Teksa theksoi sërish se resorti në Zvërnec do të ndërtohet patjetër, kryeministri Edi Rama tha sot se protestat kundër investimit në Tiranë dhe qytete të tjera, po dëmtojnë turizmin. Sipas kreut të qeverisë, për shkak të këtyre tubimeve, operatorët turistikë kanë njoftuar anulimet e para të rezervimeve të bëra nga turistët e huaj.

Sa i përket takimit që zhvilloi pak ditë më parë me banorët e Zvërnecit, mes tyre edhe pretendentë për toka që i janë drejtuar edhe gjykatës, shefi i ekzekutivit tha se ishte një bashkëbisedim shumë normal dhe qytetar që qartësoi disa pikëpyetje të ngritura nga zhvillimet e ditëve të fundit.

"Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay? Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay? Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: 'Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë'",- tha Rama.

Rama vuri sërish në dyshim edhe sinqeritetin e protestës së ngritur kundër investimit, duke thënë se në mesin e saj dominojnë personazhe të njohur në rrjetet sociale që shfrytëzojnë situatën për të gjeneruar like dhe klikime që më pas konvertohen në para për ata, por edhe të "marrë që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror. Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike."

"Kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit. Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë. Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane",- tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:27
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Malin e Zi, Rama: E shmanga prej vitesh Tivatin, nuk doja të shihja 'Porto Montenegro', mundësinë që humbi Shqipëria

1780821082_edirama47.JPG

Kryeministri Edi Rama tha sot se për vite me radhë kishte shmangur vizitën në Tivat, pasi nuk dëshironte të shihte nga afër Porto Montenegro, projektin që sipas tij mund të ishte ndërtuar në Durrës, por që përfundoi në Mal të Zi.

Në rubrikën e tij "Shënimet e javës", duke komentuar pjesëmarrjen në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Rama tha se kishte krijuar një lloj “fiksimi emocional” për të mos shkuar në qytetin malazez.

“Nuk doja ta shikoja Porto Montenegro-n, sepse është një top që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe ka përfunduar në Mal të Zi”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit, investitori që ndërtoi kompleksin luksoz në Tivat kishte planifikuar fillimisht ta realizonte projektin në Durrës, pranë amfiteatrit romak, por u largua nga Shqipëria për shkak të kërkesave për përfitime personale nga pushtetarët e asaj kohe.

Megjithatë, Rama vlerësoi samitin e zhvilluar në Tivat si një nga takimet më të rëndësishme të kohëve të fundit për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ai theksoi se Shqipëria u vlerësua nga partnerët europianë si një vend pranë anëtarësimit në BE dhe si një shtet që ka bërë progres të dukshëm në procesin e integrimit.

“Shqipëria u vlerësua si një vend që është pranë anëtarësimit. Vlerësimi është maksimal, mbështetja është maksimale, por punën duhet ta bëjmë vetë”, deklaroi Rama.

Ora 10:16
Rama: Shqipëria në krye të Forest Europe, dëshmi e transformimit të vendit në mbrojtjen e mjedisit

1780820337_WhatsAppImage20260607at10.09.42.jpeg

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar si një arritje të rëndësishme zgjedhjen e Shqipërisë në krye të platformës paneuropiane Forest Europe për mandatin 2026-2030, duke theksuar se ky është një tregues i qartë i transformimit që vendi ka pësuar në mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e burimeve natyrore.

Në rubrikën e tij 'Shënimet e javës:, Rama tha se Shqipëria ka marrë stafetën nga Suedia në drejtimin e forumit që bashkon Bashkimin Europian dhe 45 vende të kontinentit në fushën e pyjeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas tij, një zhvillim i tillë do të kishte qenë i paimagjinueshëm dhjetë vite më parë, kur vendi përballej me gjuetinë e paligjshme në zonat e mbrojtura, prerjen masive të pyjeve dhe mungesën e kontrollit mbi pasuritë natyrore.

"Pra, fakti që, besoj, nuk e imagjinojmë dot të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në të gjitha aspektet e tjera, që nuk imagjinojmë dot se Shqipëria do të merrte kryesimin e Forest Europe 10 vjet më parë, por e merr sot duke marrë stafetën nga Suedia me bekimin e të gjitha vendeve, me një mbështetje shumë të zëshme në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të na thotë diçka edhe për të sotmen, duhet të na thotë diçka edhe për mënyrën se si në të sotmen qeverisin dhe udhëheqin ata të cilët e kanë bërë këtë transformim. Dhe dua t’ju them, që Shqipëria njëkohësisht ka marrë edhe një lajm tjetër jashtëzakonisht, jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të bukur në këtë atmosferë kaq të ndezur me ngjyrën e flamingove, një lajm që duhet t’i gëzojë të gjithë. Fakti që këtë javë Shqipëria ka marrë edhe një tjetër lajm të mirë, përfshirjen e liqenit të Shkodrës në biosferën e UNESCO-s. Një tjetër shembull domethënës që në Shqipëri nuk qeverisin forca, apo nuk qeveris një forcë që shkatërron; qeveris një forcë që ndërton. Nuk qeveris një forcë që abuzon me mjedisin dhe me trashëgiminë natyrore apo kulturore, por qeveris një forcë që, në të kundërt, kërkon që t’i harmonizojë të dyja bashkë, sepse të mendosh që zgjidhja është ose të konservosh, ose të ndërtosh, do të thotë të mos kesh kuptuar asgjë nga të gjitha zhvillimet e dekadave të fundit dhe, mbi të gjitha, të mos kesh kuptuar asgjë nga domosdoshmëria që njerëzit të rrisin mirëqenien e tyre, duke vënë në funksion të rritjes së mirëqenies edhe burimet natyrore. Por, nga ana tjetër, që burimet natyrore të mund të jenë aty për njerëzit, duhet të jenë nën kujdesin, nën përkujdesjen, nën sytë e njerëzve për t’i ruajtur, për t’i mirëmbajtur, për t’i ushqyer dhe për t’i bërë ende më të vlefshme, qoftë në atë çka ato paraqesin, qoftë në atë për çka ato shërbejnë",- tha Rama.