Pse u la paskajorja jashtë standardit
në diskutimet e viteve ‘52, ‘57 dhe ‘72

Pse u la paskajorja jashtë standardit<br />në diskutimet e viteve ‘52, ‘57 dhe ‘72
Në botën shqiptare të gjithë mendojnë se janë ekspertë për gjithçka. Japin edhe mendime për gjuhën, por nuk shkruajnë dot një fjali të plotë pa gabime ortografike. Është koha e harbutit dhe injorantit, – thoshte një dashamir i gjuhës shqipe në blogun e tij në internet, duke marrë shkas nga përpjekjet e ethshme për ndryshime arbitrare në kodin standard të shqipes.  

Në çështjet e gjuhës janë përzier e përzihen shpeshherë jo vetëm njerëz që nuk marrin erë fare nga gjuhësia, por edhe institucione që kujtojnë se marrin vesh nga gjuhësia dhe mendojnë se mund të bëjnë me gjuhën çfarë të duan. I tillë është dhe një organizëm i quajtur Këshilli Ndërakademik i gjuhës shqipe, formuar më 1994 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me një “Platformë” që i jep vetes të drejtën për ndryshime në standard. Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe të merren institucionet tona shkencore e kulturore me gjuhën, madje kjo duhet të jetë dhe detyrë e tyre primare, veçse nuk ka të drejtë kurrkush që në emër të një grupi të formuar ad hoc të prekë në kodet nacionale një materie aq të ndjeshme siç është rasti i shqipes standarde.

Ç’është e vërteta, gjuha nuk është një kod i krijuar njëherë e përgjithmonë, që nuk pëson zhvillime e ndryshime. Përkundrazi, gjuha si materie e gjallë ndryshon bashkë me njerëzit që e flasin atë. "Gjuha është gjithmonë në proces dhe ndryshim të vazhdueshëm. Ne sot nuk flasim më si në kohën e Gëtes, – thotë Lena Stadler, – Kështu që gjuha ndryshon vazhdimisht, por është komuniteti gjuhësor ai që vendos nëse gjuha ndryshon", jo gjuhëtarët. 

Ndryshe nga dialektet, që kanë një tjetër shtrat zhvillimi, gjuha letrare është një kreacion, diçka që krijohet, dhe jo një evolucion, diçka që ndodh vetvetiu. Gjuha letrare a standarde nuk mund të formohet me përzierjen mekanike të dialekteve, me dy baza dialektore, ngaqë tipari i saj themelor është ai i të qenit mbidialektore. Kështu që formimi i standardit nuk duhet ngatërruar as me regjimet politike, as me ekzaltimet krahinoriste. Dhe pasi të jetë formuar standardi, do të ishin krejt të kota dhe pa bukë përpjekjet për destandardizim dhe për ristandardizim të vazhdueshëm të gjuhës, tendencat për të integruar aty të gjitha tiparet dialektore, sepse kjo nuk do të çonte askund, përveç se do të krijonim anarki në komunikim.

Gjuhëtari ynë i shquar E. Çabej për këtë arsye do t’i bashkohej mendimit që doli nga Kongresi i Drejtshkrimit, me parimin e shprehur prej tij se ky standard “paraqet një realitet dhe njëkohësisht rezultatin e njëfarë abstraksioni të formuar gjatë kohës, në mënyrë që nuk përputhet krejt me një dialekt territorial të caktuar, as edhe me dialektin që përbën bazën e saj...”.  
 
Shqipja standarde nuk mund t’i lihet vetvetes, por me këtë materie as nuk duhet të manipulohet krahinorisht 
 
Gjuha shqipe në zhvillimin e saj natyrisht nuk mund t’i lihet vetvetes. Me çështjen e gjuhës në vende të ndryshme të botës merren institucione të shumta shkencore, kulturore e qeveritare, siç janë akademitë, institutet, shoqatat e gjuhës, komisione e këshilla qeveritare etj. Kësisoj, në Gjermani është hartuar dhe ligji për barazinë në gjuhë mes burrit e gruas në administratën shtetërore dhe një shtab i ngritur nga shoqata për gjuhën gjermane merret rregullisht me korrektimin e formulimet ligjore dhe jep rekomandimet e tij.

Edhe me problematikat e gjuhës standarde merren një varg organizmash për ta ruajtur rregullatorin e saj nga deformimet në përdorimin praktik. Në shumë vende, institutet e gjuhësisë kanë hartuar dhe projektligje për mbrojtjen e gjuhës standarde. Por kurrkund nuk ka një këshill si KNGJSH (Këshilli Ndërakademik i gjuhës shqipe), i formuar ad hoc nga një grusht gjuhëtarësh e sigjuhëtarësh, që në emër të politikave të veta krahinoriste, të përpiqet të zhbëjë kodin drejtshkrimor të shqipes së sotme standarde dhe ta zëvendësojë atë me zgjidhje të tjera arbitrare, si: me futjen e paskajores në standard, me shmangien e ë-së së patheksuar në shkrimin e shumë fjalëve, me shkrimin e shumësit të disa fjalëve me j në vend se me nj etj.

KNGJSSH nuk e ka as legjitimitetin dhe as kompetencën për ndërhyrje të tilla në kodin standard, sepse ky këshill as nuk e ka formuar këtë gjuhë, e as mund ta zhbëjë atë. Çfarë do të bëhej, ta zëmë, sikur dhe institucione të tjera gjuhëtarësh, letrarësh dhe intelektualësh të ngrinin këshilla të tilla dhe të formonin kode të reja të standardit gjuhësor? Edhe po të formoheshin ato kode, kush do t’i zbatonte? Pra, e gjithë kjo do të na çonte në një donkishotizëm, në një tymnajë, në një rrugë të parrugë e pus të pafund, që më shumë do të krijonte probleme në gjuhë sesa do t’i zgjidhte ato.   

Pas dhjetë vjet përpëlitjesh të KNGJSH për ndryshime në standard, debatet e gjuhëtarëve edhe aty kanë qenë në ndara në dy kampe kundërshtare për shkak të problematikës komplekse: njëra palë ka qenë për ndryshime radikale në kodin standard (edhe pse nuk e thonë shprehimisht me fjalë këtë), dhe tjetra ka qenë për ruajtjen e standardit aktual dhe për ndryshime josubstanciale. Më në fund, “Vendimet akademike” në Prishtinë (në ASHAK, dhjetor 2013) rezultuan me “lënien e  paskajores jashtë standardit”. Ndryshe, do të shpërbëhej KNGJSH. E ashtuquajtura “paskajore” u la jashtë standardit edhe në mbledhjet e gjuhëtarëve të Prishtinës të vitit 1952 dhe 1957, sepse vërtet gjuha shqipe nuk ndiente nevojë për një formë të tillë infinitivale, që e kanë disa të folme të gegërishtes verilindore e veriperëndimore, por që mungon për mbarë gegërishten dhe për toskërishten.
 
KNGJSH “gjujzohet”!
 
Për të lënë që të kuptohet se puna e këtij Këshilli nuk shkoi huq, anëtarët e KNGJSH në “Vendimet” a “Propozime” e tyre u pajtuan për disa ndryshime të tjera, por jo dhe për paskajoren.
Çfarë është diskutuar për paskajoren? “Ky ka qenë problemi themelor që është shtruar e diskutuar. Pas një mirëkuptimi social e shkencor, u mendua që paskajorja me punu, me shku, nuk mund të futet në standard, për shkak se prek themelet e standardit.

U ra dakord që të ruhet kjo gjendja që është, pasi forma të shkoj, të punoj, pra lidhorja e shqipes i kryen funksionet e saj. Anëtarët e Këshillit Ndërakademik ranë dakord me mirëkuptim që kjo të mos përfshihet në standard, pasi prek disa pika të standardit, jo vetëm të strukturës morfologjike, por edhe veçorive fonetike; nuk mund të thuash me bërë, me larë duhet të thuash me ba, me la. Arsyet e vetme pse kjo u la jashtë është se prek shumë bazat e standardit dhe na kthen 50 vjet pas” (Ethem Likaj). KNGJSH edhe po të merrte “vendim” për mundësinë e integrimit të së ashtuquajturës paskajore në standarde, kush do ta zbatonte atë vendim arbitrar? Mbase dikush edhe do ta përdorte sa për ta tejshquar krahinën e vet dhe për ta çuar inatin deri në fund, por pastaj do të hiqte dorë vetvetiu nga një formë e tillë e një ekstremi dialektor.

Për një kategori fjalësh, si emrat mashkullorë që mbarojnë me -i të theksuar e që në shumës marrin shumësin -nj: mulli-mullinj, ulli-ullinj, në vend të -një KNGJSH propozon të marrin –j. Në Kongresin e Drejtshkrimit, u vendos që të ishte në normë forma me -nj, duke u nisur nga ana historike. Tani u ndryshua qëndrimi, sepse prirja është që të kalohet nga -nj në -j. Edhe format paraprijëse të foljeve punoja, jetoja kanë qenë punonja e jetonja, por prirja është që -nj të bëhet -j – shprehet Ethem Likaj, anëtar i KNGJSH, për të arsyetuar vendimet e këshillit.

Me këtë rrugë, propozohet të përdoret dhe gjujzim në vend të gjunjëzim (!), paçka se në shumicën dërmuese të të folmeve të shqipes thuhet gjunjë, gjunjët, gjunjëzim, gjunjëzoj. Në të vërtetë, nuk ka kurrfarë prirjeje gjuhësore që gjujzim të jetë formë më e përgjithshme kundrejt gjunjëzim, por është krejt e kundërta. Në ligjërimin e Kosovës përdoret vërtet guj-t, ra në guj, por ky është një shformim gjuhësor e jo një formë e mbarë gegërishtes. Gjuhëtari Rami Memushaj thotë se nuk ka asnjë studim ku të provohet përhapja apo mbisundimi i një forme ndaj të tjerave, por thjesht KNGJSH niset nga përdorime krahinore a dialektore.

Sikurse dihet nga të gjithë, shqipja standarde mbështetet në toskërishten letrare, me bazë toskërishten veriore, dhe kjo është një rrugë e gjatë dhe përzgjedhje shkencore, që u krye në një kohë të caktuar. Elementet e veçanta fonetike e morfologjike gege është shumë e vështirë të shartohen në atë sistem, pasi, po të ishte kështu, kjo gjë do të kishte ndodhur vetvetiu. Për më tepër, ja si shprehet një dashamir i shqipes: “Unë jam nga Shqipëria e mesme dhe në shtëpi është folur gegërishtja e Shqipërisë së mesme, por të përdorësh gjujzim në vend të gjunjëzim është një gomarllëk me brirë. E bëri Enveri apo e bënë gjuhëtarët mbi baza shkencore, nuk jam në gjendje ta them, sepse nuk jam gjuhëtar. Por di që ai standard ka 40 vjet në fuqi, dhe duam apo s'duam është bërë gjuha jonë” (Shqiptarja. com 11 dhjetor 2013).
 
“Draft-vendimi” i KNGJSH: ruralizimi i gjuhës në dëm të intelektualizimit gjuhësor
 
“Deri në vitin 2014 pritet që diskutimet e bëra nga KNGJSH të përkthehen në dokument përfundimtar që po e quajnë “draft-vendim”, në bazë të të cilit, më vonë do kërkohet që të merret një vendim që të jetë i barasvlershëm me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972”, – thotë gjuhëtari E. Likaj (Vendimet akademike në Prishtinë, paskajorja jashtë standardit, Gazeta Shqiptare).  

Ndaj këtij “draft-vendimi” mund të shtrojmë pyetje të këtilla: mbi ç’arsye po rishihet standardi? Kujt i nevojitet e gjithë kjo gjullurdi? “Vendimet akademike” të KNGJSH filologjikisht janë të pambështetura, praktikisht janë të pazbatueshme dhe si të tilla futin ferrë në këmbë në kodifikimin e shqipes standarde. Përpjekjet për të prishur gjuhën kanë sfond politik e krahinor. Norma e shqipes së sotme standarde nuk është thjesht produkt vetëm i një Kongresi gjuhëtarësh e letrarësh, por është prirja më e përgjithshme e gjuhës në zhvillimin e saj qindvjeçar drejt kodifikimit. 

Fjalorit Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe të vitit 1976 (një libër simbolik, me fjalë jo të mjaftueshme në krahasim me nevojat), i cili nuk është plotësuar asnjëherë që prej '76-ës, komisionet a këshillat e gjuhëtarëve duhet t’i shtojnë fjalët munguese, e jo të kontestojnë në pikëpamje drejtshkrimore fjalët ekzistuese.
 
* Qemal Murati, me titull shkencor prof. dr., është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku mbulon problemet e dialektologjisë dhe të kulturës së gjuhës. Ai është kryeredaktor i revistës “Gjuha shqipe” që nxjerr ky Institut, dhe i revistës “Studime Albanologjike” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Është autor i shumë librave për problemet teorike të gjuhës standarde dhe për shkeljet e normave të saj në ligjërimin publik, në mediat e shkruara dhe elektronike. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak