryeministrisë. Më herët aty pati një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama.

Rama duke dale nga kryesia e Kuvendit

Kjo lëvizje e demokratëve për të shkuar drejt kryesisë së Kuvendit, duket se ka qenë ë sinjalizuar më herët, pasi kryesia është rrethuar me tela me gjemba. Ndërkohë, forca të policisë ka edhe rreth godinës së kryeministrisë.

Forcat e policise para Kryeministrise
Ora 11:54
Protesta e opozitës, ndërpritet sinjali i celularëve në të gjithë bulevardin

Gjatë kohës kur mbahej protesta  e opozitës, të pranishmit në perimetrin ku zhvillohej ajo, kanë hasur probleme me sinjalin e telefonisë celulare.

Sipas PD, AKEP ka urdhëruar nderprerjen e paligjshme te sinjalit te gjithe operatoreve te telefonise celulare ne te gjithe bulevardin, perfshire zonen e protestes dhe perreth Partise Demokratike.

Ndërkohë në deklaratën e AKEP kjo është kërkuar nga Policia e Shtetit si pjesë e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e protestës gjatë ditës së sotme. Fikja e sinjalit do të zgjasë deri në orën 16:00 dhe do shtrihet në sheshet kryesore ku është menduar të mbahet protesta.

Ora 11:48
Protesta e opozitës, simpatizantët e PD hedhin tymuese përpara parlamentit

Protestuesit e mbledhur përpara parlamentit, ku përfaqësues të opozitës po mbajnë me radhë fjalën e tyre, kanë hedhur tymuese në mes të turmës. Tymueset janë hedhur në drejtim të kordonit të policisë.

Ora 11:40
Basha SHBA-ve: Duam demokraci si tuajën, nuk jemi popull i dhunës

Në fjalën e tij në protestën para parlamentit, kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha i është derjtuar edhe ndërkombëtarëve, dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke dhënë argumente të vendimeve të opozitës për djegie të mandateve. Basha tha se ajo që kërkon opozita, është që edhe shqiptarët të kenë vlera dhe parime të njëjta me ato të popujve evropianë.

Basha thotë se nuk do të pranojë zgjedhje të vjedhura, siç ai i quajti, ndërkohë që tha se nuk do të ketë dhunë në protestë.

"Sytë e Europës dhe tëSHBA janë sot tek ky shesh. Dhe nga ky shesh u them: ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ju keni për popullin tuaj.

Lulzim Basha do të qëndrojë në krahun tuaj në këtë betejë. Sepse unë besoj tek demokracia europiane. Unë besoj tek demokracia amerikane. Unë besoj tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ndaj, dua këtë mesazh të parë t’ua them miqve tanë: Ne nuk jemi populli i dhunës!  Ne jemi populli i lirisë! Ne jemi populli i demokracisë, ne jemi populli i Shqipërisë! Ne jemi e ardhmja europiane e vendit!

Por ne nuk do të pranojmë kurrë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre dhe foshnjet e tyre.  Për Edi Ramën dorëheqja është vetëm fillimi.  Ai do të shkojë para drejtësisë, aty ku e meriton sipas ligjit. Ndaj, i bëj thirrje policisë së shtetit të mos lejojë daljen nga kufijtë e Shqipërisë e të pandehurit të popullit, Edi Rama.

Dua t’u them miqve të mi, të gjithë atyre që, për arsye të ndryshme, akoma nuk e dinë se këtu nuk ka demokraci, nuk ka Parlament, nuk ka drejtësi dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju del përpara dhe ju shitet si Kryeministër është Maduro i Ballkanit, por me një ndryshim, kjo nuk është Venezuelë, por është Shqipëria në mes të Europës.

Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë, ndaj ju them miqtë e mi, kërkomëni gjithçka që unë mund t’ju jap, dhe do t’jua jap, si lider i opozitës dhe në emër të popullit të bashkuar, por mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim, atë që s’do ta pranonit kurrë për popullin tuaj!"

Ora 11:37
Protesta e opozitës/ Kryemadhi: Mandatet tona janë të popullit, Rama fshihet si miu në vrimat e drogës

Kryetarja e Lëvizjës Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka mbajtur fjalën e saj gjatë protestës e cila ishte paralajmëruar të mbahej pa fjalime. Ajo deklaroi se vendimi për djegien e mandateve nuk ka kthim pas dhe se djegia e mandateve shënon fundin e tranzicionit që po kalon Shqipëria. Kryemadhi akuzoi kryemistrin Rama se ka ardhur në pushtet me paratë e drogës.

"Sot mandatet tona janë për t'u kthyer edhe njëherë në 1990. Ato nuk janë më fasadë e një parlamenti qe rrethohet me tela me gjemba. Jane mandatet e naftëtarëve. Dua t'iu them se nëse në ndonjë vend demokratik, një kryeministër apo një deputet do faktohej se ka blerë vota me kartelë droge do ishte në burg. Por prandaj djegia e mandateve tona nuk ka të bëjë me pozicionet politike por me fundin e tranzicionit që po kalon Shqipëria. Që të mos guxojë më njeri të vijë në pushtet me paratë e drogës. Nuk ka më kthim pas se do na mallokjna fëmijët tanë. Rama ka ikur se po të ishte i fortë ai do ishte në atë sallë dhe nuk do përfundonte si frikcak që fshehihet si miu mes vrimave të drogës. Secili nga ne ka një mision. Të ndajmë politikën nga droga dhe t'i kthejmë Shqipërinë shqiptarëve", deklaroi Kryemadhi.

Ora 11:24
Kryemadhi: Djegia e mandateve e vetmja rrugë drejt BE!!! Por çfarë thonë ndërkombëtarët?!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se edhe ndërkombëtarët po e kuptojë që qeveria është në pushtet me vota të blera nga krimi. Djegien e mandateve dhe protestat, Kryemadhi i quan si shansin e fundit që Shqipëria të shkojë drejt Bashkimit Evropian.

Por nga ana tjetër, ndërkombëtarët me thirrje të forta në reagime të tyret gjatë këtyre ditëve, i kanë bërë thirrje opozitës që të mos e zyrtarizojnë lënien e mandateve dhe të tërhiqen, pasi kjo në fakt e minon rrugën integruese të Shqipërisë.  Kryemadhi thotë se protesta do të kalojë pa dhunë dhe se skenarët e mundshme për zaptim të sallës së Kuvendit, kanë qenë keqinformime.

Prononcimi i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Kjo qeveri është faktuar botërisht dhe pak nga pak po e kuptojnë dhe ndërkombëtarët që është një qeveri , e cila është zgjedhur me mandate të blera nga vota e krimit. Mendoni çfarë do të ndodhte në çdo vend të Europës apo në Amerikë, një kongresmen, një senator, një ministër apo deputet, do të faktohej nga Gjykata dhe Prokuroria e vendit që krimi i organizuar, bandat, kriminelët kanë blerë vota në favor të tyre, tashmë kjo gjë ka marrë fund. Pavarësisht nga e gjithë situata që është krijuar, opozita është shumë e qartë për t’i dhënë Shqipërisë një shans të ri. Ky është shansi i fundit për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Vetëm në këtë mënyrë, duke ofruar bashkëpunimin, duke marrë kosto politike si opozitë, duke marrë bashkëpunimin për të bërë rishikime të amendamenteve të ndryshe, qoftë në Kushtetutë, qoftë në çështjen e koncesioneve që janë kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të drogës.

Sot është shansi dhe mundësi e fundit që ne i japim jo vetëm politikës shqiptare, por edhe Partisë Socialiste, e cila të mos mbetet më peng i 10 vetave të cilët janë përfaqësues të krimit të organizuar në atë Parlament. Unë mendoj që ne bëmë veprimin ekstrem sepse dhe situata është në ekstrem. Nuk flasim më vetëm për politikë, por pyesni çdo shqiptar. Mos na u drejtoni më neve, por pyesni çdo qytetar nëse kanë mundësi për të jetuar, nëse kanë mundësi për të paguar energjinë elektrike. Nëse kanë mundësi për të paguar faturën e ujit të pijshëm, nëse kanë mundësi për të blerë libra për fëmijët e tyre. Nëse kanë mundësi për të blerë ilaçet për fëmijët e tyre. Kjo tashmë është shumë e qartë. Këtu nuk është më çështje politike, këtu është çështje e mbijetesës së një populli të tërë.

Si e shikoni vendimin e Kryetarit të Kuvendit për të anulluar seancën dhe për të rrethuar Parlamentin me tela me gjemba?

Frikë. Sepse ai që ka bërë gabime ka frikë. Ai që është me të drejtën nuk ka frikë, por zhvillon seancën dhe përballet me opinionin publik. Por nëse opozita nuk do të kishte të drejtë, nuk do të kishte mbi 100 mijë shqiptarë në shesh në 16 shkurt. Protesta më e madhe në 27 vite në Shqipërinë më të rrudhur në gjithë historinë e shtetit të saj. Nëse kjo qeveri do të kishte të drejtë do të ishtë sot në Parlament dhe do të merrnin guximin të përballeshin me qytetarët. Ose më e pakta do të merrnin guximin në kaq kohë të përballeshin me ne.

Dje firmosët djegien e mandatit, por njëri nga deputetët Lefter Koka nuk ka pranuar. Keni biseduar me të?

Është zgjedhja e tij. Prandaj ne kërkojmë demokraci. Ndryshe do të bënim atë që bën Edi Rama. Në demokraci çdo njeri është i lirë të bëjë atë që do.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që mos të ketë dhunë. Ju keni pasur dhe një takim me ambasadoren gjermane..

Jo vetëm me ambasadoren gjermane por dhe me shumë të tjera, kam pasur telefonata. Kanë qenë totalisht të dezinformuar sepse mos harroni që është një makineri propaganda e cila paguhet me taksat e shqiptarëve, një administratë e tërë në Kryeministri. Dhe pot ë shikoni dhe deklaratat e qeverisë janë që do digjet Kuvendi. Pse? Mos u çudisni që do të djegë Kuvendi Edi Rama që të ndërtojë kullën që nuk e ndërtoi dot te Teatri.

Do të lihen mandatet e Këshillit Bashkiak si deputetët?

Tani nuk ka asnjë lloj vlere asgjë. Ecim drejt protestës paqësore dhe qëndrestare të qytetarëve.

Ora 11:17
Dogji mandatin?! Flamur Noka para protestuesve: Unë jam deputet, më kanë zgjedhur qytetarët

Kur ka kaluar vetëm një ditë nga firmosja e dorëheqjes së postit të deputetit, Flamur Noka ka dekaruar sot përpara protestuesve përballë parlamentit se është deputet i zgjedhur nga qytetarët e Kukësit.

"Jam deputet i Partisë Demokratike. Më kanë zgjedhur qytetarët e Kukësit. Ne nuk do bëjmë kurrë pakt me korrupsionin. Rama ik se ti përzure shqiptarët nga Shqipëria. Shqiptarët treguan se shumica të përbuzin. E ke mbushur parlamentin dhe qeverinë me kriminelë. Rroftë liria, rroftë Partia Demokratike, rroftë fitorja", deklaroi Noka.

Ndërkohë në deklaratat e mëparshme të Partisë Demokratike lidhur me protestën e sotme, ishte thënë se ata nuk do protestojnë më si deputetë por si qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, pasi sipas tyre nuk janë më deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ora 11:11
Djegia e mandateve, vjen nga protesta përgjigjja për thirrjet e forta të ndërkombëtarëve

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi i është përgjigjur thirrjeve të forta të ndërkombëtarëve për veprimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve, një vendim ende i pazyrtarizuar, i lënë deri më tani me firmosjen e aktit të dorëheqjes që gjendet ende në zyrat e opozitarëve.

Nga protesta para parlamentit, Dashamir Shehi ju drejtua ndërkombëtarëve, duke thënë se vendimi ekstrem për djegie të mandateve është marrë në kushte të detyruara nga mazhoranca.

"Ky zotria që duam të përzemë është e keqja më e madh që na ka ra këto 30 vjet, nuk kemi qenë mrekulli as ne, nuk jemi oa huqe, por si ky nuk kemi qenë. Ky njeri që bredh poshtë e përpjetë Shqipërisë, që pretendon që do bashkojë me Kosovën, ku do ta ndajë edhe shqiperinë nëse e lejmë, por nuk kemi për ta lënë, kjo është rrugë që mund të jetë e gjatë, por nuk kemi rrugë tjetër. dhe këtë do tja sqarojmë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, se kjo bëhet për të mirën e Shqipërisë, nuk kemi rrugë tjetër, nuk na kanë lënë shteg, përveç protestës së rrugës, do të vijë dita që do t'i kthehemi asaj salle, por do t'i kthehemi si burra", tha Shehi.

Ora 10:51
Opozita ndryshon skenar për protestën tek Parlamenti (VIDEO)

Ndryshe nga protesta e së shtunës para kryeministrisë, këtë radhë, opozita e ka organizuar protestën tek parlamenti, duke mbajtur fjalime të deputetëve, dhe nga radhët e qytetarëve.

Fjalë mbajtën Ervin Salianji, Gent Strazimir, Valentina Duka dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi. Thanë se tashmë mandatet e tyre u takojnë qytetarëve. "Jemi ngritur për të rrëzuar diktaurën mavi", tha Idrizi, duke kërkuar rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Mbajtën fjalë edhe deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Grida Duma deklaroi se sakrifica e tyre nuk është asgjë para heroizmit tuaj. Ajo deklaroi se Edi Rama tashmë ka ikur ndërsa opozita do qëndrojë deri në fund.

Të shtunën, më 16 shkurt para Kryeministrisë u vendos të mos mbahej asnjë fjalim politik nga liderët e opozitës

Ora 10:44
Protesta e opozitës, simpatizantët e PD ngjiten mbi pemë (VIDEO-FOTO)

Protesta e opozitës ka nisur sot përballë parlamentit, aty ku simpatizantët e Përtisë Demokratike kanë vijuar tubimin e 16 shkurtit.

Dy protestues janë ngjitur në një pemë përballë godinës së parlamentit nga ku kanë bërë thirrje kundër qeverisë. Ata kanë qëndruar në pemë për disa minuta. Njëri prej tyre ka nisur të lëkundet mbi pemë gjë që ka sjellë edhe shqetësim në radhët e qytetarëve të tjerë. 

Por ai është bindur të zbresë poshtë dhe situata është qetësuar.

Ora 10:32
REPORT TV sjell pamjet me dron nga protesta e opozitës

Report tv ka siguruar pamjet me dron nga protesta e opozitës e cila po mbahet përballë parlamentit. Lulzim Basha ka deklaruar se kjo protestë do jetë akoma më e fuqishme se ajo e 16 shkurtit.

Ora 10:26
Edi Rama takon Ruçin, kryesia e Kuvendit rrethohet me tela me gjemba (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama është takuar me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, në kryesinë e Kuvendit. Policia ka marrë masat për mbrojtjen e këtij institucioni. Ai është rrethuar me tela me gjemba për parandalimin e incidenteve dhe sulmeve të protestuesve të opozitës.

 

 

Ora 10:25
Policia 'bllokadë' para parlamentit, në kordonin rrethues edhe të rinjtë e PD-së (FOTOT+VIDEO)

Kordonë të shumtë të policisë janë vendosur para godinës së parlamentit. janë disa radhë njëri pas tjetrit, forcat e rendit, ato të Shqiponjave, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Para kordonit të policisë janë vendosur disa të rinj të Forumit Rinor Demokratik me një shirit të bardhë në krah për të qenë edhe ata një mburojë për të shmangur çdo përplasje të mundshme mes protestuesve dhe policisë, marrë shkas nga protesta e shkuar të shtunën para kryeministrisë.

 

Ora 10:17
Protesta e opozitës, banorët e Astirit bashkohen me përfaqësuesit e PD

Protestuesve të opozitës që janë grumbulluar tashmë përballë parlamentit, i janë bashkuar edhe banorët e Astirit. Ata i janë bashkuar thirrjes së tyre që kërkojnë largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Ndryshe nga protesta e së shtunës e cila nisi me një tubim, gjatë ditës së sotme, protestuesit po flasin me radhë lidhur me problematikat për të cilat fajësojnë qeverinë.

Ora 09:52
Plani i beftë i opozitës/ Mblidhen protestues edhe para kryeministrisë

Ndërsa protesta e opozitës është lajmëruar prej ditësh të mbahet para parlamentit, Report Tv mëson se janë mbledhur protestues edhe para godinës së Kryeministrisë.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi anuloi seancën plenare që do të mbahej sot, nga frika e skenareve të mundshme dhe sinjaleve që u përhapën se do të tentohet që protestuesit të futen brenda sallës së Kuvendit. Por ndërsa Kuvendi është bosh, pa deputetët e mazhorancës dhe ministrat, protestues të tjerë janë mbledhur para kryeministrisë.

Atje mësohet se është një grup i organizuar nga ish-deputeti i PD-së, Ndriçim Babasi.

Ora 09:35
Basha mbërrin në selinë e PD-së, protestuesit me shiritë 'paqeje' në krah

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, duke mbajtur një fjalë para protestuesve të mbledhur. Basha e quajti një regjim ushtarak rrethimin e parlamentit me gjemba, ndërsa tha se protesta do të vijojë dhe efekti i parë i saj është rrethimi i parlamentit, për të treguar sipas tij, se Parlamenti ka rënë.

Largimi i Ramës nuk do të jetë ngjarje e një dite -tha Basha-, por do të ndodhë së shpejti sipas tij dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Prononcimi për media i kryetarit Basha pak para nisjes së protestës

Pyetje: Diplomatët e huaj kërkojnë që sot të mos ketë dhunë, a do jetë e dhunshme kjo protestë?

Basha: Është një mesazh që duhet ta dëgjojë mirë Edi Rama dhe pupacët e tij në ministrinë e brendshme. Ne e dimë dhe ju e dini që policia e shtetit përbëhet nga burra e gra të keqpaguar, shumë prej tyre kanë paguar rryshfete të majme, janë detyruar të paguajnë ryshfete të majme për të mbajtur vendin e punës. Ata kanë të njëjtat shqetësime si vëllezërit dhe motrat që protestojnë sot. Sot ditë historike, është dita e parë kur mandatet i kthehen popullit dhe janë të vetmet mandate të panjollosura nga bashkëpunimi I hapur me krimin e organizuar. Parlamenti në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore i ka mbyllur dyert, sepse nuk është më parlament dhe qeveria, për sot, është larguar. Ne, përmes bashkimit qytetar, do të bëjmë të mundur që këto dy ngjarje të rëndësishme sot: mbyllja e parlamentit dhe rrethimi me tela me gjemba ushtarakë dhe largimi i Edi Ramës të mos jenë ngjarje e vetëm një dite, por të kthehen shumë shpejt në zgjidhjen politike dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, një parlamenti nga populli, me popullin dhe për popullin.

Protetuesit janë parë të kenë në krah, ng anjë shirit të bardhë, i cili simbolizon paqen, por se sa paqësore do të jetë kjo protestë, mbetet të shihet në vijim.

Ne proteste, te rinjte kane vendosur ne toke disa lule dhe qirinj te ndezur, qe nenkuptojne se parlamenti ka marre fund,

Ora 09:25
Policia rrethon parlamentin (VIDEO-FOTO)

Pak para nisjes së protestës së opozitës në orën 10:00, policia e Shtetit ka vendosur nën kontroll godinën e Parlamentit të Shqipërisë. Forca të shumta efektivesh kanë rrethuar Parlamentin.

Rrethimi i Parlametit me tela me gjëmba, mbrëmë, ishte kundërpërgjigja ndaj informacioneve të policisë se "protestuesit synojnë të hynë brenda godinës së Parlamentit dhe ta djegin parlamentin”. Në një deklaratë të Policisë së Shtetit, një ditë para protestës theksohet se "ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”.

Ora 09:13
Tentoi të thyejë derën e kryeministrisë, protestuesi: Mos të imponohemi nga të huajt, ata shohin rrogën e tyre (VIDEO)

Një prej protestuesve që tushtroi akte dhune gjatë protestës së 16 shkurtit deklaroi për Report Tv se portesta sot do vijojë akoma më e fuqishme. Ai tha se shqiptarët nuk duhet të imponohen nga të huajt por të luftojnë për demokracinë e vendit të tyre.

"Atdheu i Skëndërbeut është amanet i të gjithë shqiptarëve. Duhet të ringjalet të zhvillohet dhe të përparojë sipas të drejtës lirisë dhe pavarësisë së një kombi, sipas ligjeve demokratike.

Demokracia është drejtësi për të gjithë kombet dhe popujt e botës, Nuk duhet të na imponohet nga diplomacitë e huaja. Ata shikojnë rrogën e vet. S'kemi nevojë të bëjmë dialog.

Ambasadat e huaja s'kanë qenë rigoroze ndaj gjendjes së popullit tonë. Ata hanë hanë bukën e tjetëkrujt dhe paguhen si bota e përparuar ndërsa ne kemi hallet tona.

Ma merr se protesta sot do jetë më e fuqishme. Për ata që i thonë vetes shqiptarë dhe duan të shohin ndonjë ditë të mirë në këtë vend, këtu duhet të ketë protestë deri në përmbysje dhe zhdukje të veprave komuniste, si kryeministrinë dhe piramidën", deklaron protestuesi.

Ora 08:25
Nisen protesuesit nga rrethet, policia vendos postblloqe në akset kryesore (VIDEO)

Protestuesit e rretheve janë nisur këtë mëngjes nga qytetet e Sarandës, Fierit, Vlorës, Beratit, Lezhës dhe Krujës.

Përfaqësuesit e PD nga Saranda janë nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit me autousë dhe automjete personale.

Kryetari Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi deklaroi se protesta e sotme do jetë më e fuqishme se ajo e 16 shkurtit por protestuesit do jenë paqësorë dhe nuk do përdorin akte dhune.

Protestuesit nga qyteti dhe fshatrat e Vlorës me autobusë dhe automjete personale rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm.

Edhe nga qyteti i Beratit simpatizantët e PD  i janë bashkuar thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në protestën që do organizojë opozita në kryeqytet.

Qytetarët nga rrethi i Krujës janë nisur drejt Tiranës me automjete personale.

Ndërkohë policia ka vendosur postblloqe në akset hyrëse të kryeqytetit Fushë-Krujë-Tiranë dhe Vorë-Tiranë për të identifikuar dhe ndaluar personat me precedentë kriminalë që kanë qëllim të ndërmarrin akte të dhunshme gjatë protestës së opozitës.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 21/02/2019 15:33

    Opozita ka te drejten legjitime te pritestoj , por edhe te dhegi nandatet re futuara nga ajo ojese e popullit qe e vitoi , por nuk mund te jerkoj qeveri teknike kur ka fituar bindeshem dhe nuk pati asnje oadi nga opozita qe drejtonte dhe KQZ .Saliu kur ishte ne pushtet me te drejte thonte opozites se PS beni cfar te doni por te direzoj qeverine jo e jo , por dhe zgjedhjet do behen be daten e caktume dhe do te behen dhe pa ju .Sot cfar kerkon nga nazhoranca ? Ato qe ti me te drejte nuk i dhe opozites .Mendon se ne djegie mandatesh do marresh pyshtet ne tavoline ? Ed Rama jete rralke ne rast se ben kompromis me ju , peroara te kargohet se ka socialist te zote qe mubd te udheheqin qeverine Me dhune ne keq oer opoziten se shtwti do veproj dhe populli ja ulur besimin.E vetmja rruge per opoziten eshte rinivimi i lidershipit te saj , oa Bashen ,Saliun ,Noken dhe Alibej me shoke .Opozita eshte aset i demokracise shqiptare

    Përgjigju
  • petriti: 21/02/2019 15:14

    Pemet akoma nuk kane gjethe,por jane plot me kunguj.

    Përgjigju
  • Ilo: 21/02/2019 14:58

    Tani e kane mundesine policet ta zgerdhijne ne dru Flamur Noken edhe ate zgerdhaqin e Fahri Balliut, se ua kane sjelle ne maje te hundes te gjoreve police.

    Përgjigju
  • aaaa: 21/02/2019 14:26

    Ju rre menja se ju duaan njerezit, po ty te do pakica me legen si mund te drejtosh ti, le qe nuk je per ate pune, kamarier ne rinas do ishe mire, po te ka ec fati qe ke dashnore Argiten o lulash.

    Përgjigju
    • Robshi: 21/02/2019 23:27

      O koklesh se e ka për lulen (tashmë luloshi) ja ktheva unë për piktorin...po nejse mirmengjes o koklesh

    • O koklesh: 21/02/2019 19:10

      robshi e ka per lulen o analfabet, hahaha

    • Robshi: 21/02/2019 17:54

      Mener me thonë piktor je...

  • Tirana: 21/02/2019 13:55

    Agjenture serbe e greke edhe ruse po sjedhin trazira ne shqipni.

    Përgjigju
  • Bibilja: 21/02/2019 13:44

    Po rrogat nga do i merrni tani qe late mandatet ju palo deputeter? Apo keni vene para plot? Qe tek ky fakt duhet qe te hetoj prokuroria.

    Përgjigju
  • Fredi: 21/02/2019 13:38

    Me ne fund Nokërri-Paloqëria rra! Të shporret sa më parë!

    Përgjigju
  • Teatrino: 21/02/2019 13:06

    Ideja me gjeniale sot ishte fikja e valeve te telefonise mobile. Shtrigani plak nuk ja doli ti udhezoje dot pupacet e protestes siç ishte mesuar hahaha

    Përgjigju
  • Populli: 21/02/2019 12:00

    Perse more Lulash demokracia vjen duke vjedhur parat e shqiptareve ne rrugen e kombit apo duke shitur detin apo duke vrare njerzit ne bulevarde

    Përgjigju
  • toni: 21/02/2019 11:43

    me ne fund demokratet e kuptuan se e kane vendin ne peme

    Përgjigju
  • Labi: 21/02/2019 11:08

    Ike o luli se je per n burk me Gjith salen e nuk e rrezon dote qeverim me 1000 njerz as me vote as me forze..1000q t jan mbleth na gjith shqoperia..duet nje popull i ter t heq edin

    Përgjigju
    • CaBone: 21/02/2019 12:47

      Po ca lesh populli kan mbrapa kta vlla? Un se di si e besojn ata qe jan aty por jan te gjith partiak te verber. Qeveria rrezoet me 1 miljon ne shesh e jo me 2-3 vet si kan kta kar....at e lales. Rroft Shqipria dhe vdekshin te gjith antiShqiptaret✌️

  • Verejtje: 21/02/2019 09:44

    Po pajisini Policet me Skafandra e helmeta..,se Majmunet do shkulin pllakat e do i gjuajne...!

    Përgjigju
    • Populli: 21/02/2019 20:19

      O lulush i hyre detit ne kembe po ti dhe neser te vesh ne votime ti nuk fiton i sigurt se e patet bere shqiprin si kazan pleherash

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz