Ish-ministri dhe profesori Arben Malaj nuk është optimist për efektin e protestave të Partisë Demokratike mbi mazhorancën socialiste.
I ftuar në emisionin Frontlinë në Report TV, Malaj analizoi shanset e protestave për të prodhuar ndryshim real politik në Shqipëri.
“Në historinë e zhvillimit të demokracive, të gjitha vendet që përqafuan filozofinë e Reganit dhe Thatcherit, gjëja e parë që bënë është shpërbërja e sindikatave. Është punuar për të zbehur fuqinë e protestave. Krerët që kanë tendenca autokratike kanë mësuar që njerëzit lodhen dhe nuk arrijnë rezultatin që duan. Unë nuk jam optimist për protestat. Objektivi që mund të ketë Partia Demokratike është që me anë të protestave të detyrojë mazhorancën drejt një qeverie teknike, jo si ajo që u bë me marrëveshjen Basha-Rama, por me modelin e Maqedonisë së Veriut që mazhoranca tërhiqet për ti dhënë frymë demokracisë dhe bëhet pjesë e një zgjidhje që është qeveri teknike me mandat të caktuar, e cila duhet bërë vetëm me profesionistë” tha Malaj gjatë një interviste për emisionin Frontline në Report TV.
I pyetur nëse rrëzimi i Ramës kalon më parë nga largimi i Sali Berishës, Malaj tha se kryedemokrati po vë në dyshim trashëgiminë e tij politike.
“Berisha e ka vënë të gjithë trashëgiminë e tij politike e ka vënë në dyshim të madh, sepse po të vëmë re tranzicionin, Berisha gjithmonë ka pasur luftë me liderët politikë të së majtës dhe gjithmonë kemi arritur në pikën që duhet të ikë Nano të vijë Berisha, të ikë Rama që të vijë Berisha, ndërsa nga e majta nuk është përcaktuar ky kusht rotacioni. Por, e majta ka përcaktuar faktin që vazhdimi i dominimit të PD-së nga Berisha është pengesë vetë për PD, që ka ardhur duke u dobësuar” tha ai.
Duke komentuar miratimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës, Malaj tha se, po të ishte në vend të opozitës, do të kishte abstenuar. Sipas tij, PD duhet ta kërkojë fitoren duke krijuar besim brenda vendit.
“Nëse do të isha në vend të opozitës do të kisha abstenuar. E çuan vetë deri në atë pikë, sa do të ishte vijë e kuqe nëse do të votonin apo jo. Tregon edhe një ndrojtje se si do të reagojë presidenti Donald Trump, i cili duhet respektuar, por këto nuk janë votime thjesht për Trump. Nuk do të kishte asgjë që të abstenonin dhe as do të ishte keq as për Shqipërinë, sepse nëse nuk abstenojnë dhe për probleme që janë shumë agresive për një kohë të gjatë, do të thotë që demokracia nuk funksionon dhe ata përshtaten me momentet dhe krijohet bindja sikur fitorja do na vijë nga jashtë. Trump e ka ndryshuar pozicionin e SHBA-ve në raport me vlerësimet për demokracinë. Sekretari i Shtetit ka ndaluar ambasadat amerikane në çdo vend të botës që të mos bëjnë më vlerësime pozitive apo kritike për zgjedhjet. Opozita duhet ta kërkojë fitoren duke krijuar besim këtu. Fakti që votoi atë që në gjuhë popullore ‘e kishte pështyrë aq shumë’ i ul kredibilitetin” tha Malaj.
Duke komentuar edhe gjuhën e përdorur nga Rama në parlament në momentin e votimit të marrëveshjes së Bordit të Paqes, Malaj e cilësoi atë përçmuese dhe tha se kryeministri duhet të ulë gjakrat dhe të ndryshojë qasje ndaj opozitës, nëse synon stabilitet politik dhe dialog real.
Komente











