Kontrata koncesionare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions, s.a.” dhe “Sicpa Security Solutions, Albania”, sh.p.k., “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”, është miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011. Por koncesioni i mësipërm, që iu dha kompanisë SICPA, ndonëse u miratua, nuk arriti në zbatohej për shkak se nuk ishin parashikuar shumë të papritura, që zinin fill me mangësi në pullën e parashikuar, ndërkohë që kjo e fundit nuk kishte mundësi të kontrollohej imtësisht, pasi mungonte një sistem serveri me të dhënat e ilaçeve. Kontrata e re do ketë afat 10-vjeçar dhe nëse kalon siç propozohet pritet që koncesionari të përfitojë 46 milionë euro.
Qëllimi
Sipas relacionit të projektligjit, që është miratuar nga Këshilli i Ministrave kur në të bënin pjesë edhe ministra të LSI-së, tashmë në opozitë, qëllimi i kontratës koncesionare konsistonte në ngritjen e një sistemi me qëllim gjetjen dhe gjurmueshmërinë e produkteve që i nënshtrohen taksës së akcizës dhe pullat fiskale synojnë të shërbejnë si provë që taksa e akcizës është paguar. Por kontrata e nënshkruar nga qeveria Berisha nuk e mundësonte gjurmueshmërinë, kështu që del nevoja për të konceptuar edhe një sistem shtesë të dhëash dhe pajisjesh, që të bëjnë të mundur identifikimin e ilaçit, hyrjen e tij në Shqipëri, skadencën, origjinën, etj (track & trace). Kjo do të bënte më të lehtë për autoritetet përkatëse zbulimin e abuzimeve dhe mashtrimeve.
Kostot
Ajo që fillon ta komplikojë qëllimin pozitiv të projektligjit amendues është ndryshimi i tarifimit. Ashtu siç ndodh për pullat fiskale që vendosen tek pijet alkoolike apo paketat e cigareve, këto pulla kanë një kosto që miratohet me ligj, si psh 20 euro për 1.000 copë tek paketat e duhanit, 32 euro për 1.000 copë për pijet e ndryshme alkoolike, 22 euro për 1.000 copë për birrën, etj. Për ilaçet me ligjin në fuqi të pullave fiskale njihet një kosto prej 14.43 eurosh për 1.000 copë.
Tanimë, me amendimet e parashikuara, kostoja llogaritet ndryshe. Kështu, për secilin ilaç më vete kostoja e pullës do të llogaritet sa 2.4 për qind e çmimit të tij të shitjes me pakicë. Kjo do të ishte gati e padukshme për një paketë aspirinash, por situata do të ishte shumë e ndryshme për ilaçe që lidhen me kurimin e sëmundjeve të rënda, që kushtojnë psh 1.000 euro.
Ndryshimi
Tregu shqiptar i ilaçeve llogaritet mesatarisht me një vlerë globale prej rreth 128 milionë eurosh në vit. Një shifër shumë e lartë. Kur shitet në farmaci, në pikën fundore të shitjeve, kësaj shume i shtohet edhe marzhi i njohur i fitimit të 1.800 subjekteve tregtare (farmaci), duke e çuar kështu shifrën totale në nivelin 172.8 milionë euro. Nga ana tjetër, janë edhe pesë farmaci të mëdha spitalore dhe 400 ambulanca, ku marzhi i fitimit është 7 për qind dhe të cilat kapin një xhiro vjetore prej 20 milionë eurosh të tjera në një vit, me një xhiro globale prej 21.4 milionë eurosh
Si rezultat, në rast se çdo ilaç do të taksohej vetëm për pullën e re fiskale me 2.4 për qind të vlerës së tij të shitjes me pakicë (ku është përfshirë fitimi), kostoja e rritur për efekt të sistemit të ri të pullave të propozuara me çmim sa 2.4% të çmimit të pakicës është më se 4.6 milionë euro në një vit.
Është e kuptueshme që këtë kosto shitësit nuk do ta paguajnë vetë, çka do të ishte humbje për ta, por do t’ia ngarkojnë konsumatorit fundor, pra të sëmurit që i blen këto ilaçe.
Në përfundim të relacionit thuhet se buxheti i shtetit nuk do të ketë pasoja financiare nga amendimi i parashikuar i kontratës koncesionare. Duket se hartuesit e këtyre ndryshimeve kanë “harruar” se ambulancat dhe spitalet do të detyrohen të blejnë ilaçe tek privatët me çmim të rritur, pra pasojat tek arka e shtetit janë të padiskutueshme.
Pasojat
Me kontratën aktuale, por që nuk është funksionale, afërsisht për një kuti ilaçesh kostoja e pullës është 2-3 lekë. Por, me tarifimin e ri kostoja rritet disafish. Asnjë nga ministria e Financave apo edhe nga aje e Shëndetësisë nuk ka marrë mundimin se ku është bazuar grupi që ka propozuar ndryshimin në fjalë që të llogaritë pikërisht këtë shifër të 2.4 përqindëshit dhe jo 1%, apo 2.1%. Kuptohet që shërbimi që do të ofrohej do të ishte më cilësor, pasi koncesioni do të siguronte edhe një sistem kontrolli, aparatura në dispozicion të kontrollorëve dhe vetë farmacive, që të shmangnin mallrat e skaduara, të ndaluara apo false.
Po ashtu, dihet se kompanitë që prodhojnë pullat (jashtë Shqipërisë) kërkojnë një çmim të caktuar për produktin e tyre. Megjithatë, autoritetet, para se ta sjellin për diskutim në Kuvend këtë projektligj për herë të dytë, do të bënin mirë të jepnin shpjegime pikërisht për ekskluzivitetin që u kanë akorduar pullave fiskale të ilaçeve ndaj pullave të tjera të njohura nga shteti, të gjitha me një kosto të caktuar për 1.000 copë. Kosto me përqindje duket se fsheh diçka që nëpër ministritë nuk duan ta thonë.
Koncesioni do të jetë me afat 10 vjeçar, pra në total koncesionari do të përfitojë 46 miliona euro dhe shpenzimi për pajisjet e kontrollit dhe për serverin do të kryhet vetëm një herë. Më pas, çdo vit sipas këtij propozimi do të sillte tek koncesionari miliona e miliona euro të ardhura neto.
Ndërkohë, për shtresat më në nevojë të popullsisë kjo do të ishte një përkeqësim i kushteve të jetesës.
Duke patur mazhorancën e sigurt në Kuvend, parashikohet që tani qeveria ta kalojë lehtësisht ligjin. Por do të ishte mirë të bënte më shumë transparencë, duke qenë se fjala është për një temë shumë të ndjeshme për qytetarët e këtij vendi, ndërkohë që sektori i shëndetësisë jo pak herë është përfolur për afera korruptive.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com