TIRANË- Gjashtë militantë të Sali Berishës janë vënë nën hetim pas sulmeve me molotovë ndaj efektivëve të policisë në protestën e 8 majit. Ndaj tyre rëndojnë tre akuza “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Me një pjesëmarrje minimale dhe më të ulëtën krahasuar me të gjitha tubimet e mëparshme të Sali Berishës, protesta nisi e qetë para Kryeministrisë ku nuk u mbajt asnjë fjalim dhe nuk u hodh asnjë molotov. Militantët qëndruan aty për afro një orë dhe më pas u urdhëruan të marshojnë në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Por, këtu u zunë në pritë nga efektivët e policisë të cilët kishin krijuar një kordon për të mos i lejuar militantët të marshojnë nëpër qytet, pasi leja për organizimin e protestës ishte marrë vetëm për në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Tensionet u zhvendosën pranë bllokut të ministrive. Reagimi i policisë për t’i shpërndarë me ujë dhe spraj solli kundërshtimin e militantëve të cilët i sulmuan me molotovë. Nga sulmet me lëndët plasëse mbetën të lënduar 3 efektivë policie të cilët u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Për aktet e dhunës tashmë 6 militantë janë nën hetim, ndërsa policia ka sekuestruar në terren vetëm 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

"Policia e Tiranës, menjëherë pas përfundimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike mbrëmjen e datës 08.05.2026, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë tubimit disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie, procedoi penalisht 7 shtetas. Nga këta: 6 për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Gjatë veprimeve, policia sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta", njofton policia.

Hetimi ka nisur edhe ndaj deputetit demokrat, Klevis Balliu për organizim të paligjshëm, i cili mori lejen në Polici për zhvillimin e tubimit. Pas gati 90 minutash protestë, militantët u zbrapsën për në seli dhe tubimi u mbyll me një paralajmërim të Sali Berishës se regjimi do marrë përgjigje, dhe pa datë për takimin e radhës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë