Aktet e dhunës në protestën para Parlamentit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të seancës plenare, i kushtuan lirinë 2 protestuesve, një burrë dhe një grua. Orion Peçi dhe Artemisa Islamaj, u ndaluan nga agjentët e Komisariatit nr. 1 dhe pritet të dalin në gjykatë për masë sigurie brenda 72 orësh.
Për të dy blutë kanë administruar prova që i përfshijnë jo vetëm në akte dhune, por edhe furnizim me mjete piroteknike për hedhjen e tyre drejt efektivëve të policisë. Më konkretisht, Artemisa Islamaj, sipas burimeve pranë policisë, sillte kapsollat për protestuesit e tjerë, ndërsa Orion Peçi është autor i dyshuar i dëmtimit të efektivit të Shqiponjave me kapsollë, të cilën fillimisht e futi në një shishe plastike dhe e hodhi drejt policit.
Përveç tyre, nëpër komisariatet e Tiranës u shoqëruan për t’u marrë në pyetje edhe 30 protestues të tjerë, një pjesë e të cilëve, sipas burimeve, do të hetohen në gjendje të lirë. Mes tyre ishin Dritan Goxhaj, i ndaluar më herët në një prej 2 protestave para Kuvendit, dhe Edison Lika, ndër më aktivët në protestën e ashtuquajtur “Revolucioni Flamingo”, por u lanë të lirë brenda pak orësh.
Për ta rëndojnë 6 vepra penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishja e rendit dhe qetësisë publike, kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, goditja për shkak të detyrës, e kryer në bashkëpunim dhe shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive, po ashtu e kryer në bashkëpunim.
Gjatë protestës që zgjati më shumë se 8 orë, përplasja e protestuesve me policinë ishte e vazhdueshme, e shpërndarë të paktën në 3 pika të ndryshme. Vezët dhe domatet e bëra gati për deputetët, në pamundësi për t’ia hedhur atyre, nuk kursyen policinë.
Pjesa më e madhe e njerëzve u mblodhën në fillim të pedonales, pranë qendrës tregtare, aty ku pati tentativa për të çarë rrethimin e policisë herë pas here. Blutë i shpërndanë me spray piper dhe ujë nga autobotet.
Një pjesë u zhvendosën te Ministria e Brendshme dhe disa fillim të rrugës “George W. Bush”, nga ana e xhamisë së Namazgjasë. Të paktë në numër, por të mjaftueshëm për të krijuar “beteja” me policinë dhe bllokim të rrugëve me kosha mbeturinash.
Prej përplasjeve nga të dyja palët, 17 përfunduan në spital, 11 protestues me djegie prej spray-t e gurëve që vetë ndajë njëri-tjetrit, dhe 6 efektivë policie të dëmtuar prej sendeve të forta.
Njoftimi i policisë:
Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, pranë Parlamentit, identifikohen 32 shtetas.
Arrestohen në flagrancë 2 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 30 të tjerët.
Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie.
Më datë 23.07.2026, rreth orës 09:30, në rrugën “George W. Bush”, pranë Parlamentit, u zhvillua një tubim gjatë të cilit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre, sende të forta, mjete piroteknike dhe sende të tjera.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 32 shtetas që dyshohet se kanë kryer këto veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. D., A. M., E. K., E. K., V. H., K. P., A. P., D. D., J. A., E. K., Y. T., M. R., V. M., A. B., S. D., E. I., A. S., E. H., E. S., I. D., E. P., C. M., D. T., E. L., F. A., A. Ç., A. Zh., F. S., A. B. dhe I. M., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kapsolla të cilat u gjetën në një qese plasmasi që e mbante shtetasja e arrestuar A. I.
6 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente











