Pretendimet për persona të infiltruar, pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia e Veriut dhe roli i partive të vogla në protestë ishin në qendër të debatit mes analistit Alban Daci dhe deputetes së PS-së Briseida Çakërri në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV.
Një nga temat kryesore ishte pretendimi se në protestë ka persona të infiltruar, një teori, që nuk është ngritur vetëm nga mazhoranca por edhe organizatorët e protestës.
“Kërkesat e qytetarëve mund të jenë të drejta. Ata kanë të drejtë të protestojnë për gjëra që duhen bërë më mirë por organizatorët kanë thënë që ka të infiltruar nga Serbia dhe Greqia. Besoj që me kohën, në këtë ballo me maska, do hiqen maskat dhe do të kuptohet çfarë ka ndodhur me të vërtetë”, tha deputetja Çakërri.
Analisti Alban Daci mbajti një qëndrim tjetër, duke sfiduar mazhorancën me argumentin se nëse ekzistojnë shqetësime për sigurinë kombëtare, ato duhet të shoqërohen me prova dhe qëndrime zyrtare nga institucionet.
“Kjo qeveri ka detyrim kushtetues të na garantojë sigurinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Nuk mund të merret me konspiracione. Organet kompetente duhet të bëjnë deklaratë apo një raport të detajuar nëse interesi kombëtar është cënuar nga grupe që kanë interes për ta cënuar, deklaroi ai.
Një tjetër pikë përplasjeje mes dy të ftuarve në Report TV ishte pjesëmarrja në protestë e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, debat që është intensifikuar pas reagimit të kryeministrit Edi Rama.
Çakërri argumentoi se shqiptarët e Kosovës nuk mund të konsiderohen diasporë dhe vuri në diskutim arsyen e përfshirjes së tyre në protestat në Tiranë.
“Ata nuk janë diasporë. Nuk kam për ta kuptuar për çfarë vijnë. Ne nuk jemi në luftë. Kundrejt kujt do ta mbrojnë Shqipërinë? Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, me Kosovën jemi vëllezër dhe nuk kemi pse shqetësohemi”, tha deputetja socialiste.
Ndërsa Daci mbrojti të drejtën e tyre vëllazërore për të marrë pjesë dhe për të mbështetur qytetarët që protestojnë në Shqipëri, duke argumentuar se kjo nuk e delegjitimon protestën.
“ Unë nuk jam dakord me këtë teori apo me idenë që Shqipëria mund të ketë marrëdhënie shumë të mira me Kosovën, por nuk e dimë ccfarë marrëdhënie ka me shtetasit shqiptarë në Kosovë. Ata kanë të drejtën legjitime të mbështesin vëllezërit në Shqipëri të pakënaqur prej vitesh. Ccdo shtetas shqiptar ka të drejtë të vijë të protestojë. Qeveria të mos mërzitet se ata nuk janë votues që mund të rrëzojnë qeverinë me votë. Ka pasur edhe qytetarë shqiptarë që kanë protestuar në Maqedoni. A është Albin Kurti mbrapa kësaj apo jo, nuk e delegjitimon të drejtën e tyre për të protestuar në Shqipëri” tha Daci.
Përplasje mendimesh pati edhe për rolin e partive të vogla në protestë. Çakërri solli në kujtesë angazhimin e Arlind Qorit, Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt që sipas saj po kërkojnë terren politik përmes protestës.
“Pushteti merret me vote. Partitë e vogla dalin aty me opozitën sepse nuk marrin dot vota në zgjedhje. Një gjë të mirë ka bërë protesta që nuk kemi më ato pamjet me molotovë nga protestat e Berishës. Protesta është qytetare dhe garanci është qeveria që kjo protestë është e qetë” tha ajo.
Ndërsa Daci vlerësoi se qeveria duhet të reflektojë për arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.
“Me këto manovra, kjo shumicë po e komplikon pozicionin e saj për sa kohë nuk e sheh realitetin në sy. Kjo qeveri duhet të reflektojë përpara se të gjejë konspiracionin brenda. Është një frymë e përgjithshme kundër establishmentit”, tha ai.
Të dy palët ranë dakord për të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por jo për mënyrën se si duhet interpretuar protesta. Për mazhorancën, ajo po shoqërohet gjithnjë e më shumë nga interesa dhe aktorë politikë. Për kritikun Daci, thelbi mbetet te pakënaqësitë që kanë mbajtur protestuesit në shesh për më shumë se tre javë dhe domosdoshmëria që qeveria të reflektojë sa më parë.
Komente








