Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbrëmjen e sotme lidhur me protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe për listën me kërkesa të paraqitur dje në tubim nga Dritan Goxhaj.

Për ish-deputetin e PS, Petro Koçi, kërkesat e paraqitura ditën e djeshme në protestë, janë të njëjtat kërkesa të paraqitura prej kohësh nga kryedemokrati Sali Berisha dhe PD.

Më tej Petro Koçi tha se brenda protestës ka disa grupime, politike dhe jopolitike, që përpiqen të kapitalizojnë përfitimet e veta, përmes pjesëmarrjen në këto tubime.

“Kërkesat janë kërkesat historike të PD-së që kur doli në opozitë dhe deri tani. Pra tërë jetën kanë kërkuar të ikë Edi Rama, qeveri teknike, etj. Dhe të dalë tani Dritan Goxhaj, që unë e njoh si personazh të së majtës dhe të lexojë kërkesat e PD-së, mua më duket një absurditet. Një lëvizje që pretendon të jetë politike, sepse ata e kanë harruar Zvërnecin... Aty ka organizata joqeveritare, ka brenda politikanë të partive të vogla, të dështuar deri tnai. Prandaj ke aty 3 partiçka të vogla”, tha mes të tjerash Koçi.

Ndërkohë për ekspertin Faik Basha, pjesëmarrja në këtë protesta që po zhvillohen është shumë e ulët.

Sipas Bashës, Shqipëria nuk mund të kthehet në epokën e gurit, për shkak të rreth 100 personave, që sipas tij dalin në protestë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

“Këtu s’bëhen 100 burra në total. Ti mendon që me kaq njerëz, me kaq qytetarë të Republikës së Shqipërisë, ne duhet ta kthejmë Shqipërinë në epokën e gurit?”, tha mes të tjerash Basha.

Ndërkohë, për avokatin Përparim Caca, protestat po zhvillohen kundër establishmentit politik që po drejton Shqipërinë prej vitesh.

Caca tha gjithashtu se protestat kanë arritur disa suksese, që sipas tij janë të pamohueshme.

“Unë mendoj se kërkesat nuk janë të Dritan Goxhajt, por janë të atij grupi që pretendon se po drejton protestën. Ai ka qenë aty për t’i lexuar. Pse kanë dalë ata njerëz në protestë? E vetmja gjë është që kjo protestë ka arritur disa suksese. E para është që e hoqëm atë mendimin se vetëm partitë i nxjerrin njerëzit në shesh. Nuk është kështu, ja që dalin edhe vetë. Tjetër që presioni ka qenë goxha i madh, saqë kishim edhe një amendament të BE-së lidhur me ligjin për zonat e mbrojtura, i cili është fakt tashmë dhe produkt i kësaj proteste. Zvërneci ishte indicie për nisjen e protestave. Më duket më shumë si një protestë anti-establishment”, tha mes të tjerash Caca.