TIRANË-  Një ditë pasi publikoi një video nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, deputeti i opozitës së re, Halit Valteri ka dhënë dëshminë e tij në SPAK për të gjitha informacionet që disponon lidhur me këtë ngjarje të 1 nëntorit 2019. Për rreth dy orë, Valteri i është përgjigjur pyetje të prokurorit Altin Dumani, e ndërsa në përfundim të dëshmisë, ai zgjodhi të jepte më shumë detaje.

A e dorëzoi video? A e dispononte më parë policia këtë video? Si kanë ecur hetimet?...këtyre pyetjeve Valteri nuk i dha një përgjigje, për shkak se ka firmosur një formular që ia ndalon të japë detaje deri në përfundim të hetimeve, Në të kundërtën, ndaj tij do të niste një procedim penal.

"Kam dhënë deponimin tim pranë prokurorit Altin Dumani, presim përfundimin e hetimeve. Nuk na e mbyllën gojën, por do të zbatojmë ligjin. Deklaratat që kam bërë në Kuvend dhe në media i qëndroj, nuk e di nëse do thërritem sërish në SPAK. Duhet të sqaroja të gjitha informacionet që kisha", tha Valteri.

Në Kuvend, Valteri tha se kishte bërë vetë kontrolle, kishte kërkuar në 3 biznese videon ku dukeshin qartë 2 autorët e dyshuar të atentatit, duke akuzuar policinë se nuk ka bërë me qëllim kontrolle për të zbardhur të vërtetën, por më pas në emisionin "Repolitix" tha se video kishte ardhur nga babai i Andi Malokut, Genci i cili e kishte kërkuar ndihmë personalisht për të vënë drejtësinë në vend.

Në këtë video janë filmuar momentet kur personat e dyshuar për atentatin mbi automjetin e prokurorit Arjan Ndoj, ndodhen te mbikalimi i Shkozetit, pasi kanë braktisur makinën në Shkafane dhe janë kapur nga kamerat e sigurisë teksa ecin disa metra në këmbë.

Personi i veshur në të zeza dhe kapele sipas prokurorisë është Redjan Rraja, ndërsa shoqëruesi i tij edhe pse është është i pamaskuar nuk është identifikuar ende nga prokuroria. Redian Rraja sipas prokurorëve është një person me precedentë të theksuar kriminalë, dhe janë 2 analiza të ADN që e lidhin me ngjarjen, njëra nga materiali gjenetik i gjetur në syzet në automjet dhe tjetri në kapuc.

Personi i dytë edhe pse e ka profilin gjenetik, nuk është identifikuar ende dhe për këtë Prokuroria thotë se ka kërkuar ndihmë nga autoritetet e huaja. Është pikërisht kjo video që deputeti Halit Valteri e mori nga babai i shoferit të prokurorit Arjan Ndoji, i riu që mbeti i vrarë në atentat. Babai kërkon që Prokuroria të identifikojë personin e pamaskuar për të vënë në vend drejtësinë.