347 persona është bilanci i të lënduarve nga protestat e dhunshme të dy javëve të fundit. Ministri i Brendshëm Ervin Demo bën me dije se nga këta, 107 janë protestues, ndërsa 39 kalimtarë e mes tyre gazetarë.

Në rastet e tejkalimit të proporionalitetit të dhunës, ai thekson se Policia e Shtetit ka marrë masat dhe ka vënë nën hetim 7 punonjës.

“Javët e fundit kanë qenë dhumë sfiduese për policinë e shtetit dhe një bilanc negativ për të lënduar. 347 janë të lënduar dhe në fillim unë nuk do të doja të bëja diferencim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo kalimtarëve. 107 protestues të lënduar, 39 kalimtarë të lënduar, përfshirë edhe gazetarë. Këto shifra janë një kambanë alarmi sa i përket nivelit të dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese, ashtu si dhe ndërhyrjen proporcionale. Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat e duhura, 7 punonjës të pezulluar dhe nën hetim, por edhe AMP është duke punuar në dhjetëra raste që janë referuar nga qytetarë apo hetim për raste specifike”, tha Demo.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:33
Pengimi i gazetarëve nga policia gjatë protestave, Hita: Liria e profesionit duhet respektuar, çdo shqetësim trajtohet sipas ligjit (VIDEO)

 

Në fjalën e tij krah ministrit Ervin Demo, kryepolici Skënder Hita u ndal te raportimet për pengim të raportimit të medias nga policia. Hita theksoi se duhet të respektohet e drejta e përfaqësuesve të medias për të ushtruar lirisht profesionin.

Çdo shqetësim apo pengim i kësaj të drejte, do të trajtohet sipas ligjit, garantoi ai.

“Gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët kryejnë një mision me interes publik, shpesh në rrethana të vështira dhe me rrezik të shtuar, ndaj e drejta e tyre për të ushtruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin duhet të respektohet dhe të mbrohet. Bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të medias duhet të mbështetet në respektin e ndërsjellë, komunikimin e vazhdueshëm, transparencën dhe përgjegjësinë profesionale. Veçanërisht gjatë tubimeve dhe situatave që shoqërohen me tensione apo akte dhune, është e domosdoshme të forcohet koordinimi në terren, përmes një komunikimi të qartë dhe në kohë ndërmjet shërbimeve policore dhe përfaqësuesve të medias. Ky bashkëpunim duhet të garantojë njëkohësisht ushtrimin e papenguar të veprimtarisë gazetareske dhe respektimin e masave të ligjshme të sigurisë, të cilat synojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë personave të pranishëm. Udhëzimet e shërbimeve policore, respektimi i perimetrave të sigurisë të vendosur në përputhje me ligjin dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në terren janë elemente të rëndësishme për parandalimin e incidenteve, pa cenuar të drejtën e medias për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet me interes publik. Po kështu, çdo shqetësim apo pretendim për pengim të punës së gazetarëve ose për sjellje të papërshtatshme nga punonjës të Policisë trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me procedurat ligjore. Dua të theksoj se siguria e gazetarëve dhe liria e informimit nuk janë në kundërshtim me garantimin e rendit publik. Përkundrazi, ato janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku, përmes profesionalizmit, mirëkuptimit dhe respektimit të ligjit. Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar kushtet e nevojshme që gazetarët të ushtrojnë të lirë dhe të sigurt profesionin e tyre, duke qenë njëkohësisht e hapur për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të medias”, tha Hita.

Ora 16:19
Protestat, Hita: 201 punonjës policie të lënduar! Kemi identifikuar 52 persona për veprime të dhunshme (VIDEO)

 

Kryepolici Skënder Hita tha se gjatë këtyre dy javëve kryeqyteti është përballur me akte dhune.  Hita u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në protesta të paligjshme.

“Në këto dy javë jemi përballur me akte dhune, 201 punojës policie kanë ngelur të lënduar dhe të plagosur.  Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit. Materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.

Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm të kryer gjatë dy javëve të fundit, përfshirë ato që kanë vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve.

Dëshiroj të përsëris edhe një herë thirrjen time publike, në radhë të parë për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre", tha Hita.

Ora 16:17
Protestat e dhunshme, Demo: Kamera trupi për Policinë Tiranë, faktojmë dhunën! Kemi identifikuar protestuesit e maskuar (VIDEO)

 

Për të monitoruar reagimin e policisë ndaj protestuesve, ministri Ervin Demo bëri me dije se do të vendosen në funksion kamerat e trupit, fillimisht për Policinë e Tiranës.

“Kamerat e trupit, shumë shpejt do t’i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë Tiranë. Do të kemi përdorimin e imazheve për të faktuar edhe dhunën. Jemi duke parë mundësinë për të fuqizuar komunikimin brenda strukturave me radiot e reja”, tha Demo.

Tashmë, me ndihmën e teknologjisë është mundësuar edhe identifikimi i protestuesve të maskuar.

“Kemi identifikuar identitetin e tyre dhe po ndërmarrim hapat ligjorë. Do t’i bëja thirrje edhe Prokurorisë e Gjykatës që ata që kanë kryer dhunë, të kenë një standard sa i përket përgjegjësisë ligjore që duhet të përballen”, tha Demo.

Ora 16:14
Të miturit në protestat e dhunshme, Demo: U përdorën në vijën e parë! 269 të shoqëruar nën 18 vjeç

1793372967_ervindemo.jpg

Ministri i Brendshëm Ervin Demo shprehu shqetësim për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme. Deri më tani janë shoqëruar 269 të mitur.

“Shqetësuese përfshirja e të miturve në akte dhune, në vijën e parë. 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së miri sfidën ndërinstitucionale për të adresuar këtë fenomen shqetësues për të adresuar një plagë. Për të miturit duhet të gjejmë rrugën, mbështetjen e duhur që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëe të fundit”, tha Demo.

Ora 16:10
Demo: Nuk tolerojmë kërcënimet ndaj efektivëve! Policia nuk është për t'u përballur dhunshëm me qytetarët, por për sigurinë e tyre (VIDEO)

Ministri Ervin Demo gjatë një konference për shtyp  tha se policia nuk është në protesta për t'u përballur me qytyetarët, por për sigurinë e tyre.

Policia e Shtetit nuk është aty, për t'u përballur dhunshëm me qytetarët. Është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Dhe këtë, ne duhet të jemi të gjithë të qartë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të gjithë mbështetës, për sa i përket rolit të Policisë së Shtetit.

Ne kemi konstatuar gjatë këtyre javëve një dhunë, e cila nuk ka qenë e drejtuar vetëm kundrejt institucioneve shtetërore, por ka qenë kundrejt subjekteve private, kundrejt institucioneve të pavarura, por dhe individëve, kalimtarëve të ndryshëm të cilët kanë qenë në protestë. Atje ku ka vend për ndërhyrje, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë për të garantuar transparencën dhe përgjegjësinë e secilit", tha Demo.

Ai shtoi se Policia ka referuar disa raste, përsa i përket kërcënimeve që i janë bërë drejtuesve apo punonjësve të caktuar të Policisë. Ministri nënvizoi se këto akte janë të paprecedentë dhe nuk do të tolerohen.

"Do më duhet të përmend një fakt shqetësues: presionin e ushtruar kundrejt Policisë së Shtetit, jo thjesht në ushtrimin e detyrës si rrjedhojë e dhunës, por mbi të gjitha patjetër dhe sulmeve mediatike, por edhe atyre në rrjetet sociale.

Policia e Shtetit ka referuar raste specifike, përsa i përket kërcënimeve që i janë bërë drejtuesve të caktuar apo punonjësve të caktuar të Policisë së Shtetit nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet e komunikimit publike për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe organizimin dhe bërjen thirrje të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ky është një akt i paprecedentë, është një akt i cili nuk do të tolerohet dhe ne do të ndjekim të gjitha hapat e duhura ligjore, për të garantuar që çdo punonjës i Policisë së Shtetit ta ushtrojë detyrën dhe përgjegjësitë që ka, duke pasur mbrojtje të plotë ligjore", tha Demo.