Sot në kryeqyet pritet të mbahet protesta nga qytetarët në ditën e 18-të të saj. Analisti Arben Meçe në ‘Sot Live në Shqipëri’, tha se në ditët e para protesta ishte tipike qytetare, por më pas ajo u kthye në politike.

“Dita e parë dhe e dyta ishin tipike protesta qytetare, kishin emocion, kishin një farë revolte qytetare. Unë e kam ndarë protestën në dy pista: protesta për Zvërnecin dhe e dyta pista politike. Kemi një protestë të mirëorkestruar, ku unë i kam vënë emrin ‘dirigjenti’. Interesi i dirigjentit është të bllokojë investimet strategjike në Shqipëri. Dirigjentit i intereson që sa më tepër të agravojë situata politike në Shqipëri aq më tepër realizon synimin e vet për të penguar investimet strategjike”, tha Meçe.

Meçe shtoi më tej se tannimë në protestë ka militantë të PD-së, Adriatik Lapaj dhe Arlind Qorit. Ai vë në dukje se 90 përqind e atyre që flasin janë njerëz të Berishës. Sipas Meçes kauza qytetare e protestës ka humbur pasi të gjithë partitë janë në shesh.

“Unë di që Sali Berisha tha ditën e parë protesta nuk duhet bërë, ditën e dytë tha se duhen mbështetur investimi strategjik dhe ditën e tretë i bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të shkojnë në protestë. Fshehja e organizatorëve ka një arsye se përse bëhet – synimi është të prodhojnë destabilizim.

Në protestë ka militantë të PD-së, Lapajt dhe Qorit. Në foltore unë shoh që 90% janë njerëz të Berishës. A kemi garanci që lëvizjen nuk e ka kapur Berisha? Sot ka humbur kauza qytetare e protestës, tani i ke të gjithë partitë në shesh”, tha ai.