Ndërkohë që protesta e 54-të radhazi kundër tij po zhvillohej para Kryeministrisë, Edi Rama ndodhej në zyrë në katin e dytë të godinës duke shkruar fjalimin që do të mbajë nesër në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Kabinetit Qeveritar.

Këtë e ka bërë vetë me dije kryeministri përmes një videoje në rrjetet sociale, në sfond të së cilës dëgjohet shumë qartë thirrja "Rama jepe dorëheqjen", që protestuesit e mbledhur në bulevardin :Dëshmorët e Kombit" thërrisnin në kor.

Shefi i ekzekutivit ironizon protestuesit duke thënë se e ekzalton thirrja për dorëheqjen e tij, ndërsa fton qytetarët që të ndjekin fjalimin ditën e nesërme.

“Përshëndetje, nuk e di a dëgjoni. Kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë dhe desha të ndaj me ju këtë moment, sepse ky kor Rama jepe dorëheqjen më “ekzalton”. Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë, mbledhja fillon në 09; 30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, shprehet Rama.