Protestuesit e kanë refuzuar thirrjen për dialog të qeverisë, por pavarësisht kësaj kryeministri Edi Rama premton sërish reflektim për ato që i konsideron shqetësimet reale të artikuluara në Bulevard prej tashmë 36 ditësh.

Hapi i parë, është ngritja e një ekipi pune që sipas tij po mban shënim të gjitha ato që duhen dëgjuar nga protesta. 

"Një ekip pune po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: "ujin e rrjedhshëm" të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe "koren e zezë" të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri", tha Rama.

Protestuesve, që revoltën e nisën ndaj projektit të Zvërnecit dhe Sazanit e që Rama përsërit se po kundërshtohet pikërisht se pas tij është dhëndri i Presidentit të SHBA Trump, u siguroi se garanti ndaj këtyre projekteve është Komisioni Europian.

"Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t'u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje. "siguresa" për të gjithë ata që janë të shqetësuar është aty; është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian", shtoi Rama.

E palogjikshme sipas Ramës është të mendosh se për një projekt vihet në rrezik integrimi në Bashkimin Evropian.

"Ky mision historik nuk është i krahasueshëm dhe i barazvlefshëm me asgjë, nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian", tha Rama.

Kjo protestë evidentoi kreu i qeverisë, po shfokuson vëmendjen edhe nga çështje të tjera me shumë rëndësi siç ishte gjatë javës rishikimi i buxhetit ku u aprovua bonus për pensionistet si dhe u dyfishua mbështetja për personat me aftësi të kufizuar dhe ai për fëmijët me aftësi të veçanta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:52
Rama: Forcat e Armatosura në fazë të re, nis rilindja e industrisë ushtarake

 

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”, deklaroi se Forcat e Armatosura kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi, që sipas tij nuk lidhet vetëm me fuqizimin e mbrojtjes, por edhe me rilindjen e industrisë ushtarake në vend.

Rama theksoi se partneriteti me kompaninë Fincantieri është zgjeruar, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë.

Sipas tij, në kantierin e ri të Pashalimanit do të krijohet një bazë prodhuese që do të kërkojë rreth 500 të rinj dhe të reja për punësim, duke e bërë të domosdoshëm trajnimin e tyre paraprak.

“Kemi hyrë në një fazë të re në historinë e Forcave të Armatosura. Nuk bëhet fjalë vetëm për fuqizimin e sistemit mbrojtës, por për rilindjen e industrisë ushtarake. Në kantierin e ri të Pashalimanit do të nevojiten 500 të rinj, ndaj kemi nisur bashkëpunimin për trajnimin e tyre”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se synimi është krijimi i një zinxhiri të qëndrueshëm profesional për industrinë e mbrojtjes në vend.

Ora 10:18
Akti Normativ për buxhetin 2026, Rama: Bonus për pensionistët, më shumë fonde për të sëmurët me kancer dhe rritje pagash

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e ekonomisë përtej parashikimeve i ka dhënë mundësi qeverisë të miratojë një paketë të re masash mbështetëse për qytetarët, përmes Aktit Normativ të buxhetit 2026.

"Kryeshënimi i javës ishte, pa diskutim, akti normativ i qershorit, ku edhe një herë tjetër ekonomia, e cila po rritet përtej parashikimeve, duke sjellë të ardhura përtej parashikimeve, na dha mundësinë që të dalim me një sërë masash në shërbim të drejtpërdrejtë të njerëzve dhe në respekt të të gjithë atyre që kërkojnë, me shumë të drejtë, akoma më shumë nga qeveria dhe nga shoqëria, përmes qeverisë.

Aprovuam një bonus për pensionistët. Një kujtesë këtu, sepse duhet kujtuar herë pas here ndonjë gjë, edhe pse kujtesa bëhet gjithmonë e më e shkurtër dhe gjithmonë e më shumë janë ata që nuk duan t'ia dinë se nga po vijnë. Por e thotë bukur Çurçilli që "kush harron se nga po vjen, nuk ka idenë se ku po shkon". Kujtesa është që vjet u tha se bonusi i pranverës për pensionistët, i cili kishte të njëjtën logjikë, pra rritjen e ekonomisë dhe parimin që, në momentin kur ekonomia rritet dhe ne arrijmë t'i plotësojmë ato që kemi parashikuar e na mbetet diçka, ajo që mbetet duhet të ndahet me ata që kanë më shumë nevojë dhe pensionistët janë në radhë të parë ata. "E bënin për fushatë", thanë. Jo. Ne nuk kemi asnjë fushatë. Fushatën tjetër e kemi në 2029-ën. Kështu që pensionistët morën një tjetër bonus, ku u fut edhe çdo qindarkë e përfituar nga rritja e panatyrshme e çmimit të naftës, si rezultat i krizës së luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit dhe asaj që ndodhi në Ngushticën e Hormuzit.

Pra, ne nuk futëm në buxhet asnjë qindarkë që erdhi më shumë nga taksat mbi naftën, por ua dhamë ato pensionistëve. Po kështu, ne vendosëm në dispozicion të të sëmurëve me kancer 15 milionë euro të tjera për medikamentet e tyre dhe vendosëm po ashtu rritjen e pagave të mjekëve të urgjencës. Heronj të vërtetë! Vendosëm rritjen e garancisë sovrane për programin kombëtar që fillon së shpejti, të dyfishimit të ndërmarrjeve. Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar.

Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta. Kujtoj se vjet, falë edhe një gafe që unë bëra, për të cilën kërkova ndjesë, u bë problem çështja e fëmijëve autikë. Unë u zotova në atë fushatë se do ta dyfishonim mbështetjen për ta dhe e bëmë. Ashtu sikundër u dhamë edhe kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar apo të fëmijëve me aftësi të veçanta një mbështetje që ata e kërkonin prej kohësh, pa llogaritur këtu pastaj edhe pjesët e tjera që shkuan në drejtim të zhvillimit rural dhe të zhvillimit urban", tha Rama.

Ora 10:01
Rama: Një ekip po dëgjon me vëmendje gjithçka duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit

 

Kryeministri Edi Rama në podcasttin 'Flasim' tha se një ekip po dëgjon gjithçka që po bëhet te protesta në bulevard. Kreu i qeverisë shtoi se në atë protestë ka dy lloje kategorish: ata që kanë halle reale dhe pjesa tjetër janë zemërakët.

“Unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: "ujin e rrjedhshëm" të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe "koren e zezë" të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri", tha Rama.

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lutfi: 05/07/2026 17:33

    O Rame 5 gjera jane gjithesej nuk te duhet nje ekip.

    Përgjigju