KURBIN-  Një fëmijë dy-vjeçar ka humbur jetë tragjikisht, pasi flakët e zjarrit kanë përfshirë një kasolle pulash, pranë banesës së tij në Kurbin. Fëmija ishte larguar nga nëna e tij e cila në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë bashkë me vajzën e vogël, dhe nuk kishte dijeni që i vogli dy-vjeçar ndodhej në kasolle në momentin e rënies së flakëve.

Kanë qenë forcat zjarrfikëse ato që kanë gjetur trupin e pajetë të tij, pasi kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Mësohet se dy-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë dhe djegieve që ka pësuar.

Shkak për rënien e flakëve dyshohet të jetë bërë një sobë me dru të cilën familja 10-anëtarëshe të Haki Çokut e kishte vendosur në kasollen e pulave. Fqinjët tregojnë se ata janë mjaft të varfër dhe jetonin me qira, ndërsa ushqeheshin duke mbledhur hekura dhe kanaçe.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe kryebashkiakja e Kurbinit Majlinda Cara, e cila ka premtuar mbështetje për këtë familje e cila ishte zhvendosur prej disa vitesh nga fshatrat e Dibres dhe jetonin në një banese me qira në Sanxhak të Kurbinit.

Foto nga vendi i ngjarjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:11
Fqinjët tregojnë si ra zjarri në kasollen e pulave: Familja e 2-vjeçarit që vdiq, në kushte të vështira! Mblidhnin hekura dhe kanaçe

Banorët e zonës që jetojnë pranë kasolles së pulave që u përfshi nga flakët në Kurbin kanë treguar edhe shkakun e rënies së zjarrit.

Unë jam komshiu dhe e kam njeri timin të zotin e shtëpisë. Kam ardhur më vonë dhe kam parë zjarrfikësen dhe pasi është fikur zjarri është gjetur kufoma i asfikusar dhe i djegur. Zjarri ka rënë nga tubat e sobës me dru. Fëmija ishte i vetëm. Nëna bashkë me vajzën e vogël ishin brenda. Jetojnë në kushte të vështira. Janë i vetë i nënti, punon vetëm i zoti i shtëpisë", tregon i afërmi.

"Unë jam komshiu. Ai është pa punë, me shtëpi me qira. Mbledhnin hekura, kanaçe. Në magazinë kishin pula dhe lepura", shprehet fqinji

Ora 16:34
2-vjeçari në Kurbin humbi jetën pas djegies së kasolles ku ruanin kanaçet

Detaje të reja kanë dalë nga vdekja e 2-vjeçarit në Kurbin. Mësohet se flakët që kanë sjellë vdekjen e tij kanë rënë në një kasolle pranë banesës ku jetonte familja e tij 7-anëtarëshe. Ata përdornin kasollen për të ruajtur kanaçet që mblidhnin pasi ishin mjaft të varfër, si dhe sobën e druve. Në momentin e rënies së flakëve fëmija 2-vjeçar nuk ka mundur të shpëtojë si pasojë e djegies dhe asfiksisë.