Këto janë të dhënat që Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim i ka siguruar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku sipas tyre i bie përafërsisht 48 raste që përfundojnë me vdekje në 100 mijë punëtorë.
Gjithë këto shqetësime lidhur me pasigurinë e punëtorëve në vendet e tyre të punës i shprehi sot në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në një konferencë për media Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim.
Hulumtuesi i CRDP-së Rron Gjinovci tha se në bazë të statistikave të Agjencisë e cila punon në Zyrën e Kryeministrit, papunësia në Kosovë në vitin 2014 ka qenë 35.1 përqind, kompani ndërtimi të regjistruara në Kosovë deri në vitin 2014 janë 5 mijë ëe 140, punëtorë të ndërtimit të regjistruar deri në vitin 2014 janë 5 mijë e 416, numri i lëndimeve serioze deri në vitin 2012 është 17 raste që kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa numri i personave me lëndime të rënda trupore ka qenë 34.
Sipas CRDP-së Kosova ka në tërë territorin e saj 52 inspektorë të punës. Ky është numri më i vogël i mundshëm në këto rrethana të punës. Me këtë numër të inspektorëve ku përfshihen të gjitha llojet e inspektimeve, është e pamundur të mbikëqyret sidomos sektori privat i cili është shkelës i madh i të drejtave të punëtorëve. Shumë kompani në Kosovë pengojnë edhe ndërtimin e sindikatave për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Kështu që CRDP pret që së shpejti të rritet numri i inspektorëve dhe të krijohen sindikatat për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve./kosovapress/