Reagimi i policisë gjatë protestës së sotme para Kuvendit u bë pjesë e debatit pro dhe kundër në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku avokati Klodi Reçi dhe ish-kandidati për kreun e PD-së, Bujar Nallbani, dhanë qëndrime të kundërta për mënyrën si u menaxhuan tensionet.
Reçi vuri në pikëpyetje proporcionalitetin e përdorimit të ujit me presion dhe gazit lotsjellës, duke argumentuar se situata nuk ishte përshkallëzuar në atë nivel.
“Ky reagim i policisë është tregues që policia nuk e ka situatën nën kontroll. Goditja me vezë nuk quhet agresivitet. Nuk ka protestë me lule. Situata nisi me përdorimin e botit me ujë nga policia pa nisur akoma protesta. Më pas nisi përdorimi i gazit lotsjellës që ka irrituar lëkurën e disa qytetarëve. A ishte proporcional përdorimi i gazit? Gjendja nuk ishte e acaruar. Nuk mund ta përdorim gazin lotsjellës si diçka të zakonshme, ai është mjeti i fundit para dhunës fizike. A duhet të ndërhyjë policia për të parandaluar aktet e dhunës? Po, patjetër. A është ky mekanizmi për të bërë parandalimin? Unë mendoj që jo.
Sipas avokatit, policia duhet të ndërhyjë për të parandaluar aktet e dhunës, por jo me mekanizmat që u përdorën sot.
Problemi është i drejtuesve të policisë që ccojnë në protestë policë të paveshur me masa mbrojtëse. Burimet njerëzore nuk duhen përdorur si mish për top. Njerëzit shkuan të shfaqnin revoltën e tyre. Edhe thirrjet e politikanëve nga të dy kampet thonë që protestat janë nga vende jo mike dhe janë thjesht histori që ata duan t’i besojnë” u shpreh Reçi.
Nallbani nga ana tjetër mbrojti ndërhyrjen e policisë, duke theksuar se efektivët u sulmuan me gurë dhe se, sipas tij, reagimi i tyre ishte më i përmbajtur se ai i policive në vende të tjera europiane.
“Nëse ka polici më me rregulla, me standarde dhe më paqësore se policia jonë e këtyre viteve, nuk ka patur kurrë Shqipëria. Ke parë ti t’i bien policit me gurë kokës? Policët e shkretë rrinin statikë. Të shkosh në Gjermani apo në Angli të zhdëpin me shkop gome ose të fusin edhe në burg. Kush do të na mbrojë ne nëse barbarët në emrin e protestuesve bëjnë 1000 pislliqe dhe akte që do t’i kishin zili edhe kriminelët më të mëdhenj. Përse nuk shkojnë këta protestues tek dera e e SPAK kur dy herë në muaj shkon Sali Berisha që akoma ska dhënë llogari para popullit. Pse nuk shkojnë ta kapin zgupthi po e lënë Sali Berishën të japë konferenca duke sharë me libër shtëpie. Në stadin që po shkojmë, të protestosh është demokratike, por me ç’të drejtë u gjuan policëve? Në kohën e barbarit Sali Berisha protestuesit vriteshin para kryeministrisë””, deklaroi Nallbani.
Debati erdhi pas protestës së zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit hodhën vezë, domate, bidonë dhe gurë drejt efektivëve, ndërsa policia përdori ujë me presion, spray piper dhe gaz lotsjellës për t'i shpërndarë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 6 punonjës policie dhe 11 protestues morën ndihmë mjekësore, ndërsa Policia e Shtetit shoqëroi rreth 15 protestues.
Komente










