Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei i bëri thirrje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të përqendrohet në problemet e vendit të tij, gjatë një fjalimi televiziv të premten, ndërsa protestat antiqeveritare po përhapen në të gjithë vendin.

Në komentet e tij të para publike që nga fillimi i demonstratave, Khamenei tha se populli i bashkuar iranian do i mposhtë armiqtë.

“Ka disa që duan t’i bëjnë qejfin presidentit amerikan duke shkatërruar pronën publike. Një popull iranian i bashkuar do t’i mposhtë të gjithë armiqtë. I bëj thirrje urgjente Trumpit që të përqendrohet në problemet e vendit të tij.

Republika Islamike erdhi në pushtet nëpërmjet gjakut të qindra mijëra qenieve njerëzore fisnike. Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë atyre që kërkojnë të na shkatërrojnë", theksoi Khamenei.

Komentet e udhëheqësit suprem vijnë menjëherë pasi Trump përsëriti kërcënimin e tij të enjten për të sulmuar Iranin nëse forcat e sigurisë vrasin protestuesit.