Edi Rama zhvilloi sot një takim me socialistë të Qarkut Shkodër me rastin e 35-vjetorit të kësaj force politike. Duke folur për protestat që zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të resrtit në Zvërnec. Rama tha se protesta po përshkallëzon në gjuhë urrejtje.

"Është kollaj të vishesh për flamurin, edhe më kollaj të marrësh një flamur dhe ta lidhësh në qafë për t’u dukur patriot. Është edhe më kollaj të bërtasësh e të këndosh këngë patriotike. Por patriotizmi nuk ka aspak lidhje me faktin që të gjitha këto t’i përdorësh për të sulmuar, për të bërë çmos që të hedhësh sa më shumë baltë dhe të lëshosh të gjithë gurët e mundshëm ndaj atyre që nuk mendojnë si ti",- tha Rama.

Kryesocialisti dhe kryeministri ngriti pyetjen se përse protestuesit që sot bërtasin se Shqipëria është në rrezik, deri një dekadë më parë nuk reagonin për problemet ulëritëse.

"Ata nuk duan të dinë që të gjithë ata që janë në kafene mund të kenë qenë gjithë ditën në punë. Jo, çohuni e hajde me ne për Shqipërinë e re. Si patriotë, këta u zgjuan në një ditë dhe u bënë ambientalistë.

Ku ishin këta kur në Shqipëri gjuhej ilegalisht? Ku ishin kur vriteshin përditë zogj dhe kafshë që normalisht janë specie të mbrojtura? Ku ishin kur Shqipëria kishte në fuqi ligjin e importit të plehrave? Ku ishin kur pyjet ishin shndërruar në vende ku dëgjohej vetëm sharra elektrike?

Nuk i kërkon askush llogari atyre që asokohe ishin 10 vjeç. Por unë nuk e kam me ta. E kam me ata që po bëjnë çmos që ta marrin peng dhe ta çojnë në një drejtim të panjohur atë sensibilizim të natyrshëm dhe krejt legjitim që papritur u zgjua për diçka që, sipas tyre, duhet rrëzuar e ndaluar, sepse morën vesh që ekziston një plan djallëzor për të shitur Shqipërinë',-tha Rama.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i themelimit të PS Shkodër, Rama shkon i veshur me një bluzë me flamingo: Duan të përzënë investitorët e huaj dhe ta kthejnë vendin në rezervat për blogerët e influencerët