“Që më 1896 e deri më 1910 kam parë disa dyzina Shoqërish Shqiptare të lindin, të vikasin, të rriten pakë dhe të vdesin. Shumë herë kam pyetur vetveten : vallë pse s’rrojnë – edhe kur rrojnë vallë pse s’përparojnë?”
“Pa dyshim një nga shkaqet e para është karakteri i shqiptarëvet, të cilët individualistë të mësuar të rrojnë e të veprojnë veç e veç, nuk janë të zotët të lidhen për një qëllim të përbashkët, të dëgjojnë dhe të pyesin njëri tjetrin. Shoqërimet janë të rralla në historinë tonë ; edhe kur kanë ngjarë, i ka bërë nevoja e çastit, e cila, posa shkoi ka zgjidhur edhe lidhjen. Merrni pak me mënd ku do t’ishim sot, sa do të kish përparuar Shqiptarësia, sikur Lidhja e Madhe e vitit 1879, e shkaktuar nga Kongresi i Berlinit (shihni DIELLIN N. 31, faqe 1) dhe e trajtuar nga Hodo beg Bushatllia me Kapidanin e Mirditës Prenk Pashën – të kish mbetur, qoftë fshehtazi, qoftë jashtë, të kish qënë e organizuar, të kish punuar dhe të rronte deri në ditë të sotme!”
Pasi zhvillon virtutërisht mos rritjen dhe mos rregullimin e shqiptarëve, në pikpamje Lidhje ose Shoqërie, hedh dritë mbi më të mëdhenjtë lajthime që bëjnë shqiptarët, duke i hapur dyert e Shoqërive çdo njeriu, të cilin pa e peshuar sa derhem vjen, i lëshojnë dhe vëndin e kryesisë!..... Dhe përfundon duke thënë :
“Dhe mos pakësoni me të pa drejtë vlerën e fjalëve aë them, duke besuar se janë mendime të lindura nga zemërimi i çastit. Jo. Këto fjalë i kam thënë disa herë te ALBANIA. Nuk mbahen Shoqëritë me demënte të turbullta në krye. S’godit njeri. Flas përgjithësisht. Heq një mësim. Blatoj një konkluzje për fitim të shqiptarëvet, të vetmit që mund të kenë dhimbje për Shqipërinë”.
Të pëlqyera sa edhe diturake janë këta mendimet, prandaj u erdhi koha sot që t’i përsërisim, duke marrë shkak nga bashkimi që po mundohemi të goditim ne, shqiptarët e Shteteve të Bashkuara. Shpesh lindet një pyetje : pse nuk përfundoi bashkimi që prisnim më 24 të Shën Ndreut? Pseja është kjo : cilido shqiptar që gëzon shtetin e udhëheqjes, ose që ka ato pretenca, ka bërë një parti më vete të tij, për të mos i humbur titulli i shkretë! Gjithashtu dhe Shoqëritë kanë secila zyrtarët e tyre, të cilët dhe ata s’duan të humbasin titujt!!
Me këto sisteme ndarëse dhe të padobishme, duke vepruar shqiptarët, s’kanë mundur kurrë, me shërbimet e tyre të plota, të sjellin atë pemën e bukshime, sepse sëmundja e titujve i ka shtyrë gjithmonë të punojnë edhe kundra qëllimit të tyre ; fjala bie kur shohin që u rrezikohet shteti që përmëndëm. Historia e jetës sonë rrëfen pa masë të këtilla ngjarje, të cilat na kanë sjellë dëme të mëdha për popullin tonë. Prandaj duhet të kemi bindje se ndryshe e kemi pisk.
Le të flasim tani për bashkimin, shkaqet e të cilit që nuk u krye, janë pa dyshim fjalët që thashë më sipër, se përvumjet e igjetëvet shqiptarë në mbledhjen e madhe të Bostonit u rrëfyen fare të pa zemërta, të turbullta dhe etja për bashkim fare e shuar. Shoqëritë heshtën, një heshtje e thellë! Rrëfyen një ironi të madhështuar, përveç dy a treve të cilat u shfaqën për bashkim.
Nuk jemi të shumtë të themi që cilado Shoqëri dhe cilido udhëheqës me adhuronjësit e tyre që s’kanë edhe ata mendimet e tyre për të mirën e atdheut, po mendimet, or zotërinj të dashur, të secilit lipset të shpallen, të shfaqen në dritë, të vihen në bisedim tek të gjithë opozicionet, që kësisoj të zgjidhet një më i miri, i pëlqyer prej të gjithë partivet, se koha më s’na pret për të vepruar ndarësisht.
Kur shohim që, në gjithë këtë periudhë të gjatë pune, Shoqëritë tona lindin, vikasin rriten dhe vdesin, pse nuk bëjmë një të fortë e jetëgjatë ? Përgjigja e kësaj është e thjeshtë : s’duam, s’na le egoizmi, na mbyt nakari. Më 1910, kur grekët bënë kryengritjen në Gudi për veprën e përmirësimit dhiato anorthotikon ergon, që u vu në pushtet diplomati kretas z. Venizello, ana e opozitës, Theotakasit, Mavromihalasit, Balazit etj. i mbyti nakari dhe s’dinin se ç’të përdornin, sa i vunë dhe dinamit në hekurudhë, që t’a shuanin fare prej faqes së dheut burrin e shtetit, të vetmin diplomat të Greqisë. Për fat të zi këto sëmundje mushkëringrënëse i kemi parë dhe i shohim në rreth tonë!
Po, o udhëheqësit e Shqipërisë së mjerë, ju betojmë për emrin e shtrenjtë të Shqipërisë, flakini tej mëritë e veçanta personale që ushqeni për njëri tjetrin, përpara bashkimit shpëtimtar s’ka gjë më të fitimshme për juve. Populli tërë shpresat i ka hedhur mbi ju dhe po pret me padurim lajmin gazmor të BASHKIMIT TË FORTË. Vëllezërit tanë, shqiptarët, në Shqipëri e gjetkë, i ka mbytur lumturia, që kur dëgjojnë për bashkimin e shqiptarëve t’Amerikës dhe armiqtë i zuri data e belaja. Mos u trembni, as mos jeni aspak në dyshim për titujt, se ju sigurojmë që populli u zgjua nga letargjia e gjatë dhe ata patriotë që meritojnë shtet të lartë i njeh, i nderon, i respekton dhe s’i largon kurrë nga tryeza.
Southbridge, Mass., 25 janar 1912 SHKËMBI I MBLETËS
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)