TIRANË- Protestuesit që policia arrestoi të enjten në protestën para Parlamentit, teksa zhvillohej seanca plenare, sipas ministri të Brendshëm, nuk ishin paqësor. Në një intervistë për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, Lamallari tha se mes tyre ka edhe me rekorde kriminale.

 "Ishin njerëz që sulmonin jo vetëm punonjësit e policisë me gurë. Janë vandalë, disa me rekorde kriminale. Policia duhet të ndërhyjë jo vetëm për të garantuar sigurinë, por edhe jetën dhe shëndetin e vetë punonjësve të policisë, por edhe gazetarëve të cilët u konfrontuan me protestues, duke mos i lënë të bëjnë detyrën", tha Lamallari. 

Punën e policisë për menaxhimin e turmës së rrezikshme, ministri Lamallari e sheh profesionale.

"Policia ka dëshmuar nivel të lartë të profesionalizmit sa i përket neutralizimit të agresorëve që nuk mund të quhen protestues paqësorë", vijon Lamallari. 

Lamallari është në një linjë me kryeministrin Rama, kur flet për agjentura të huaja që po përdorin protestuesit. Ai thotë se autoritetet kanë mbledhur informacione, njësoj si rasti i Ikballe Hudutit, që u shpall non frata.

"Janë evidentuar kohë më parë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Përfshirë edhe ata që përdoren nga agjentura të huaja. Kemi informacione. Kam shpallur të padëshiruar një person, që nuk ishte shqiptare, sikundër u pretendua. Policia disponon informacione të tilla. Ka shoqëruar persona me rrezikshmëri", thotë ministri për Report Tv. 

Ministri i Brendshëm shpreh bindjen se Huduti mund të mos jetë e fundit “non grata”, nëse do të pikasen raste të tjera të ndërhyrjes kundër interesave të vendit.

"S’do hezitoj të bëj të njëjtën gjë më të tjerë që nuk janë shtetas shqiptarë, por që përfshihen këtu me axhenda që janë në dëm të rrugës europiane të Shqipërisë dhe interesit kombëtar", tha Lamallari. 

Në protestën e së enjtes u dëmtuan 9 oficerë policie, si pasojë e gurëve dhe sendeve të forta të hedhura nga protestuesit. Si pasojë e dhunës, u arrestuan 19 prej tyre, dhe 12 të tjerë po hetohen të lirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:23
BKH arrestime pa Policinë e Shtetit? Ministri Lamallari: Ligji i jep të drejtën të ekzekutojë masat e sigurisë

1783082387_lamallari.jpg

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari komenton në Report Tv aksionet e BKH-së pa Policinë e Shtetit, të paralajmëruara nga vetë kreu i SPAK gjatë raportimeve në Kuvend. I pari rast që u arrestua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte Adi Çoba, në një operacion që u finalizua pa Policinë e Shtetit. Por ndonëse SPAK ka shprehur rezerva për blutë, ministri Lamallari thekon se kjo nuk ka të bëjë me mungesë besimi tek strukturat e Policisë së Shtetit, por se ligji parashikon që edhe BKH të zbatojë masa sigurie.

Besfort Lamallari: Policia e Shtetit vlerësohet nga EUROPOL dhe EURJUST. U vlerësua bashkëpunimi që kanë me autoritetet shqiptare përfshirë Policia e Shtetit, e cila nga viti në vit dëshmon rritje të proaktivitetit të pjesëmarrjes ne operacione të koordinuara nga Europol. Janë vlerësime nga autoritete të pavarura, agjenci të KE. Si a përket bashkëpunimit me SPAK, qëllimi ynë është të forcojmë bashkëpunimin, është detyrim ligjor. Policia e shtetit në zbatim të detyrimeve ligjore, ka mbajtur peshën më të madhe në zbatim të masave të sigurisë, jo vetëm me prokurorinë e përgjithshme por edhe me SPAK. Sa i përket zbatimit të disa masave të sigurisë, si rasti i fundit, për sa kohë ligji e parashikon që para 10 vitesh kur ne miratuam reformën në drejtësi duke i dhënë mundësinë që jo vetëm oficerët e BKH të kenë atributet e policisë gjyqësore, por edhe të zbatojnë masat e sigurisë, unë e shoh si zbatim të ligjit të asaj çfarë ne kemi planifikuar kur konceptuam dhe miratuam reformën në drejtësi.

Nertil Agalliu: Nuk e shihni si mungesë besimi nga ana e SPAK?

Besfort Lamallari: Është detyrim ligjor si për oficerët e policisë gjyqësore, qofshin këta nënpunësit e prokurorisë së përgjithshme apo së posaçme, por ashtu për policinë e shtetit që është aty për të zbatuar çdo masë që i delegohet nga prokurori i çështjes.

Ora 14:21
Ikballe Huduti non grata/ Lamallari për Report Tv: E lidhur me Iranin! S’do kursejmë askënd që përdoret nga agjenturat e huaja kundër Shqipërisë

 

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një intervistë për Report Tv komenton shpalljen e Ikballe Hudutit si person të padëshiruar në Shqipëri, vendim që erdhi pas angazhimeve të saj në protestë. Lamallari thotë në një intervistë për Report Tv se kanë informacione se ajo i shërbente Iranit. AI thekson se nuk do të hezitojë të marrë të njëjtën vendim edhe për persona të tjerë që përdoren nga agjentura të huaja kundër Shqipërisë dhe rrugës së saj europiane.

Nertill Agalliu: Ju keni shpallur Non Grata një shtetase nga Kosova Ikballe Huduti, me argumentin se është e infiltruar nga Irani. E para a keni të dokumentuar këtë pretendim dhe a keni identifikuar persona të tjerë të angazhuar nga shtete te huaja? Sepse ju keni paralajmëruar edhe më herët që do të ketë të tjerë të shpallur “non grata”.

Besfort Lamallari: Vendimmarrja për shpalljen person të padëshiruar, ishte një praktikë që kishte kohë që kishte nisur. Pasi kam administruar informacionin jo vetëm nga Policia e Shtetit, por edhe me agjenci të tjera, kam krijuar bindjen se është rasti për të ndërhyrë duke e shpallur person të padëshiruar. S’do hezitoj të bëj të njëjtën gjë më të tjerë që nuk janë shtetas shqiptarë, por që përfshihen këtu me axhenda që janë në dëm të rrugës europiane të Shqipërisë dhe interesit kombëtar.

Nertill Agalliu: A janë në mbikëqyrjen e policisë?

Besfort Lamallari: Antiterrori monitoron edhe personat që marrin pjesë në protestë, sidomos ata që janë kontingjent për veprimtarinë e tyre.

Nertill Agalliu: A qëndron Irani, Greqia apo Rusia pas protestave? A keni ju prova?

Besfort Lamallari: Kur lajmërova shpalljen non grata të Ikballe Huduti, kam bërë publike disa prononcime të saj përmes televizioneve të ndryshme ku i bëhej propagandë regjimit iranian. Duke marrë parasysh faktin që Kuvendi e ka shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, çdo propagandë ndaj një organizate terroriste, sipas ligjit ka pasoja të tjera. Ky ishte një rast konkret. Nga veprimtaria e institucioneve ligjzbatuese ka informacione të vazhdueshme për elementë që meritojnë vëmendje të posaçme të institucioneve shqiptare. S’do ngurroj për asnjë çast të shkoj me vendimmarrje të tilla, krahas dhunës që bëhet për neutralizimin e tyre edhe nga agjenci ligjzbatuese.