Sali Berisha i ndoqi nga Viena përplasjet para Kuvendit mes protestuesve dhe policisë, por në daljen e parë para mediave, pas kthimit nga samiti i Partive Popullore Europiane nuk ngurroi të bënte fajtore policinë.
“Egërsi shtazore. S'ua di emrat, përveç Goxhajt që e ka shpallur Edi Rama agjent të SHIK-ut, po ata të tjerë me radhë, me radhë, absolutisht nuk po kryenin asnjë akt dhune. Vërsulja me tërbim ndaj tyre... ajo skena me atë djalin me bluzë të zezë, ajo rikujtonte skenën e Zvërnecit”, tha Berisha.
Ai thotë se protesta po synohet të deligjitimohet ndërkombëtarisht nga kryeministri Edi Rama.
“Ka shpërndarë me qindra dhe mijëra mesazhe në të gjithë elitën evropiane, në të cilat e paraqet lëvizjen e idealeve më fisnike të të rinjve shqiptarë, si një lëvizje të organizuar dhe të frymëzuar nga Garda Revolucionare famëzezë e Iranit në një përpjekje për ta damkosur ndërkombëtarisht këtë lëvizje. Edi Rama po përpiqet me çdo kusht ta përlyejë pa asnjë fakt, bazë apo dokument”, vijoi Berisha.
Protestat anti-qeveritare thotë kryedemokrati u mbështetën edhe në samitin ku ai mori pjesë. Ky samit doli edhe me një raport, që sipas Berishës sugjeron qeveri teknike si garanci për zgjedhje të lira.
Komente









